Art & Kulturë

Naim Frashëri, bilbil i “gjuhës së kënduar”

Nga: Vasil S. Tole

Mendoj se shkrimtari ynë i shquar Naim Frashëri (1846-1900) i përket më shumë se çdokush tjetër grupimit të shkrimtarëve, të cilët mund t’i quajmë “shkrimtarët e gjuhës së kënduar të bilbilit”. Nisur nga origjina e tyre përmetare, ku gjuha dhe fjala e vërtetë gjendet e trupëzuar me trashëgiminë këndimore iso-polifonike dhe në mjedisin natyror të kësaj zone të Shqipërisë, tek ta gjejmë të zbatuar këshillën që Konica jua kujtone vazhdimisht shkrimtarëve tek copa letrare “Ca këshilla mbi artin e shkrimit”, kur u thoshte që ç’do fjalë e shkruar e gjuhës amtare që ka një tingëllim të ëmbël, dhe kur të shkruhet duhet të tingëllojë si një copë muzike”.

Ky perceptim i qënies së shkrimtarit në shek. XX, si një lloj bardi-rapsodi pa instrument, lidhet ë së pari me forcën e gjallë të traditës popullore e cila reflektonte ende për intelektualët e fjalës, atë realitet mijëravjeçar ku vjershëtori-këngëtari dhe valltari ishin një njeri i vetëm. Pra, përmes unitetit të fjalës-muzikës dhe lëvizjes si një e vetme, në një lloj kuptimi arti tradicional kërkonte nga arti i kultivuar, që ta respektonte këtë fakt, që në thelb është identitet dhe një strukturë artistike dhe filozofike të menduari dhe të vepruari.

Në fakt, gati i gjithë korpusi kryesor i shkrimtarëve tanë të traditës pas Naim Frashërit kanë evidentuar në poezitë e tyre muzikën si art hyjnor dhe bilbilin si zog këngëtar. Naim Frashëri me dy poezi për bilbilin, Ndre Mjeda me poezinë “Vaji i bylbylit”, Asdreni me poezinë “Këndona bilbil”, Hil Mosi me veprën letrare “Kanga e bylbulit”, Nonda Bulka me “Kur qan e qesh bilbili”, “Bota siç ish kur qante e qeshte bilbili”, “Bilbili ka kujt t’i këndojë” etj. Mund të themi se në veprën e tij, Naim Frashëri krijoi përmes bilbilit, kultin simbolik të muzikës.

Një zë tjatër tani dëgjonj!
Që zëmrënë m’a përvëlëon!
U-doqçë, më s’munt të duronj!
Bilbili ka zën’ e këndon !

Pikërisht këtu, në referencën ndaj bilbilit si zog-këngëtar, ose më saktë si “vjershëtori këngëdlirë”, gjejmë të pasqyruar edhe orientimin e Naim Frashërit për ta konceptuar artin e letërsisë të krijuar më shumë nga një vjershëtor që shkruan një gjuhë të kënduar, pra këngë, se sa një vjershëtor që shkruan thjesht vargje! Po pse është kaq i fortë kulti i bilbilit në Shqipërinë e Jugut, e posaçërisht në Frashër të Përmetit?

1. Çfarë përfaqëson bilbili si zog këngëtar: Pa as më të voglin dyshim, bilbili për Naimin është sinonim me këngëtarin. Sipas tij vetëm bilbili këndon ndërsa gjithë zogjtë e tjerë cicërijnë ose flasin fjalë, pasi vetëm bilbili klasifikohet si “zogu i parë”. Ndërkohë që “Kënga jote (e bilbilit-shënimi ynë) s’ka të sharë”, cicërima e zogjve të tjerë duket se është përpjekje për të kënduar dhe jo vetë një akt këngëtimi i pastër, pra rrjedhimisht ajo klasifikohet si një lloj “paramuzike”.

Se nga dëgjonet thëllëza/Që thotë tri katër fjalë,
Nëpër brinj’ e nëpër rrëza,/Dhe deti ka pakë valë.

Në krijimtarinë e Naim Frashërit “zogjtë vjershëkëndonjës” dhe “bota e zogjvet me të ëmblat ligjërime” janë një realitet i tërë. Në të “shpesët që fluturojnë”/Edhe këngëra këndojnë” ; kurse “shpesët e mizatë këndojnë, e kuajtë hingëllijnë”.

2. Ku këndon bilbili: Sipas opinioneve më të përhapura bilbili këndon në baçe, në pyll, në hurma, në limon, në ftonj, në fushë, në mal etj,. Lidhur me këngëtimin e tij thuhet se ai dëgjohet herët në mëngjes, pranë vendeve të freskëta dhe me ujë. Ndonjëherë këngëtimi dëgjohet pasi bëhet natë dhe bie hënëza. Në pikëpamjë të kohës kulminacionin e këngëtimit të tij e konstatojmë në harkun kur dëbora shkrin dhe behari vjen. Kështu shkruan edhe Naimi:

Maji ka sjellë nga Zoti,Shumë bekim e urata,
Është xbukuruar moti, Dhe n’ar’ është veshur nata.

