Gjeopolitikë

A mund të jetë pikë kthese për Ukrainën, promovimi i Polonisë si lidere në Evropë?

Nga: Paul Taylor / The Guardian, Përkthimi: Telegrafi.com

Lufta e gjatë e Polonisë që fjala e saj të ketë ndikim më të madh në lidershipin evropian, më në fund po fiton terren kur Trekëndëshit të Vajmarit – një grup diplomatik që bashkon Varshavën me Gjermaninë dhe Francën në një dialog të rregullt mbi çështjet e BE-së – po zgjohet nga gjumi i thellë.

Kur kryeministri polak Donald Tusk iu bashkua kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron për dëshmuar unitetin – në Berlin, të premten e kaluar – ata ia dhanë jetën e re politike formatit që ka potencialin e paplotësuar për ta bashkuar Evropën veriore, jugore dhe qendrore rreth një axhende të përbashkët – veçanërisht në mbështetje të Ukrainës.

Tre liderët vijnë nga pikënisjet shumë të ndryshme. Polonia po nxiton të riarmatoset dhe po derdh ndihma në Ukrainë. Scholzi heziton dhe refuzon t’ia japë Kievit raketat më të fuqishme me rreze të gjatë veprimi, ndërsa Macroni papritmas është shndërruar në aleatin më të hapur të Volodymyr Zelenskiyt – edhe pse Parisi mbetet shumë prapa Berlinit sa i përket vëllimit të ndihmës ushtarake.

Marrëdhëniet midis Francës dhe Gjermanisë, prej kohësh çift kryesor i BE-së, janë po aq të tensionuara si dikur, me politikën e brendshme që po i tërheq në drejtime të kundërta. Scholzi i kujdesshëm duhet të menaxhojë një koalicion të përçarë, duke përfshirë pacifistët në Partinë e tij Socialdemokrate (SPD), ndërkohë që qasja e re e Macronit është pjesërisht përpjekje për ç’balancuar opozitën në rritje të djathtë kundrejt qeverisë së tij të pakicës së qendrës.

Në dekadën e fundit, Trekëndëshi i Vajmarit ka qenë më shumë si Trekëndëshi famëkeq i Bermudës së aviacionit – zbrazëti në të cilën nismat politike zhduken shpeshherë pa gjurmë.

Kjo ishte kryesisht për shkak se qeveria e mëparshme polake, e udhëhequr nga partia konservatore nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS) e Jarosław Kaczyńskit, e kaloi kohën duke u grindur me Berlinin dhe Parisin për gjithçka, që nga sundimi i ligjit e deri te kontratat e armëve, lufta kundër krizës klimatike, marrëdhëniet me Rusinë dhe kërkesat për dëmshpërblime të Luftës së Dytë Botërore.

Kishte gjithashtu presione të mëhershme, veçanërisht kur presidenti i dikurshëm francez, Jacques Chirac, qortoi vendet e Evropës Qendrore në vitin 2003, duke thënë se kishin “humbur një mundësi të mirë për të mbyllur gojën” – pasi kishin nënshkruar një letër të përbashkët në mbështetje të pushtimit të Irakut të udhëhequr nga ShBA-ja. Polakët prej kohësh u panë në Berlin dhe në Paris si alarmues kundrejt Rusinë dhe të afërt me ShBA-në. Duke pasqyruar, Macroni vitin e kaluar pranoi se Franca duhet të kishte dëgjuar më shumë Evropën Qendrore.

Lexo më shumë  Serwer: Harrisit mund t’i duket Kosova si Tajvani e Ukraina

Me ekonomi dinamike dhe popullsi prej afro 40 milionë banorëve, Polonia është shteti më i madh dhe më me ndikim në Evropën Qendrore. Për më tepër, është në rrugën e saj për t’u bërë fuqi rajonale ushtarake dhe kështjellë kundër agresionit rus, duke shpenzuar më shumë se katër përqind të prodhimit të saj të brendshëm bruto për mbrojtje. Se si do të paguajë Varshava për këtë grumbullim të armëve, kjo mbetet për t’u parë.

Megjithatë, vendi ka rënë poshtë në vitet e fundit për shkak të obsesionit të Kaczyńskit për të zgjedhur betejat me Berlinin dhe Brukselin – për përfitime të brendshme politike dhe për të nxitur Uashingtonin kundër BE-së.

Tusku, ish-president i Këshillit Evropian, është mirë i pozicionuar për të luajtur rol më të madh në udhëheqjen e BE-së. E ka besimin e shumicës së homologëve të tij të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe po ecën me shpejtësi për të përmirësuar marrëdhëniet e Varshavës me Brukselin dhe për të çmontuar pushtimin e gjyqësorit dhe të medias publike nga paraardhësi i tij. Ai është gjithashtu figurë e çmuar dhe e besueshme në Partinë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë, pra në familjen dominuese politike të BE-së.


