Opinion/Aktualitet

A duhet të përzihet sporti me politikën?

Shkruan Sebastian Zonja

Amerika, Britania, Australia dhe Kanadaja kanë konfirmuar bojkotin diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin. Arsyeja që ata parashtrojnë është se ka shkelje të rënda të të Drejtave të Njeriut në Kinë.

Por, në krahun tjetër, Lojëra Olimpike janë mbajtur edhe kur ishte në fuqi Hitleri. Vende të ndryshme të botës morën pjesë. Sporti është parë dhe argumentuar gjithnjë si përbashkues, pavarësisht ndasive politike. Këtë kanë argumentuar edhe diplomatët kinezë këtë të enjte. Njëjtë ka ndodhur edhe gjatë Luftës së Ftohtë mes Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, ku sporti ishte garë superfuqish.

Por këto Lojëra Olimpike Dimërore kanë sjellë debat të madh publik. Shkelja e të drejtave të njeriut në Kinë mund të marrë një përgjigje të fortë, kryesisht nga vende të Perëndimit, dhe një mekanizëm është bojkoti. Disa organizata ndërkohë kërkojnë bojkot total. Për shembull, amerikanët kanë ngritur problemin e ujgurëve myslimanë që jetojnë në Kinë dhe që janë mbyllur nëpër kampe gjigante përqëndrimi.

Lexo më shumë  Pentagoni thotë se do të ‘shpejtojë’ dërgimin e raketave Patriot në Ukrainë

Si do të zgjidhej ndryshe problemi i kësaj etnie nga komuniteti ndërkombëtar, kur aktorët nuk kanë influencë në politikat e brendshme të Kinës?

Në krahun tjetër, Kina është vend sovran dhe përcakton vetë rendin që kërkon të zbatojë me qytetarët e saj. Disa të ashtuquajtur sovranistë kanë më shumë prirje të pranojnë politikat ruse dhe kineze në rendin ndërkombëtar, teksa kënaqen me gërryerjen e legjitimitetit të OKB-së, FMN-së, BB-së, OBSH-së… Këta janë anti-amerikanët, nëse doni që t’i dalloni.

Pikërisht mbi premisën e shkeljes së të drejtave të njeriut, Amerika nuk legjitimon qeverinë e re talebane në Afganistan, sepse ka rekorde të forta në shkeljen e të drejtave të grave dhe të homoseksualëve.

Rendi ndërkombëtar që kërkon të forcojë Amerika mbron homoseksualët dhe gratë nga talebanët, siç mbron edhe myslimanët nga pushteti represiv në Kinë.

Lexo më shumë  “Kursi më i vështirë i ushtrisë, stërviten deri në rraskapitje”, oficeri i FSK-së përfundon me sukses trajnimin Ranger në ShBA

Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit janë rast interesant për vendin tonë që të shihet a do të mbajmë anën e BE-së apo të ShBA-së. Deri më tani, në votimet që janë bërë në OKB, ne kemi mbajtur më shumë anën e BE-së se atë të ShBA-së. Një burim nga ministria e Jashtme me thoshte se jemi diku 65 % në favor të BE-së.

Sa i përket Kinës, kancelari i ri gjerman Olaf Scholz do të thoshte pak ditë më parë se do të ndjekim një politikë të kujdesshme duke parë edhe kontekstin ndërkombëtar. Përgjigje diplomatike as mish, as peshk.

Le të shohim çfarë zgjedhje do të bëjmë ne, teksa tensionet shtohen. A do t’i bashkohemi vendimit të një Europe që ka mbyllur dyert për zgjerim dhe dembele në bisedimet Prishtinë – Beograd, apo Amerikës dhe Britanisë që kanë ndërtuar arkitekturën e sigurisë në Ballkan dhe na dhanë pavarësinë e Kosovës?

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *