Agjenda e Scholzit nesër në Kosovë; do të takohet vetëm me kryeministrin Kurti
Gjatë vizitës së tij në Kosovë kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz do të ketë vetëm një takim, atë me kryeministrin Albin Kurti.
Përveç këtij takimi, ai do të vizitojë trupat gjermanë që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.
Kështu ka deklaruar për RTKlive në një përgjigje me shkrim Zyra për Media e Qeverisë së Gjermanisë.
Kjo zyrë konfirmon se kancelari gjerman do të mbërrijë në Prishtinë nesër, 10 qershor, në orën 9:45 minuta.
Ai do të pritet në takim nga kryeministri Albin Kurti, kurse më pas, në orën 11:30, është përcaktuar të mbahet dhe një konferencë e përbashkët për media.
Me kaq takimet e kancelarit gjerman në Kosovë do të mbarojnë.
“Mbërritja në Serbi është parashikuar në orën 15:00. Atje kancelari do të pritet nga presidenti serb Vuçiq, ku do të ketë diskutime me të dhe kryeministren Bërnabiq”, thotë një zëdhënës për media në Qeverinë e Gjermanisë.
Bazuar në këtë agjendë, është parashikuar që në orën 16:50 të ketë një konferencë të përbashkët për media të kancelarit Scholz dhe Vuçiqit.
Kancelari Olaf Scholz, pas Kosovës dhe Serbisë, do të vizitojë edhe Greqinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, ku edhe i jep fundit kësaj vizite në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Të gjitha këto vizita dhe takime do të realizohen më 10 dhe 11 qershor.
Rruga Press