‘Lin Delia i dëshmoi botës tmerrin komunist’, shfaqen për herë të parë në Shqipëri 25 pikturat e artistit
Shfaqen për herë të parë në Shqipëri 25 piktura të piktorit me famë botërore, Lin Delia.
Këto piktura do të qëndrojnë përgjithmonë në pinakotekën e ndërtuar pranë kishës katolike në Shkodër.
Lin Delia është i pari artist shqiptar i cili dëshmoi përmes pikturave të tij kudo në botë tmerrin e regjimit komunist, pasi arriti të largohej nga Shqipëria drejt Italisë në vitin 1948, tri vite pas instalimit të diktaturës në vendin tonë.
Arqipeshkëvi i Shkodrës Angelo Massafra, teksa foli për veprat e tij u shpreh se ky artist i madh na flet edhe sot nëpërmjet artit.
Ndërsa nipi i Lin Delisë, Tomi Delia thotë se Atdheu ishte në shpirtin e tij gjatë gjithë viteve të emigrimit, ndërsa ka treguar se një peng i madh i tij mbeti familja.
Pedagogu i arteve pamore Rubin Mandija është shprehur se në vlerat e Lin Delisë ka dy tematika, ajo fetare dhe e ajo persekucionit komunist.
Lin Delia u largua nga Shqipëria në vitin 1948 ndërsa ishte student françeskan i liceut “Ilirikum”.
Fillimisht studio në Hercegnovi të Malit të Zi, për të vijuar Akademinë e Arteve në Zagreb dhe më pas për tu vendosur në Itali, diplomuar për pikturë në Akademinë e Romës.
Në qytetin e Antrodokos në vitin 1969 krijoi Akademinë e Artit “Gjergj Fishta” dhe në vitin 1983 krijoi Akademinë e Artit “Carlo Cesi”.
Në punimet e tij ndërthuret modernia me elementin etnik shqiptar dhe ballkanik. Spikati shpejt në Romë me një sërë ekspozitash.
Lin Delia realizoi të gjitha portretet e françeskanëve të mëdhenj si Fishta, Harapi, Shllaku, Prennushi etj ndërsa ka ekspozuar në Neë York, Quebek, Mynih, Madrid, Berne e shumë e shumë qytete të tjera.
Vdiq në vitin 1994 dhe la pas qindra punime, të cilat ndodhen në muzeumet e artit nëpër Itali dhe në Vatikan dhe shtete të tjera.
Në këto 30 vite emri dhe vepra e Lin Delisë janë lënë në harresë totale edhe pse është një artist me famë botërore.
Rruga Press