3. Si dhe çfarë këndon bilbili: Sipas Naim Frashërit: “bilbili këndon me ëmbëlsirë”. Duke qënë i përveçëm ai këndon, ashtu si dhe këngëtarët popullorë, në gjini muzikore të specifikuara në llojin e tyre. Për popullin bilbili këndon avaze, këngë, vajtime, melodi, kuje, etj. Ngelet për t’u parë më tej, semantika që të ofrojnë këto gjini popullore tek stilemat muzikore të bilbilit, e në mënyrë të veçantë hulumtimin dhe studimin e aparatit krijues të muziktarit popullor i cili si në praktikën e mjedisit e po ashtu edhe në krijimin popullor arrin të diferencojë dhe të shprehë qartë veprimin, kur p.sh bilbili këndon këngën nga avazi, apo ndryshimin e melodisë nga kuja etj,. Thuhet se bilbili nuk shikohet kur këndon dhe se siç ka zërin nuk ka pamjen. Për shkak të mjeshtërisë së këndimit të bilbilit, gjithë krijimet e zërit të tij, quhen “të bilbiluara”.

O bilbil! e di se ç’dua/Andaj zëri i bukur yt,
M’a dogji shpirtinë mua/Edhe gjumë s’më hyn në sy t!

4. Me kë këndon bilbili: Bilbili këndon kryesisht vetëm, si dhe me zogjtë, me thëllëzat, me bilbilë të tjerë, me qyqen, etj. Në të gjitha rastet kur këndon me zogj të tjerë, bilbili është gjithmonë solisti i parë, ç’ka do të thotë se ai udhëheq, dirigjon të gjithë të tjerët me zërin e tij.

Qiej, yj e dhe, pushoni/Tani juve kush u dëgjon,
Vini veshn edhe dëgjoni/Bilbili, bilbili këndon.

5. Bilbili si këngëtar: Kjo është tipologjia më e përhapur dhe më shpesh e hasur, që lidhet jo thjesht me transferimin e emrit në të tjera ambjente, sesa me vetitë karakteristike të tij. Rëndom në të gjithë jugun, për shkak të vështirësive të stilemave melodike që këngëtarët popullore duhet të përballojnë gjatë interpretimit të pjesës muzikore popullore, apo për faktin që ata ishin më të zgjedhurit ndër mes të të gjithë këngëtarëve të tjerë, këngëtarët që marrin linjën kryesore melodike (marrësit), janë thirrur gjithmonë prej popullit “bilbila”, kjo e vlefshme si për këngëtarët meshkuj, ashtu edhe për femrat. Zakonisht për ta përdoret shprehja “është bilbil nga goja”, e cila gjendet më rrallë për të portretizuar muziktarët popullore që luajnë në vegla popullore. Superlativi i bilbilit është “birbil gjyzari”.

Ka një fjalë shumë të veçantë në fjalësin e muzikës popullore shqiptare që është fjala: shpërkëndonj. Kuptimi i parë i saj është çkëndonj, ose kthej prapë atë që kam kënduar, ç’them atë që them! Por, nuk duhet nxituar për ta marrë atë si një fjalë të thjeshtë. Më shumë se shprehje e kthimit në gjendjen e mëparshme të diçkaje, kjo fjalë duket se është një fjalë – simbol për të treguar mekanizmin ndryshimor të gjuhës shqipe të kënduar, për t’u pasuruar me fjalë dhe kuptime të reja, përmes procesit të këndimit dhe çkëndimit të tyre. Për shkak të parimit fonetik të gjuhës shqipe, a nuk është po fjala këndoj, aq shumë e përdorur nga rilindasit shqiptarë, çelësi për të kuptuar se pse shqiptarët e perceptojnë gjuhën dhe fjalët e saj si të kënduar dhe jo si të lexuar?

A nuk ishte Naim Frashëri, i cili përveçse shkroi: Pa qasuni të këndojmë/ se na plasi buz’ e shkretë, i titulloi abetaret e tij:

“Këndonjëtoreja I, II, e këndimit çunavet” si shprehje e qartë dhe e dukshme e gjuhës së kënduar!? A nuk ishte përsëri Naim Frashëri, i cili i fillonte vjershat e tij me fjalët: do të këndonj …. bukurinë ose dashurinë, mëmëdhenë etj? A nuk është kjo fjalë një simbol i gjuhës së kënduar dhe i ndikimit të ndërsjelltë mes muzikës si tingull dhe fjalës së kënduar?

Më së fundi, në llojin e tyre, shkrimtarët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në gjallimin e konceptit mbi muzikën si pjesë e kulturës në përgjithësi dhe e asaj kombëtare në mënyrë të veçantë. Kuptohet që detyra e tyre nuk është e njëjtë me detyrën e profesionistit të muzikës, por thjesht një detyrim që mund të lindë nga shtrati i përbashkët i këtyre dy arteve, nga vetëdija e njëjtë e trashëguar nga folk-etnosi, si dhe nga veçoritë e konceptimit të muzikës nga ana e secilit prej tyre.

RrugaPRess

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *