Art & Kulturë

Ridley Scott: Filmat “Marvel” janë të mërzitshëm

Regjisori i njohur hollywoodian, Ridley Scott, e ka treguar mendimin e tij për filmat me superheronj të cilët i quajti “shumë të mërzitshëm”, duke sugjeruar se disa nga filmat e tij ishin shembuj të shkëlqyer të këtij zhanri.

Viteve të fundit është diskutuar shpesh rreth këtij zhanri në mesin e regjizorëve hollywoodian, kjo pas sukseseve të jashtëzakonshme që projektet e bazuara në Universin Kinematik Marvel e kanë shënuar anembanë botës. Kjo ka bërë që shumë regjisor me bagazh të madh artistik të shprehen skeptik rreth vlerave të këtyre filmave, përfshirë këtu veteranët e hollywoodit, Martin Scorsese dhe Denis Villeneuve.

Duke folur për portalin “Deadline”, regjisori i filmit “House of Gucci” tha: “Filmat më të mirë drejtohen nga personazhet dhe jo nga superheronjtë, por ne mund të flasim edhe për këtë zhanër sepse e kam një mendim specifik për të. Ata janë filma shumë të mërzitshëm. Skenarët e tyre nuk janë të mirë. Mendoj se gjatë karrierës sime i kam realizuar tre filma të mirë me superheronj. Një prej tyre është “Alien” me aktoren Sigourney Weaver, tjetri është “Gladiator” me Russell Crowin dhe i fundit është “Blade Runner”, me protagonist aktorin Harrison Ford. Këta janë filma me superheronj. Prandaj, pse këto projektet e ‘Marvelit’ nuk kanë tregime më të mira? Më falni sepse u largova nga tema, por nuk kam si ta mohoj që këta filma i shpëtojnë vetëm efektet speciale. Madje edhe ato janë bërë të mërzitshme për disa persona që i përdorin vazhdimisht të njëjtat efekte”.

Fjalët e Ridley Scottit vijnë pasi regjisori i filmit “Dune”, Denis Villeneuve, vuri në pikëpyetje meritat artistike të projekteve të studios “Marvel”, duke sugjeruar se filmat e tyre ishin thjeshtë kopje e njëri-tjetrit.

“Ndoshta problemi qëndron tek fakti se po shohim shumë filma të ‘Marvelit’ që nuk janë gjë tjetër veçse një kopje e njëri-tjetrit. Ndoshta këta lloj filmash na kanë kthyer paksa në zombie… Por, sot ka shumë filma të mëdhenj, të shtrenjtë dhe me vlerë të madhe. Prandaj nuk kam si të tregohem pesimist për këtë gjë”, kishte thënë regjisori.

Kurse, Martin Scorsese në të kaluarën i kishte krahasuar këta filma me lojëra argëtuese, duke thënë se ato nuk janë projekte kinematografike.

Këtë vlerësim të regjisorit të famshëm nuk e kishte pritur edhe aq mirë krijuesi i filmave “Guardians of the Galaxy”, James Gunn, i cili deklaroi se komentet e Scorseses ishin tmerrësisht cinike.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *