KryesoreOpinion/Aktualitet

A do ta riparojë Kina dëmin e skandalit të rëndë diplomatik të ambasadorit të saj në Paris?

Nga Shaban Murati

Që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës në 1 tetor 1949 historia diplomatike dhe e marrëdhëneve ndërkombëtare të Kinës nuk ka patur skandal më të madh diplomatik dhe dëm më të madh shkaktuar reputacionit ndërkombëtar të saj se sa ai i ambasadorit kinez në Paris, Lu Shaye, në 21 prill 2023. Në një intervistë me stacionin televiziv francez “LCITV” ambasasori kinez deklaroi tekstualisht: ”Ish-repubikat sovjetike nuk kanë një status efektiv në ligjin ndërkombëar, sepse nuk ka patur marrëveshje ndërkombëtare që të materializojë statusin e tyre si vende sovrane”.

Ishte një bombë e paparë diplomatike, ku përfaqësuesi diplomatik i presidentit kinez dhe i shtetit kinez në Francë publikisht mohonte sovranitetin dhe statusin e pavarur të 14 shteteve, që kanë dalë nga ish- Bashkimi Sovjetik.

Kjo përbënte një skandal të pashoq diplomatik, sepse mohonte realitetet politike dhe diplomatike të historisë moderne të marrëdhënieve ndërkombëtare, godiste interesat ekzistenciale të shumë shteteve sovrane, dhe ishte një devijim skandaloz nga politika e deritanishme zyrtare e Kinës ndaj shteteve në fjalë dhe ndaj sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ambasadori i një shteti anëtar i përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB vinte në dyshim në mes të Europës sovranitetin dhe statusin e pavarur të shteteve anëtare të OKB dhe të drejtën e tyre jetike si subjekte të së drejtës ndërkombëtare, dhe hidhte në erë gjitha parimet e bashkëekzistencës paqësore, të respektit reciprok dhe të barazisë së shteteve dhe të popujve, të cilat Kina i ka pasur si flamur të politikës së saj të jashtëme që nga themelimi i saj.

14 shtetet ish-republika sovjetike, të krijuar pas prishjes së Bashkimit Sovjetik, e sanksionuan statusin e shteteve të pavarura me nënshkrimin bashkë me Rusinë të një marrëveshje ndërkombëtare midis tyre në 25 dhjetor 1991 në Alma Ata, kur ata të gjithë ranë dakord që Bashkimi Sovjetik nuk ekzistonte më dhe se çdo republikë përbërëse e tij fitonte të drejtën e statusit të shtetit të pavarur.

Të gjithë ata shtete ish-republika sovjetike ranë dakord me kriterin themelor, që shtete e reja krijoheshin dhe njiheshin në kufijtë, që kishin në formatin e republikave sovjetik. Të 14 shtetet ish-republika sovjetike janë anëtare të OKB, që përbën sanksionimin në shkallën më të lartë të subjektivitetit ndërkombëtar të një shteti.

Të gjitha ato shtete të reja janë pranuar në OKB me votën e Kinës si anëtare e përhershme e KS të OKB. Të 14 shtetet ish-republika sovjetike janë anëtare të OSBE. Me të 14 shtetet ish-republika sovjetike Kina ka vendosur marrëdhënie diplomatike dhe mban ambasada, pra i ka njohur dhe i pranuar si shtete të pavarura.

Ndaj absurditeti i pretendimit të ambasadorit kinez, që befas rrëzonte sovranitetin e atyre shteteve, ishte një rrufe diplomatike në mes të qetësisë qiellore klasike të diplokmacisë kineze. Përçartjet diplomatike të ambasadorit kinez janë kaq absurde, sa që as edhe një ambasador i Rusisë, që nga prishja e Bashkimit Sovjetik e deri më sot, nuk ka guxuar të fantazojë e të deklarojë se 14 shtetet ish-republika sovjetike nuk kanë statusin e shtetit të pavarur.

Kremlini vërtet ka ambicjen imperiale të rivendosjes së sferës së tij të influencës në të ashtuquajturat “hapësira postsovjetike”, ku ai përfshin shtetet ish- republika sovjetikë, por kurrë Kremlini dhe ambasadorët e tij nuk kanë kapërxyer ylberin e logjikës për të deklaruar se nuk njohin statusin e shtetit të pavarur për 14 shtetet ish-republika sovjetike.

Ndaj është e jashtëzakonshme stuhia e reagimeve zyrtare negative të qeverive dhe të diplomacive të vendeve europiane dhe atyre ish-republika sovjetike kundër këtij skandali unik diplomatik të ambasadorit kinez. “CNN” njoftonte në 24 prill se vendet europiane po kërkojnë përgjigje nga Pekini. Ministria e jashtme e Francës reagoi në 24 prill me një deklaratë, ku thekson se “është e papranueshme të vesh në dyshim respektin për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të të gjitha shteteve, parimet bazë të Kartës së OKB.

