Papa falenderon gazetarët që ndihmuan në ekspozimin e skandaleve seksuale të Kishës
VATIKAN, 13 nëntor (Reuters) – Papa Françesku falënderoi të shtunën gazetarët që ndihmuan në zbulimin e skandaleve të abuzimit seksual nga klerikët, që Kisha Katolike Romake fillimisht u përpoq të mbulonte.
Papa vlerësoi atë që ai e quajti “misionin” e gazetarisë dhe tha se ishte jetike që gazetarët të dilnin nga redaksitë e tyre dhe të zbulonin se çfarë po ndodhte në botën e jashtme, për të kundërshtuar dezinformatat që gjenden shpesh në internet.
“(Unë) ju falënderoj për atë që na tregoni për atë që nuk shkon në Kishë, që na ndihmoni të mos e fshijmë atë nën qilim dhe për zërin që u keni dhënë viktimave të abuzimit,” tha Papa.
Françesku po fliste në një ceremoni për të nderuar dy korrespondentë veteranë Philip Pullella i Reuters dhe Valentina Alazraki nga Noticieros Televisa e Meksikës, për karrierën e tyre të gjatë të kaluar duke mbuluar Vatikanin.
Skandalet e abuzimit seksual u bënë titujt kryesorë në vitin 2002, kur e përditshmja amerikane The Boston Globe shkruajti një seri artikujsh duke ekspozuar një model abuzimi të të miturve nga klerikët dhe një kulturë të përhapur të fshehjes brenda Kishës.
Që atëherë, skandalet kanë tronditur Kishën në një mori vendesh, më së fundi në Francë, ku një hetim i madh zbuloi në tetor se klerikët francezë kishin abuzuar seksualisht me më shumë se 200,000 fëmijë gjatë 70 viteve të fundit.
Kritikët akuzuan Françeskun se iu përgjigj shumë ngadalë skandaleve, pasi u bë Papë në vitin 2013 dhe se besonte fjalën e kolegëve të tij klerik, mbi atë të viktimave të abuzimit.
Por në vitin 2018 ai u përpoq të adresonte gabimet e së kaluarës, duke pranuar publikisht se kishte gabuar për një rast në Kili dhe duke u zotuar se Kisha nuk do të kërkonte më kurrë të mbulonte keqbërje të tilla.
Në vitin 2019 ai bëri thirrje për një “betejë të gjithanshme” kundër një krimi që duhet “të fshihet nga faqja e dheut”.
Françesku tha të shtunën se gazetarët kishin një mision “për të shpjeguar botën, për ta bërë atë më pak të errët, për t’i bërë ata që jetojnë në të më pak të kenë frikë nga ajo”.
Për ta bërë këtë, ai tha se gazetarëve u duhej të “shpëtonin nga tirania” e të qenit gjithmonë online. “Jo gjithçka mund të tregohet përmes emailit, telefonit apo ekranit”, tha ai.
© Rruga Press

