Senati konfirmon Jeffrey Hovenierin si ambasador amerikan në Kosovë
Senati amerikan ka konfirmuar diplomatin Jeffrey Hovenier për të shërbyer në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Hovenier, u emërua në për këtë post në muajin korrik nga presidenti Joe Biden.
Ai ka shërbyer së fundmi si zëvendësambasador i Shteteve të Bashkuara në Ankara të Turqisë. Më herët, ai ishte zëvendës shef në detyrë i Misionit dhe ministër këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën amerikane në Berlin. Ka shërbyer gjithashtu në misionet amerikane në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru; në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Ai ka përvojë në Kosovë, pasi ka shërbyer në ekipin e të Dërguarit të Posaçëm të OKB për statusin politik, Martti Ahtisaari.
Ai tha se do të punojë për të çuar përpara mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për një Kosovë sovrane dhe demokratike dhe do të mbështesë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Zoti Hovenier do të zëvendësojë ambasadorin Philip S. Kosnett, i cili u emërua nga ish-Presidenti Donald Trump në korrik të vitit 2018, u konfirmua nga Senati në shtator dhe filloi detyrën si ambasadori i pestë amerikan në Republikën e Kosovës në dhjetor të atij viti.