Lexo më shumë  Qeveria iu ndan komunave 15 milionë euro për t’i mbuluar pagat në arsim

E gjithë bashkësia ndërkombëtare, përshirë edhe RP të Kinës, kanë njohur në kufijtë e tyre ekzistues të 15 shtetet, që fituan apo rikthyen pavarësinë e tyre pas prishjes së Bashkimit Sovjetik”. Ministritë e jashtme të shteteve pribaltike, Estonisë, Lituanisë dhe Letonisë, protestuan ashpër dhe thirrën në ministritë e e jashtme përkatëse ambasadorët kinezë të akredituar në ato vende.

Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme të BE, Joseph Borrell, deklaroi në 24 prill se “deklaratat e ambasadorit të Kinës në Francë, i cili vuri në dyshim sovranitetin e vendeve, që u bënë të pavarura pas rënies së Bashkimit Sovjetik në 19991, janë të papranueshme”. Reaguan me forcë Gjermania, Italia, Republika Çeke, Moldavia, etj.

Në 24 prill një grup prej 80 deputetësh të parlamentit europian i dërguan një letër ministres së jashtme franceze, Catherine Kolonna, ku i kërkojnë qeverisë franceze që ta shpallë “persona non grata” ambasadorin e Kinës në Paris, sepse “delaratat e tij kanë dhunuar ligjin ndërkombëtar dhe duhen parë si kërcënim kundër sigurisë së vendeve europiane partnere të Francës”.

Ukraina reagoi veçanërisht ashpër, sepse ambasadori kinez në Francë, përveç mohimit të statusit të shtetit të pavarur për të bashkë me ish- repubikat e tjera sovjetike, doli hapur në përkrahje të aneksimit rus të Krimesë dhe propagandoi narrativën false të Rusisë agresore se Krimea ka qenë e Rusisë, por Hrushovi ia dha atë Ukrainës. Ambasadori kinez mohon integritetin territorial të Ukrainës, e cila është pavarësuar në vitin 1991 me kufijtë, që përfshinin edhe Krimenë.

Rusia e njohu Ukrainën si shet i pavarur, vendosi marrëdhënie diplomatike dhe nënshkroi edhe Traktat dypalësh Miqësie me të, me Krimenë si pjesë e territorit ukrainas. Kina vendosi marrëdhënie diplomatike me Ukrainën, duke e njohur në kufijtë e saj shtetërorë me Krimenë brenda saj. Tani del ambasadori kinez në Paris dhe mbron aneksimin e dhunshëm të Krimesë nga Rusia me agesion ushtarak.

Ambasadori kinez mbron shkeljen e parimit të paprekshmërisë së kufjve të shteteve anëtare të OKB, parim ndër kryesorët e Kartës së OKB.

Përçartjet allasovjetike të ambasadorit kinez u mirëpritën vetëm në Rusi, por edhe atje nuk guxuan të shkojnë deri tek absurdi i ambasadorit kinez për mohimin e sovranitetit të 14 shteteve ish-republika sovjetike. Në 23 prill deputeti i Dumës Ruse, Dmitri Belik, i deklaroi gazetës “Pravda” se deklaratat e ambasadorit të Kinës “janë një dush i ftohtë për kokat e nxehta të Perëndimit”. Gazeta kineze  “South China Morning Post” shkruante në 23 prill se “ajo që tha ambasadori kinez” është muzikë për veshët e Vladimit Putinit”.

Skandali i paparë diplomatik i ambasadorit kinez në Francë ishtë një goditje e madhe për interesat e shumë shteteve të pavarura dhe për normalitetin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Por duhet theksuar se ambasadori shkaktoi një dëm të pallogaritshëm për vetë interesat ndërkombëtare të Kinës. Ministria e jashtme e Kinës bëri mirë që reagoi me shpejtësi dhe në 24 prll nëpërmjet zëdhënëses së  MPJ i përgënjeshtroi qendrimet e përçartura të ambasadorit të saj në Francë. Zëdhënësja e MPJ të Kinës, Mao Ning, deklaroi në konferencë shtypi në 24 prill:

“Pas prishjes së Bashkimt Sovjetik, Kina është një nga vendet e para, që vendosi marrëdhënie diplomatike me shtetete ish-republika sovjetike. Kina respekton statusin e ish-republikave sovjetike si shtete sovrane. Bashkimi Sovjetik ishte subjekt i ligjit ndërkombëtar, por kjo nuk mohon  statusin e republikave si shtete sovrane pas prishjes së Bashkimit Sovjetik. Ukraina është shtet anëtar me të drejta të plota i OKB dhe vetëm shtetet sovrane mund të bëhen anëtare të saj: Këto janë qendrimet zyrtare të qeverisë kineze”.

