Abdi Baleta dhe paralajmërimi i tij për vendimin që u mor sot në Hagë!
Shkruan Irena Beqiraj
Po lexoja një shkrim të diplomatit Abdi Baleta të shkruar në vitin 2015 i cili ndër të tjera shkruante:
“Këmbëngulja e faktorëve ndërkombëtarë për krijimin e ‘gjykatave speciale’ në Kosovë duhet t’i rrisin dyshimet shqiptare se prapa këtij projekti mund të fshihen skenarë për njëfarë revizionimi të vetë procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës, për ta shtyrë kontrabandë pavarësinë, tashmë të njohur ndërkombëtarisht drejt ndonjë ‘statusi special’, siç kërkon Serbia. Në mjediset politike proserbe të Europës janë shpeshtuar zërat se ‘njohja e pavarësisë së Kosovës paska qenë e nxituar dhe e parakohshme’. Disa diplomaci europerëndimore, madje dhe ajo amerikane, po i shtojnë përkëdheli bajate Serbisë, me shpresën që ta mbajnë sa më larg planeve ekspansioniste ruse në Europë e në Ballkan. Në Europën perëndimore janë rritur edhe mëritë që SHBA në vitet 1999 dhe 2008 i tërhoqën gati me shtrëngim pas strategjisë së vet në vendimmarrjen për çlirimin e dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ka shumë shenja që tregojnë se erërat nuk janë të mira për lundrimet politike dhe diplomatike shqiptare.
Fatmirësisht projekti për ‘gjykatat speciale’ është pritur me shqetësime dhe kundërshtime të bazuara nga disa forca politike e opozitare dhe nga një opinion i gjerë publik në Kosovë. Edhe pushtetarët, politikanët e juristët që e mbështesin, hiqen se po veprojnë kështu nga zori, në kuadër të përmbushjes së detyrave të tyre zyrtare për bashkëpunim me ndërkombëtarët në të mirë të Kosovës. Por nuk e heqin dot dyshimin se janë edhe ambiciet e forta për pushtet që e përcaktojnë këtë sjellje. Nuk e dimë nëse u kanë lindur ndonjëherë ndjesi shqetësuese qytetare e profesionale anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që është paraqitur deri tani para opinionit publik shqiptar si institucioni më i gatshëm të bëjë avokatinë e projektit të ‘Gjykatave speciale’ në Kosovë. Për çudi, Gjykata Kushtuese e Kosovës edhe në raste të tjera problemesh me natyrë të mprehtë politiko-juridike ka lënë përshtypjen e institucionit më të dëgjueshëm ndaj ndërkombëtarëve.
Rrezikshmërinë për shtetshmërinë e pavarur e sovrane të Kosovës nuk mund ta fshehë demagogjia e rëndomtë mbi gjoja bazueshmërinë juridike ndërkombëtare e kushtetuese të krijimit të ‘gjykatave speciale’ në Kosovë. Këto gjykata nuk mund të bëhen të pranueshme as për dobinë e hamendësuar që do të sillkan në goditjen e disa veprave penale ose në ndëshkimin e disa individëve të akuzuar rëndë deri tani. Dobësitë e dështimet e forcave politike, shoqërore e juridike në Kosovë për të bërë drejtësi në shtëpinë e tyre, nuk do i shërojnë dot ‘gjykatat speciale’ ndërkombëtare”.
Mësimi i padrejtësisë që po përjetojmë sot nuk duhet humbur ,miqtë e mëdhenj duhen respektuar por pa hequr dorë nga interesat afatgjata të kombit. Politika e jashtme edhe marrëdhëniet ndërkombëtare kur përdoren si detour “rruga më e shkurtër”, duke prevaluar shpesh edhe mbi rrugën e gjatë e të vështirë të Shtetformimit , do të na sigurojnë vetëm interesat politike të momentit por kurrë drejtësidhënien.
Rruga Press

