Drejtësi për Zall-Gjoçaj!-Protestë nesër në orën 8:00
Nesër në orën 8:00 banorët, aktivistët qytetarët protestojnë para Gjykatës së Apelit, ku kërkohet ndalim i HEC-eve në Zall-Gjocaj. Njoftimi i postuar në faqen Mbro Parkun Zall-Gjocaj:
Më datë 10 nëntor, Gjykata Administrative e Apelit do të shqyrtojë çështjen e Zall-Gjoçaj pa praninë e palëve. Me frikën e ‘gjykatës selektive’ e cila rrallë ka ditur të mbrojë të drejtën, komuniteti i Zall-Gjoçaj rilëshon thirrjen për drejtësi për Parkun Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”.
Ndaj, në të njëjtën ditë, në orën 08.00 në mëngjes, përpara se gjyqtarët të hyjnë brenda ndërtesës së drejtësisë, banorë e aktivistë në mbrojtje të Zall-Gjoçaj do të mblidhen përgjatë hyrjes së Gjykatës Administrative të Apelit për të kërkuar Drejtësi për Zall-Gjoçaj. Çdo zë që do të na bashkohet, do të jetë një zë më shumë për të drejtën për jetën, për ujin, për parqet kombëtare.
Të legjitimuar plotësisht, si para ligjit, dhe para natyrës, këta banorë nuk janë lodhur së kallzuari shkatërrimin që po i bën privati në bashkëpunim me shtetin Parkut Kombëtar të Zall-Gjoçaj. Prej përgjegjësisë shtetërore e deri te ndërhyrjet e firmës koncensionare, kjo zonë e shpallur Park Kombëtar po shkatërrohet: me ndërtimin e digës, marrjen e ujit, tharjes së shtratit, prerjen e pemëve, prishjen e ekosistemit, deri te zhveshja nga dëshira e 10 mijë banorëve për të jetuar në atë vend. Zgjidhja përfundimtare për këtë zonë është dhënia e drejtësisë për Zall-Gjoçaj!
Më 18 janar 2021 Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka dalë me vendim pozitiv në favor të banorëve të Zall-Gjoçaj. Kjo gjykatë vendosi të shfuqizojë vendimin e ERE-s për dhënien e licensës për prodhim të energjisë elektrike shoqërisë koncensionare “Seka Hydropower”. Si pasojë, kompania private nuk mundet të prodhojë energji nga hec-i “Zais” i ndërtuar brenda parkut kombëtar.
Ky vendim në favor të komunitetit të Zall-Gjoçaj, pas një serie procesesh gjyqësore shënoi fitoren e parë dhe të jashtëzakonshme për kauzën tonë. Por, Zall-Gjoçaj është ende në zgrip. Armata e shtetit nuk ndalet. Avokatura e Shtetit, palë me firmën koncensionare “Seka Hydropower” bashkë me ERE kanë ankimuar vendimin me qëllim që t’i hapet rruga shoqërisë private për të prodhuar energji. Seanca e datës 10 nëntor do të vendosë për fatin e parkut tonë.Ligji dhe e Drejta janë në krah të banorëve! Gjykatës i takon fjala e fundit.Bashkë për Zall-Gjoçaj!
Rruga Press