Lexo më shumë  Stërnipi i Ismail Qemalit urim të veçantë për Ditën e Pavarësisë

Ministria e jashtëme e Kinës urdhëroi ambasadën e saj në Paris që të hiqte menjëherë nga faqja zyrtare e ambasadës deklarimet alogjike të ambasadorit të saj, sepse ambasadori me mendjelehtësi i kishte vendosur përçartjet e tij diplomatike edhe në faqen zyrtare të ambasadës.

Edhe vetë drejtuesit e MPJ të Kinës besoj se e kanë të qartë se dëmi i shkaktuar nga skandali diplomatik i ambasadorit kinez nuk riparohet menjëherë vetëm me një përgënjeshtrim të zëdhënëses së  MPJ të Kinës. Vraga e plagës së atij skandali hyri dhe do të mbetet në memorien shtetërore të shteteve të prekura, në marrëdheniet dypalëshe të Kinës me to dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Nuk ka ende informacion nëse Kina ka udhëzuar ambasadorët e saj të akredituar në vendet e prekura për të kërkuar ndjesë dhe për të shpjeguar qendrimet e saj parimore.

Mendoj se në MPJ të Kinës e kuptojnë se vazhdimi i metejshëm i mandatit të ambasadorit të tyre në Francë është i papajtueshëm me riparimin e dëmit të shkaktuar për reputacionin ndërkombëtar të Kinës. Nuk mund të kalohet kjo situatë e rëndë diplomatike me përrallat naive të ambasadës kineze në Paris, e cila në 24 prill dili me argumentin qesharak se deklarimet e ambasadorit janë opinione personale të tij, sikur ambasadori u thirr në interviste si një nga 1, 4  miliard qytetarët kinezë dhe jo si ambasador i qeverisë dhe i shtetit kinez në Francë, dhe sikur ai i ka thënë atë deklarime brenda mureve të shtëpisë me gruan e vet.

Ka një enigmë në këtë zallamahi diplomaitke lidhur me dyshimet se në cilin grup interesi në diplomacinë kineze, në qeverinë kineze dhe në partinë komuniste kineze  bën pjesë ambasadori kinez në Paris, përderisa në 24 prill, edhe pas përgënjeshtrimit zyrtar të qendrimeve të ambasadorit nga zëdhënësja e MPJ të Kinës, gazeta kineze “Globak Times” i dilte në krah ambasadorit kinez në Paris dhe bënte thirrjen “ne duhet ta mbrojmë atë”.

Tre shtete të pavarura ish-repubilka sovjetike janë anëtare të BE dhe të NATO-s. Pra janë prekur marrëdhëniet e Kinës me BE dhe me NATO-n. Janë dëmtuar shumë përpjekjet diplomatike dhe politike të Kinës për një plan paqeje në luftën e Rusisë me Ukrainën, sepse deklaratat e ambasadorit kinez e zeruan vullnetin e mirë të Pekinit. Dy shtete të pavarura ish-republika sovjetike janë shtete kandidate në BE.

Tre shtete të pavarura ish-republika sovjetike janë shtete kufitare me Kinën dhe deklaratat e ambasadorit çvleftësuan politikën e fqinjësisë së mirë, që profeson Kina. Sekretari i shtypit i MPJ të Kazakistanit, Ajbek Smadijarov, në 24 prill i kujtoi ambasadorit kinez në Paris se pas shpalljes së pavarësisë në dhjetor 1991, Kina ishte një nga të parët që njohu pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të vendt tonë dhe Kazakistani u anëtarësua në OKB në 1992 edhe me rekomandimin e Kinës.

Por një drithërimë diplomatike e shkaktoi ambasadori kinez edhe në Ballkan, sepse për analogji, me logjikën e tij as shtetet e pavarura që kanë qenë republika ish-jugosllave, nuk kanë sovranitet dhe subjektivitet ndërkombëtar.

Kina do të bënte mirë që në stilin e saj të qetë dhe pa zhurmë ta tërhiqte ambasadorin e saj në Francë dhe ta caktonte në arkivat e saj, ku do të kishte mundësi të mësonte nga dokumentat dhe materialet ndryshimet e pakthyeshme historike, që sollën krjimin e shteteve të reja pas shembjes së perandorisë komuniste sovjetike dhe që sot janë anëtare të OKB./DITA

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *