KryesoreOpinion/Aktualitet

A është Shqipëria një ‘Narkoshtet”?!

Nga Ola Xama

Forma e komunimikimit që kryeministri Edi Rama zgjodhi në intervistën e dhënë për Rai3, ishte relativizimi i fakteve. Kjo teknikë zakonisht aplikohet në rastet kur faktet që ke përballë janë të forta dhe nuk ke prova/alibi për të distancuar veten. E kundërta do të perceptohej nëse kryeministri do të zgjidhte të priste pyetjet me krahët hapur dhe t’i kundërshtonte me transparencë e argumenta që do të rrëzonin çdo insinuim.

Nëse gazetari e krahason Shqipërinë me narkoshtetin, diskutimi duhet të ishte për raportin e punonjësve të policisë dhe krerëve të saj me krimin. A ka të përfshirë? Po prokurorë dhe gjykatës a ka të përfshirë? Po ministra dhe politikanë? A ka operacione policie të dekonspiruar dhe sa nga të arrestuarit në këto radhë janë denoncuar vetë nga autoritetet?

Kryeministri i kundërshtoi si të pabaza të dhënat për 50 mijë apartamentet bosh në Tiranë. Prisja që për këtë të kishte hapur sirtarin e kyçur të INSTAT me të dhënat e Censusit 2023, por oponenca e vetme ishin remitancat e emigrantëve dhe investimet e huaja në ndërtim, të cilat sikur të kishin 100% këtë qëllim (bashkë me kredinë bankare), shpjegojnë vetëm 40% të vlerës që ka qarkulluar nga burime formale.

U përmend si medalje dalja nga lista gri e strukturës Moneyval të Këshillit të Europës. Në vitin 2020 Shqipëria hyri në këtë listë dhe doli 6 muaj më parë. Pra në 4 vitet e fundit më shumë kemi qënë brenda, se jashtë saj! Nuk duhet harruar se elementët që shqyrtohen në këtë klasifikim kanë të bëjnë me hartimin e akteve ligjore dhe jo zbatimin e tyre.

Lexo më shumë  Flamuri i Rusisë krah atij serb në ndeshjen Serbi – Angli, analisti: Sanksionimi i Rusisë nga Evropa është i pakuptimtë!

Kontradikta më e madhe e kryeministrit në intervistë është hiperbolizimi dhe nihilizimi që i bën i rolit të tij brenda disa minutave. Nëse në takimin me Luftar Hysën kishte postin e specialistit në një stendë panairi që sqaron ligjin për kazinotë, në rastin e tenderave që marrin pronarët e mediave nuk di gjë ai por njësia e ngarkuar për procedurën. Ky diskurs është përdorur kudo: te kanabizimi, inceneratorët apo arrestimet në radhët e PS.

Emisioni i Rai3 pati rëndësi për akuzat e bëra për herë të parë nga një ish-bashkëpunëtor i afërt i kryeminsitrit për lidhje direkte të tij me bosë të krimit. Deklarata se Ergys Agasi është personi i deleguar nga Rama për kontakte me krimin e organizuar është e rëndë dhe ka nevojë të hetohet. Dyshimet përforcohen po të vihen në kontekst tentativat e dy ditëve të fundit për të zhdukur nga qarkullimi çdo lajm që ka në brendësi emrin e tij dhe për të çensuruar një qëndrim që kishte mbajtur gazetarja Klodiana Lala.

Faktet që personazhe të lidhur me botën e krimit janë kontraktorë, nënkontraktorë ose administratorë të kompanive që ndërtojnë kullat, nuk kanë nevojë për hetime të thella sepse janë përpara syve tanë. Që në Shqipëri po qarkullojnë para të pista përtej normalitetit, këtë e shpjegojnë më së miri 3 faktorë: çmimet rriten por apartamentet janë bosh, popullsia ulet, por kërkesa për të ndërtuar është e lartë dhe valutat janë fundosur pa ndodhur asnjë mrekulli ekonomike.

Lexo më shumë  Kosova, në mesin e 80 vendeve që mbështetën integritetin territorial të Ukrainës

E ndërsa kullat kanë vërshuar, në krahun tjetër po vërshojnë dhe paratë e shtetit te një dorë sipërmarrësish vendas, mediat e tyre dhe tek politikanë të huaj që flasin se si ka ndryshuar për mirë Shqipëria. Njëherë në dy vjet, ky arsenal injektohet për të blerë votën dhe për të ndikuar rezultatin në zgjedhje.

Hetimet e fundit kanë treguar se si grupet që porositin vrasje përdoren në fushatë dhe madje kanë arritur të zgjidhen antarë të Parlamentit, duke miratuar ligje që kanë në dorë fatin e vendit.

Ndaj nëse quhet apo jo narkoshtet ky model, nuk besoj se i intereson kujt. Ajo që na intereson të gjithëve është regresi që po pëson sistemi demokratik dhe mungesa e shpresës për të ardhmen. Nëse duam që ta ndryshojmë këtë situatë, këtë duhet ta nisim duke hequr frikën dhe duke kërkuar llogari!

Rruga Press

YouTube player