Tre besimtarë myslimanë padisin FBI-në në Gjykatën e Lartë
Në Shtetet e Bashkuara ka hapur një debat të ri padia që tre besimtarë myslimanë bënë ndaj FBI-së. Tre paditësit: Yassir Fagaza, imami i Fondacionit Islamik të Kontesë Portokalli; Ali Uddin Malik dhe Yasser Abdelrahim pretendojnë se FBI-ja dërgoi një informator në xhamitë e kontesë në vitet 2006-2007, me detyrën për të mbledhur informacion.
Ata thonë se FBI-ja e punësoi personin në fjalë, një njeri me rekorde kriminale, për t’u infiltruar në xhamitë e kontesë. Më pas, sipas paditësve, ai mblodhi informacion për komunitetin mysliman, duke filluar që nga numrat e telefonit, adresat e e-mailit dhe regjistroi biseda mes tyre në xhami.
Tre besimtarët myslimanë e cilësojnë diskriminim mbi baza fetare mbikëqyrjen nga ana e FBI-së në këtë formë.
Ndërkohë, Departamenti i Drejtësisë thotë se e udhëzoi programin e mbikëqyrjes për arsye objektive dhe jo për faktin se subjektet ishin myslimanë. Megjithatë, Departamenti i Drejtësisë refuzon të thotë se cilat ishin arsyet e supozuara dhe u ka bërë thirrje gjykatave ta refuzojnë çështjen.
Një gjykatë rrethi në Kaliforni e hodhi poshtë pretendimin e paditësve, duke pranuar argumentin e FBI-së se rrezikoheshin të zbuloheshin sekrete shtetërore.
Por Gjykata e Apelit e Rrethit të Nëntë të SHBA nuk u pajtua me këtë dhe vlerësoi se gjykata më e ulët duhej të kishte mbajtur seanca me dyer të mbyllura për të vlerësuar çdo provë sekrete.
FBI e apeloi vendimin dhe gjykata e lartë e SHBA-së ra dakord ta shqyrtojë çështjen.
Ajo do të vendosë nëse një gjykatë e qarkut mund të marrë parasysh provat e klasifikuara për të përcaktuar nëse mbikëqyrja sekrete e qeverisë është e ligjshme.
Vendimi pritet në qershor të 2022-shit.