Kuriozitete

ADN-ja e vajzës që vdiq para 7 mijë vjetësh zbërthen enigmën për grup të panjohur njerëzish

Mbetjet mortore të një adoleshenteje që vdiq më shumë se 7 mijë vjet më parë në ishullin indonezian Sulawesi zbërthejnë historinë e një grupi njerëzish të panjohur më parë.

Kjo linjë e veçantë njerëzore nuk është gjetur kurrë diku tjetër në botë. Studimi u botua në revistën “Nature”.

“Kemi zbuluar ADN-në e parë njerëzore të lashtë në rajonin e ishullit midis Azisë dhe Australisë, e njohur si ‘Wallacea’, duke siguruar një pasqyrë të re mbi diversitetin gjenetik dhe historinë e popullsisë së njerëzve të hershëm në këtë pjesë pak të njohur të botës’, ka thënë bashkautori i studimit, Adam Brumm, profesor i arkeologjisë në Qendrën Kërkimore Australiane të Universitetit Griffith për Evolucionin Njerëzor.

Studiuesit besojnë se njerëzit e parë modernë përdorën ishujt Wallacea, kryesisht ishujt indonezianë që përfshijnë Sulawesi, Lombok dhe Flores, ndërsa kalonin nga Euro-Azia në kontinentin australian më shumë se 50 mijë vjet më parë. Rruga e saktë ose mënyra se si ata lundruan në këtë vendkalim, megjithatë, nuk dihet.

“Ata duhet ta kenë bërë këtë duke përdorur mjete lundruese relativisht të sofistikuara të një lloji, pasi nuk kishte ura tokësore midis ishujve, madje edhe gjatë majave akullnajore të fundit të epokës akullit, kur nivelet globale të detit ishin deri në 140 metra më të ulëta sesa që janë sot”, ka thënë Brumm.

Mjetet dhe pikturat e shpellave kanë sugjeruar se njerëzit jetonin në këto ishuj para 47 mijë vjetësh, por të dhënat fosile janë të pakta dhe ADN-ja e lashtë degradon më shpejt në klimën tropikale.

Sidoqoftë, studiuesit zbuluan skeletin e një gruaje 17- 18 vjeçare në një shpellë në Sulawesi në vitin 2015. Mbetjet e saj u varrosën në shpellë 7 mijë vjet më parë. Ajo ishte pjesë e kulturës Toaleane, e gjetur vetëm në një pjesë të gadishullit jugperëndimor të Sulawesi. Shpella është pjesë e një lokaliteti arkeologjik të quajtur “Leang Panninge”.

“’Toaleans’ është emri që arkeologët i kanë dhënë një kulture mjaft enigmatike të gjahtarëve-grumbulluesve parahistorikë që jetuan në fushat dhe malet e pyllëzuara të Sulawesin Jugor rreth 8 mijë vjet më parë deri në shekullin e pestë pas Krishtit”, ka thënë Brumm nëpërmjet e-mailit.

“Ata bënë mjete guri shumë të dallueshme (duke përfshirë shigjetat e vogla, të përpunuara imët të njohura si ‘pikat Maros’) që nuk gjenden askund tjetër në ishull ose në Indonezinë më të gjerë”.

Skeleti i adoleshentes është skeleti i parë kryesisht i plotë dhe i ruajtur mirë i lidhur me kulturën Toaleane, ka thënë Brumm. Autorja kryesore e studimit Selina Carlhoff ishte në gjendje të merrte ADN-në nga kocka petroze në formë pyke në bazën e kafkës.

“Ishte një sfidë e madhe, pasi mbetjet ishin degraduar fort nga klima tropikale”, ka thënë Carlhoff.

Hulumtimi ka vënë në pah informacione me vlerë. ADN-ja e gruas së re tregoi se ajo është pjesë e valës së parë të njerëzve modernë që kishin ardhur në Wallacea 50 mijë vjet më parë. Brumm ka thënë se kjo ishte pjesë e kolonizimit fillestar të “Australisë së Madhe”, ose tokës së kombinuar të epokës së akullit të Australisë dhe Guinesë së Re. Këta janë paraardhësit e australianëve autoktonë dhe papuanëve të sotëm.

Rezulton se gjenomi më i vjetër i gjurmuar në ishujt Wallacea zbuloi diçka tjetër: njerëzit e lashtë të panjohur më parë. Ajo gjithashtu ndan prejardhjen me një grup të veçantë nga Azia që ka të ngjarë të ketë mbërritur pas kolonizimit të Australisë së Madhe – sepse australianët autoktonë modernë dhe papuanët nuk ndajnë prejardhjen me këtë grup, ka thënë Brumm.

“Më parë, mendohej se hera e parë që njerëzit me gjene aziatike hynë në Wallacea ishte rreth 3 mijë e 500 vjet më parë kur fermerët austronezianë nga Tajvani neolitik erdhën nga Filipine për në Indonezi”, ka thënë ai. “Kjo sugjeron që mund të ketë pasur një grup të veçantë njerëzish modernë në këtë rajon për të cilin ne me të vërtetë nuk e kishim idenë deri më tani, pasi vendet arkeologjike janë aq të pakta në Wallacea dhe mbetjet e vjetra skeletore janë të rralla”.

Asnjë pasardhës i kësaj prejardhjeje nuk ka mbetur. Gjenomi i saj përfshinte një gjurmë tjetër të një grupi enigmatik dhe të zhdukur: Denisovanë. Një grusht fosilesh tregojnë se këta njerëz të hershëm që kanë ekzistuar janë kryesisht nga Siberia dhe Tibeti.

Kur ADN-ja e saj u krahasua me atë të gjahtarëve të tjerë që jetonin në perëndim të Wallacea në të njëjtën kohë, ADN-ja e tyre nuk përmbante asnjë gjurmë të ADN-së së Denisovan.

“Shpërndarja gjeografike e denisovanëve dhe njerëzve modernë mund të ketë tejkaluar rajonin Wallacea. Mund të jetë vendi kyç ku ndërthuren njerëzit e Denisovës dhe paraardhësit e australianëve autoktonë dhe papuanëve”, ka thënë bashkautori i studimit Cosimo Posth, profesor në Universitetin “Tübingen Senekenberg”, në Frankfurt të Gjermanisë.

Studiuesit nuk e dinë se çfarë ndodhi me kulturën Toaleane, dhe ky zbulim i fundit është një pjesë e enigmës teksa përpiqen të kuptojnë historinë e lashtë gjenetike të njerëzve në Azinë Juglindore. Brumm ka thënë se shpreson se ADN-ja më e lashtë nga populli Toalean mund të rikuperohet për të zbuluar diversitetin e saj “dhe historinë më të gjerë stërgjyshore”./Koha

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *