DW: Shqipëria dhe Kosova drejt hekurudhës Durrës-Prishtinë
Për qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, hekurudha e planifikuar Durrës-Prishtinë ka edhe rëndësi gjeo-politike, jo vetëm ekonomike.
Shqipëria dhe Kosova do të lidhen edhe përmes linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë, në bazë të marrveshjes së nënshkruar mes dy vendeve të premten, (26.11) në Elbasan, ku u zhvillua takimi i shtatë, i përvitshëm, mes qeverive të dy vendeve.
Në këtë takim palët njoftuan që në buxhetet e dy vendeve për vitin e ardhshëm janë parashikuar fondet për kryerjen e fizibilitetit të ndërtimit të kësaj hekurudhe, gjë që konsiderohet si fillimi i punimeve për ndërtimin e saj. Krahas marrëveshjes për hekurudhën Durrës-Prishtinë, në takimin e Elbasanit u nënshkruan edhe 12 marrëveshje të tjera që kanë të bëjnë me lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve në të dyja anët e kufirit, marrjen e lejeve të qëndrimit dhe të punës, hapjen e pikës kufitare në Shishtavec, (Kukës), shkurtimin e ndërsjelltë të procedurave për njohjen e diplomave dhe gradave shkencore.
Hekurudha Durrës-Prishtinë me rëndësi gjeo-politike
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në Elbasan se linja hekurudhore Durrës- Prishtinë “është sa e një rëndësie ekonomike po aq edhe gjeopolitike, pasi ndihmon edhe rajonin, fqinjët tanë, me të cilët kemi të kaluar të përbashkët, por edhe do të ndajmë të ardhmen”. Hekurudha Durrës-Prishtinë krijon mundësi edhe për përfshirjen e Mali të Zi pasi projekti parashikon që ajo të kalojë nga Durrësi në Tivar dhe që andej në Prishtinë, duke e bërë kryeqytetim e Kosovës një qendër të linjave hekurudhore rajonale.
Sipas marrëveshjeve të nënshkruara në Elbasan mes dy qeverive banorët e zonave kufitare brenda 30 kilometrash në të dyja anët e kufirit, kanë të drejtë të lëvizin dhe punojnë pa patur leje pune dhe pa kryer procedura kalimi nga njëra anë e kufirit në tjetrën si edhe të marrin leje qëndrimi pesë vjeꞔare me procedura të përshpejtuara.
Ndër 13 marrëveshjet e nënshkruara të premten në Elbasan përfshihet edhe ajo e njohjes së ndërsjelltë të kontributeve për pensione.
Shqipëria dhe Kosova me një abetare unike
Kryeministri Rama publikoi në takimin mes dy qeverive në Elbasan një zhvillim të rëndësishëm në hapjen e dy vendeve ndaj njëri- tjetrit: përdorimin në vitin e ardhshëm, 2022 të së njëjtës abetare për të mësuar shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe. Ai tha se abetarja e përbashkët që të do të përdoret në Shqipëri dhe Kosovë mund të shtrihet edhe në hapësira të tjera ku fëmijët mësojnë të shkruajnë dhe lexojnë shqipen.
Marrëveshjet e arritura në takimin mes dy qeverive në Elbasan duket se po shënojnë konkretizim të rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve fqinjë. Të dyja palët kanë risjellë në vëmendje së qëndrimet e ndryshme ndaj nismës “Ballkan i hapur” nuk përbëjnë pengesë për rritjen e bashkëpunimit dy palësh. Kryeministri i Kosovës, Kurti e cilësoi hapjen e Shqipërisë dhe Kosovës ndaj njëra tjetrës ”me shpejtësi”. “Gjithçka tjetër, në rastin më të mirë mbetet e dorës së dytë, ” theksoi ai.
Kryeministri Rama vuri në dukje që qëndrimet e ndryshme lidhur me nismën “Ballkani i hapur” nuk përbëjnë pengesë” që të vendosim të bëjmë së bashku gjërat e duhura në funksion të së ardhmes së dy vendeve tona.”
RRUGAPRESS