Art & Kulturë

Kroaci/ Pacienti i doktor Fojdit flet shqip

Premiera e shfaqjes së Pacientit të doktor Frojdit, e regjisuar sipas veprës së shkrimtarit kroat Miro Gavran, interpretuar në gjuhën shqipe në sallën e teatrit “Mala Scena” të Zagrebit, është shembulli më i mirë i bashkëpunimit kulturor midis dy shteteve Kroacisë e Shqipërisë. Vepra e Gavranit, “Pacijenti i doktor Frojdit”, në shprehje është groteske e cila merret me takimin e Adolf Hitlerit dhe të fejuarës së tij me psikoanalistin e famshëm Sigmund Frojd, se mund të zgjidhin problemin e tyre të komunikimit seksual. Gjatë seancës, Hitleri ekspozon frustrimet e tij që do të rezultojnë në gjakderdhje në Luftën e Dytë Botërore.

Vepra u përkthye në shqip nga Kastriot Çipi, ndërsa shfaqja u realizua nga regjisori i njohur shqiptar Besnik Bisha. Interpretojnë Anila Bisha, Leonard Hamitaj, një aktor shqiptar me banim në Zagreb dhe Neritan Liçaj. Premiera u mbajt në produksionin e Shoqatës Teatrore Shqiptare në Kroaci, “Mërgimtari”, me rastin e Ditës së Teatrit Shqiptar në Diasporë. Kjo shfaqje ishte e pazakontë në atë që publiku pati mundësinë mbas shfaqjes në konferencën për mediat dhe publikun, t’i bënte pyetje regjisorit Bisha, shkrimtarit Gavran dhe aktorëve.

Fjala e autorit Miro Gavran:

– Jam shumë i lumtur që e shikoj këtë shfaqje, mendoj se edhe regjisori edhe aktorët dhanë maksimumin dhe u krijua një shfaqje e mrekullueshme. Ky tekst deri tani ka pasur 17 shfaqje në një duzinë vendesh, por kjo shfaqje është disi e veçantë, është më shumë dramatike se sa komike. Mendoj se edhe aktorja edhe të dy aktorët janë një zgjedhje e shkëlqyer për rolet për këtë shfaqje. Ata treguan një talent të veçantë dhe regjisori arriti të jepte një shfaqje që ka ngjyrën, shijen dhe aromën e saj, që është më e rëndësishmja. Ishte kënaqësi ta dëgjoja në shqip. Deri më tani kam pasur rreth pesëmbëdhjetë premiera në shqip në Tiranë, Prishtinë, Preshevë…, por është kënaqësi e madhe të dëgjoj një dramë në shqip në qytetin tim – tha Gavran.

Bisha falënderoi Gavranin për këtë vepër të madhe që do të mbetet e madhe nga çdo këndvështrim. “ Puna më nxiti ta shikoja në këtë mënyrë, është shumë e rëndësishme të jesh i kujdesshëm sepse ashtu siç ishte rrezik Hitleri 80 vjet më parë, shumë ‘Hitlerë’ mund të jenë rrezik edhe sot. Shfaqja u interpretua shumë mirë dhe kushdo që e shikonte do të ndalonte dhe do të kishte kujdes për një gjë të tillë”, tha Bisha.

Një nga pyetjet e të pranishmëve ishte se sa të kënaqur ishin ata me shkëmbimin e veprave të shkrimtarëve shqiptarë dhe kroate. Sipas Bishës, është turp që ka kaq pak shkëmbime në atë formë. “Asgjë nuk do ta pengonte praninë e shfaqjeve të tilla si në shqip ashtu edhe në kroatisht. Ne njohim disa vepra të tjera të teatrit në mbarë botën, e njohim më pak njëri-tjetrin edhe pse jemi të afërt në këtë rajon. Ne kemi përgjegjësi ndaj vetes dhe njerëzve dhe asgjë nuk e pengon Ministrinë e Kulturës apo ndonjë institucion tjetër të përpiqet të punojë në të” tha Bisha.

Gavran tha se ishte i lumtur kur po zhvillohej shkëmbimi kulturor dhe falënderoi ambasadorin maqedonas në Kroaci që e ndihmoi të sillte libra të botuar në shqip në Shkup një vit më parë. “Munda të dhuroj romanin tim në shqip “Disa zogj një qiell”. Tre vite më parë, në “Glorius” u shfaq komedia ime e cila ishte e ftuar edhe në Gavranfestin e 10-të në Pragë, një festival i dedikuar për mua. Aktorët ishin të ftuar në Pragë, që është një formë e bukur bashkëpunimi”, thotë Gavran. Ai theksoi se këtë vit, me sugjerimin e tij, Ismail Kadare, një autor i madh shqiptar dhe autor i librit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, duhej të vinte në Zagreb për biseda letrare, por për shkak të sëmundjes dhe Covidit ai e shtyu vizitën ne minutën e fundit.

“Varet nga ne, ne artistët mund të fillojmë me ide dhe pastaj, jam i sigurt se çdo ministri, si shqiptare ashtu edhe kroate, në Maqedoni dhe Kosovë, do të ndihmojë në realizimin e projekteve. Duhet të sugjerojmë dhe më pas do të ketë gjëra më të bukura në të ardhmen. Do të isha shumë i lumtur t’i rekomandoja shtëpinë time botuese që më drejton prej 25 vitesh çdo propozim për botimin e librave në gjuhën shqipe në Kroaci”, tha Gavran.

Miro Gavran është dramaturgu kroat më i interpretuar, veprat e të cilit janë përkthyer në dyzet gjuhë. Sipas veprave të tij, më shumë se 400 premiera janë luajtur në mbarë botën.

Në audiencë ishin pjesëtarë të pakicës kombëtare shqiptare nga Zagrebi, Bjellovari, Koprivnica, Rijeka, Krka, por edhe shume kroate. Premiera u realizua me produksion te Shoqates Teatrore  Shqiptare në Kroaci “Mërgimtari”, me sponsorizimin e Këshillit për Pakicat Kombëtare të Republikës së Kroacisë, pranë Qeverise Kroate, Bashkisë së qytetit të Zagrebit, Agjencisë Kombëtare të Diasporës së Shqipërisë dhe me mbështetjen e Unionit të Shqiptarëve në Kroaci, të Bunker Film dhe organizatës Asistencë për Komunitetin në Shqipëri-ACA.

Shkrim i botuar në median online kroat nacionalnemanjine.hr

Teksti: Slavica Šarović

Foto: Slavica Šarović

Përktheu në shqip: Melita Orešković

RrugaPress

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *