Mbledhja e Kuvendit Kombëtar të PD, Berisha dorëzon sot 4200 firmat e delegatëve
4200 firmat që kërkojnë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar pritet të dorëzohen sonte në mbrëmje në Partinë Demokratike.
Ish-kryeministri Berisha ka njoftuar një konferencë për mediat në orën 19:00, pas së cilës pritet që dosja me firmat e delegatëve të Kuvendit të dërgohen në parti.
Sali Berisha më herët gjatë foltoreve në disa qytete në vend ka njoftuar se Kuvend Kombëtar i PD do të mblidhet në 11 dhjetor.
Dy ditë më parë, nga Pogradeci ku zhvilloi ‘Foltoren’ e radhës, ish-kryeministri Sali Berisha iu drejtua Lulzim Bashës, duke thënë se më 10 nëntor dorëzohen 4200 firma të delegatëve të Kuvendit Kombëtar për të thirrur mbledhjen e këtij organi më 11 dhjetor.
“Për peng-kryetarin kam një lajm shumë të hidhur. Nesër dorëzohen 4200 firma të Kuvendit Kombëtar. I them kryetarit pa parti: përkulu përpara firmave të anëtarëve të PD sepse 4200 kanë firmosur dhe në atë Kuvend do vijnë 10 mijë të tjerë. Do jetë festa më e madhe në historinë e PD-së”, deklaroi Berisha.
Vendimi i kryetarit të PD, Lulzim Basha për të përjashtuar nga grupi parlamentar demokrat ish-liderin e kësaj partie trazoi ujërat në Partinë Demokratike.
Berisha nisi aksionin e tij politik në të gjithë vendin përmes të ashtuquajturave ‘Foltore’, ku ftoi anëtarët e PD që t’i bashkohen nismës së tij për të larguar kryetarin aktual Lulzim Basha.
LEXO EDHE:
Rruga Press