A mund ta ndalojë ligji amerikan Trumpin nga tërheqja e trupave nga Evropa?
Tërheqja e trupave amerikane nga Evropa ka rikthyer debatet mbi kufizimet ligjore dhe ndikimin e mundshëm në sigurinë rajonale, pasi administrata e presidentit Donald Trump po shqyrton reduktime të mëtejshme të pranisë ushtarake.
Sipas Pentagonit, Shtetet e Bashkuara pritet të tërheqin rreth 5 mijë trupa nga Gjermania, një vend ku aktualisht janë të dislokuar rreth 36 mijë ushtarë amerikanë. Në total, prania amerikane në Evropë vlerësohet mes 80 mijë dhe 100 mijë trupave, duke përbërë një element kyç të strukturës së NATO-s në rajon, raportoi Euronews.
Reduktimi i planifikuar përbën rreth 14 për qind të trupave në Gjermani dhe përfshin një brigadë luftarake dhe një njësi të artilerisë me rreze të gjatë, të cilat më herët ishin planifikuar të vendoseshin gjatë administratës së Joe Bidenit.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, ka deklaruar se vendimi vjen pas një rishikimi të thellë të pranisë ushtarake amerikane në Evropë dhe reflekton nevojat aktuale në terren.
Megjithatë, ligji amerikan për mbrojtjen i vitit 2026 vendos disa kufizime për reduktime të mëdha të trupave. Sipas Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin 2026, Pentagoni nuk mund të ulë numrin e trupave në Evropë nën 76 mijë për më shumë se 45 ditë pa përmbushur disa kushte, përfshirë arsyetimin se masa është në interes të sigurisë kombëtare, konsultimin me aleatët e NATO-s dhe raportimin në Kongres.
Edhe pse këto dispozita nuk e ndalojnë plotësisht tërheqjen, ato e bëjnë procesin më të ndërlikuar dhe kërkojnë kohë shtesë për zbatim.
Vlerësohet se një tërheqje e tillë është komplekse dhe e kushtueshme, pasi forcat amerikane në Gjermani janë të integruara në strukturat globale të komandës. Zhvendosja e tyre mund të ndikojë në gatishmërinë ushtarake dhe operacionet e përbashkëta.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e ka cilësuar vendimin si të pritshëm, ndërsa kancelari Friedrich Merz ka theksuar se riorganizime të tilla janë pjesë e zakonshme e strategjisë globale të SHBA-së.
Rruga Press

