A është vrarë Ervis Martinaj? 10 ditë hetime, administrohen të dhëna kontradiktore
Prej 10 ditësh policia po verifikon disa të dhëna për zhdukjen e Ervis Martinaj.
Pista e parë që po hetohet është ajo e rrëmbimit me pasojë eliminimin fizik të personazhit të njohur të botës së krimit pas denoncimit të familjarëve të tij. Pista tjetër është ajo e një inskenimi të mundshëm me qëllim humbjen e gjurmëve.
Martinaj kërkohet edhe nga SPAK si i dyshuar për porositjen e një vrasjeje që nuk u realizua për të cilën i kishte ofruar të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani deri në 500 mijë euro.
Ditën e djeshme një media që operon në Shqipëri publikoi artikullin ku thuhej se trupi i Martinajt ishte gjetur i ndarë në gjashtë pjesë, por se ky lajm nuk është konfirmuar ende në formë zyrtare si i vërtetë, siç edhe nuk është hedhur poshtë akoma nga organet përkatëse kompetente.
Kush është Ervis Martinaj?
Emri i Ervis Martinajt do të përmendej për herë të parë në kronikat e zeza në tetor të 2013-ës.
Në zonën e ‘Komunës së Parisit’ u ekzekutua Elvis Doçi një biznesmen në fushën e lojërave të fatit.
Policia në atë kohë e hetoi si të dyshuar për ngjarjen për shkak të një konflikti që kishte pasur me viktimën për lojërat e fatit, pak pas nisjes së operacionit ‘fundi i marrëzisë’ që mbylli kazinotë në vend.
Në nëntor të 2015-ës Ervis Martinaj do të shfaqej në një tjetër vrasje, këtë herë e dokumentuar me pamje filmike. Enton Nikaj ekzekutohet në zonën e Linzës, në parkingun e një restoranti të njohur.
Sherri për një borxh të pakthyer përfundoi me shkrepjen e pistoletës që i mori jetën 30-vjeçarit.
Për vrasjen u dënua Emiljano Tasho, një nga shoqëruesit e Ervis Martinaj.
Ndërkohë që fuqizonte pozitën e tij në fushën e lojërave të fatit, Martinaj do t’i shpëtonte vetë plumbave në tetor të 2018-ës në zonën e ish-Bllokut.
Ai mbeti i plagosur nga ish-komando Meviol Bilo ndërsa plumbave nuk i mbijetoi shoku i tij Fabiol Gaxha. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur rëndë edhe Eljon Hato shoqëruesi tjetër i Martinajt.
Martinaj ishte subjekt edhe i operacionit “ Forca e Ligjit”, të cilit iu kërkua vetëdeklarim i pasurisë.
Në prill të 2021-it, 40-vjeçari i lindur në Burrel por me banim në Fushë-Kuqe dhe Tiranë, u dënua nga Gjykata e Tiranës me gjykim të shkurtuar me 3,8 vite burg.
Ai u shpall fajtor për akuzat e “Sigurimit të kushteve për vrasje”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikim i pasaportave, kartave të identitetit apo vizave”, dhe “Organizim ose ushtrim i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.
Rruga Press