31 vite nga ezani i lirisë së besimit, 16 Nëntor 1990 u rihap Xhamia e Plumbit në Shkodër për myslimanët
Ky 16 nëntor shënoi 31 vjetorin e Rihapjes së Xhamisë së Plumbit në Shkodër, ngjarje që bashkë me meshat Katolike shënuan lirinë e besimit në Zot në Shqipëri, pas gati 50 viteve përndjekje e Ateizëm.
31 vite më parë nga Xhamia e Plumbit në Shkodër, myslimanët dëgjuan ezanin e lirisë së rikthimit të besimit në Zot, 14 vite pasi Shqipëria komuniste ishte shpallur vendi i vetëm Ateist në Botë.
Në 16 nëntorin e 1990 u mbajt në mjediset e Xhamisë së Plumbit në Shkodër falja e parë që shënoi rikthimin e lirisë së besimit.
Mehdi Myftia, ishte një prej atyre qindrave myslimanëve e të krishterëve që u bënë bashkë përballë instrumenteve të regjimit që kërcënonte edhe pse ishte në grahmat e fundit.
“Tri fetë, një kënaqësi e madhe. Jemi kënaqur kur na ka ardhur dhe feja tjetër,” tha Mehdi Myftia, nismëtar i rihapjes së Xhamisë.
Hafiz Sabri Koçi, nga çatia e Xhamisë, ashtu si dom Simon Jubani që drejtoi meshën e parë katolike, kishte dalë nga terri i burgjeve komuniste.
“Vëllezër shqiptarë, sot kemi gëzimin më të madh.”
Fjalët e asaj dite kanë mbetur amanet jo vetëm për myslimanët shqiptarë.
“Na merr për dore për ta respektuar njëri-tjetrin, për ta dashur, për të respektuar liritë e njëri-tjetrit dhe dorë për dore për të kontribuar për më të mirën e vendit dhe shoqërisë.”
31 vite të rikthimit të besimit, komunitetet janë sërish bashkë por përballë sfidave të reja me të cilat përballet shoqëria shqiptare.
“Nuk duhet lejuar dhe nuk duhet toleruar në asnjë mënyrë që të preken disa shtylla të rëndësishme që mbajnë kombin, harmoninë kombëtare, harmoninë e vlerave dhe padyshim që familja është djepi kryesor ku përkundet e sotmja dhe e ardhmja,” tha Muhamed Sytari, myfti i Shkodres.
Nga ajo ditë historike në Shkodër, faltoret nisën të hapeshin anembanë Shqipërisë, ku harmonia fetare mbetet e njëjte./ora/