Nëse Tusku është i gatshëm të bashkohet me Berlinin dhe Parisin në axhendën e tyre të reformave për BE-në, duke përfshirë marrjen e më shumë vendimeve për politikë të jashtme me shumicë të votave në vend të unanimitet, kjo ende është e paqartë. Së pari, ai duhet të konsolidojë autoritetin e tij në vend, të zbusë protestat e fermerëve për importet nga Ukraina dhe të shmang rikthimin e PiS-it në zgjedhjet lokale në prill dhe në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në qershor. PiS-i do ta shfrytëzojë çdo aluzion se koalicioni qendror i Tuskut ishte i gatshëm të jepte sovranitetin polak duke hequr dorë nga vetoja kombëtare mbi politikën e jashtme dhe sanksionet.

Trekëndëshi i Vajmarit ishte ideja e ish-ministrit të jashtëm gjerman, Hans-Dietrich Genscher. U krijua më 1991 për të përqafuar Poloninë postkomuniste dhe për të ndihmuar në përgatitjen e saj për anëtarësimin në BE. Vizioni i Genscherit ishte të vuloste pajtimin midis Gjermanisë së ribashkuar dhe Polonisë së re demokratike, duke e tërhequr Varshavën në marrëdhënien qendrore franko-gjermane që ishte motori i BE-së në atë kohë.

Në fakt, asnjëherë nuk funksionoi, jo vetëm se francezët nuk ishin entuziastë për zgjerimin e BE-së në lindje, duke ndjerë se ndikimi i tyre në Bruksel do të zbehej, por sepse gjermanët do të merrnin përfitimet ekonomike. Pasi hodhën poshtë komunizmin, polakët zgjodhën terapinë e shokut dhe një formë kapitalizmi të ashpër në vend të versionit francez të ekonomisë sociale të tregut. Frika nga “hidrauliku polak” – nga punëtorët migrantë lindorë që ulin pagat e perëndimorëve – ishte arsyeja se pse francezët votuan për të refuzuar kushtetutën e BE-së më 2005.

Lexo më shumë  “Po vjen ushtria ruse!”. Gjenerali gjerman: Përgatituni, për 5 vite NATO do të sulmohet

Megjithëse liderët dhe ministrat francezë dhe gjermanë kanë mbajtur takime të rregullta në formatin e Vajmarit, bashkë me homologët e tyre polakë, perëndimorët nuk ishin të hapur ndaj paralajmërimeve të Polonisë për kërcënimin e afërt nga Rusia revizioniste. Tentimi i pandërprerë i Gjermanisë për lidhje më të ngushta energjetike me Moskën, duke anashkaluar Poloninë dhe Ukrainën, ishte shembull i dështimit për të dëgjuar.

Ironikisht, Tusku tash e sheh se duhet të qetësojë marrëdhëniet e tensionuara midis Parisit dhe Berlinit, të cilët janë grindur publikisht për shkallën e tyre të përkushtimit ndaj Ukrainës, si dhe për prokurimin evropian të mbrojtjes, energjinë bërthamore dhe huamarrjen e përbashkët të BE-së, duke e bërë më të vështirë për BE-në që të marrin vendime në një kohë të stresit akut gjeopolitik.

Me ndihmën ushtarake të ShBA-së për Ukrainën, që është bllokuar nga grindjet partiake në Kongres, fuqitë kryesore të Evropës duhet urgjentisht të kapërcejnë mosmarrëveshjet për të armatosur Kievin. Scholzi dhe Macroni dhanë secili shenja në takimin e së premtes, duke mbështetur një iniciativë çeke për të blerë qindra-mijëra fishekë jashtë BE-së, meqë prodhimi evropian është i pamjaftueshëm për të përmbushur nevojat e Ukrainës.

Duke qortuar butësisht Parisin dhe Berlinin, Tusku tha: “Ukraina ka nevojë për më pak biseda dhe më shumë municion”. Liderët nuk shtrojnë pyetje. Shtrëngimi i trefishtë i duarve ishte mesazhi politik.

Takimi i së premtes nuk i zgjidhi mosmarrëveshjet mbi refuzimin e Scholzit për t’ia dhënë Kievit raketat me rreze të gjatë veprimi, Taurus – të cilat mund të ndryshojnë lojën – as mbi pohimin e Macronit se dërgimi i trupave perëndimore në Ukrainë nuk duhet të përjashtohet. Megjithatë, ata ranë dakord të takoheshin sërish në formatin e Vajmarit, pas zgjedhjeve evropiane të qershorit, kur secili prej të treve mund të ketë një dorë më të lirë për të bërë përparime – si në armatosjen e Ukrainës ashtu edhe në reformën e BE-së.

Rreziku është se deri atëherë pozita strategjike e Ukrainës do të jetë përkeqësuar më tej dhe nacionalistët euroskeptikë të djathtë do të kenë fituar zë më të fuqishëm në Parlamentin Evropian – për të kundërshtuar ndihmën e mëtejshme për Kievin dhe integrimin evropian.

YouTube player