LIBRI I JAVËS/ Papesha Joanë – Emanuel Roidis
-Nga hyrja e përkthyesit Romeo Çollaku
«Papesha Joanë», ndonëse titull i padëgjuar për lexuesin tonë, është një nga romanet më të rëndësishëm të letërsisë së re greke dhe, pa dyshim, më i lexuari e më i përfoluri. E shkroi një tridhjetëvjeçar nga Ishujt Ciklade dhe suferina që shkaktoi, qysh nga viti 1866 kur u botua, ende nuk është platitur. Ndërsa, deri atëherë, njihej vetëm si përkthyes i një libri të Chateaubriandit dhe si autor i disa shkrimeve të natyrës publicistike në shtyp, «Papesha Joanë» do ta dënonte Emanuel Roidisin me njohje të gjithandejshme.
Skeleti i romanit përbëhet nga gojëdhëna e papeshës Joanë, që është shumë e përhapur në Perëndim dhe që Roidisi e dëgjoi për herë të parë në Gjenovë të Italisë, kur ishte ende foshnjë. Sipas gojëdhënës, në shekullin IX arriti të ulej në fronin papnor të Vatikanit një femër, gjë që mohohet me ngulm nga Kisha Katolike dhe theksohet me fanatizëm nga një sërë historianësh. Për t’i dhënë gjallëri kësaj lënde të gatshme, Roidisi do të shkrinte gjithë dhuntitë e personalitetit të tij krijues, dhunti që, sikurse shpresojmë të vihet re nga lexuesi ynë, nuk hasen shumë dendur ndër shkrimtarë. Romani tronditi mbarë Greqinë e asaj kohe: që nga mjedisi letrar e deri tek ajo pjesë e gjindjes që shumë pak vëmendje i kushtonte letërsisë. Por më tepër kokëdhimbje i shkaktoi Kishës, e cila nuk ngurroi ta shkishëronte shkrimtarin dhe të kërkonte ndalimin e atij libri « të pamoralshëm e blasfemik», sikurse e cilësonte në qarkoren e tij Sinodi i Shenjtë. Dhe e gjithë kjo ngaqë shkrimtari mund të synonte vërtet-në radhë të parë-fshikullimin e klerit perëndimor, por edhe Kishës Ortodokse, ndërkohë, nuk ia kursente qesënditë. Duhet të themi këtu se zor të vërehet ndonjëfarë ngjashmërie thelbësore mes «Papeshës Joanë» dhe asaj kategorie librash, që, duke cingërisur ndjenjat fetare të masave, nuk kanë qëllim tjetër veçse t’u përmirësojnë jetesën autorëve të tyre, të cilët, me sa duket, nuk arrijnë të gjejnë ndonjë burim më të ndershëm të ardhurash. Këtë dukuri, që njeh në ditët tona periudhën e saj më të lulëzuar, Roidisi, me siguri, do ta kishte qëndisur me fijet më të praruara të ironisë së tij. Ai punoi shumë vite për «Papeshën Joanë», duke rrëmuar nëpër biblioteka të shumta, kryesisht të Gjermanisë e Greqisë, për të gjetur lëndën e nevojshme historike. Ndaj dhe toponimet, përshkrimet e manastireve, të dokeve dhe zakoneve mesjetare, si dhe ngjarjet historike të asaj kohe, janë dhënë me shumë saktësi prej tij.
Në ndryshim nga shkrimtarët e lartpërmendur, ky i «Papeshës Joanë» ishte një njeri i paqetë dhe romanin e vetëm të tij e lindi neveria që ndjente duke parë se, shpeshherë, rrëgjimi i vlerave shpirtërore kishte për autorë pikërisht ata që duhej të ishin mbrojtësit më besnikë të tyre. Roidisi e fillon kritikën e tij nga jeta e shthurur e manastireve, për ta shpënë shumë larg dhe, ç’është e vërteta, në ndonjë rast, edhe ai i lë mënjanë klerikët, për të marrë në shqyrtim gjer dhe corpus – in qendror të fesë së krishterë, parimet e saj, si dhe mënyrat sesi u shtri nëpër botë, duke dhënë kësisoj përshtypjen se e pikëllon vdekja e hyjnive të Olimpit. Asnjëherë nuk ka qenë gjë e lehtë për një shkrimtar t’i kundërvihet çfarëdolloj pushteti, por në Athinën e asaj kohe Roidisi duhet të jetë ndjerë, pak a shumë, si Joyce-i, më vonë, në Dublin. «Papesha Joanë» e kishte bërë vërtet mjaft të njohur në Europë (brenda tre vjetësh romanit iu bënë shtatë botime në frëngjisht , kurse në anglisht deri në fund të shekullit XIX iu bënë dy përkthime), por e kishte shpërblyer edhe me urrejtjen e bashkatdhetarëve. Ishin vitet kur Greqia luftonte për çlirimin e atyre krahinave të saj që ndodheshin ende nën zgjedhën otomane dhe, në këtë ndërmarrje, një rol kryesor e luante Kisha. Natyrisht, zekthi i krijimit nuk e lejoi shkrimtarin të respektonte nevojat politike e shoqërore të kohës.
Megjithatë, pas «Papeshës Joanë», ai do të përzihej në jetën politiko-shoqërore të Greqisë, madje do t’i përkushtohej publicistikës, duke shpërndarë shigjeta satire në të katër anët. Por, edhe në këtë fushë satira e Roidisit do të ishte aq e zgjedhur saqë, paçka se mendimet e tij binin gjithnjë ndesh me mendësinë sunduese të kohës, vetëm falë cilësisë së saj të epërme zuri të fitonte aty – këtu ndonjë përkrahës. E keqja është se temperamenti i tij prej «grindaveci», sikurse e quanin rëndom bashkëkohësit, do ta mbante peng të gazetarisë dhe dalëngadalë do ta largonte prej krijimit letrar. Vetëm andej nga fundi i jetës, do të begeniste të shkruante disa tregime, të cilët mbase nuk kanë shkëlqimin e «Papeshës Joanë», por mbeten prapëseprapë gurë të çmuar të artit të tij të rrallë.
Sidoqoftë, akti i krijimit letrar është tepër i ndërlikuar dhe, ndoshta, kanë qenë të shumtë e të natyrave të ndryshme faktorët që i diktuan Roidisit të krijonte gjithnjë e më pak. Jeta e tij nuk ishte fushë me lule dhe, veç vështirësive që i kishte hapur vetes me «Papeshën Joanë», fatkeqësitë do t’i trokisnin dendur në portë. Duke lënë mënjanë gjëmat familjare, duhet të kemi parasysh se, qysh fëmijë, ai vuante nga veshët dhe, me kalimin e viteve, do ta humbiste krejt shqisën e të dëgjuarit, çka është shumë e rëndësishme për një shkrimtar të llojit të tij; për një poet të prozës, sikundër shfaqet. Verbimi duhet të ketë qenë, në këtë drejtim, më pak i dëmshëm për Homerin, Miltonin e Borhesin – por le të mos i shmangemi qëllimit të këtyre radhëve. Veç dëgjimit, Roidisi do të humbiste edhe të folurin, pas një aksidenti rrugor (le të shpresojmë se, nga kjo e dhënë e fundit, nuk do të dalë në përfundime të gabuara ndonjë nga ata historianët tanë që kanë shprehur bindjen se gjithë rilindësit na i helmoi Kisha Ortodokse, me përjashtim të Dhaskal Todrit vrau me thikë: të paktën, në rastin e Roidisit nuk kemi të bëjmë me atentat, por kam përshtypjen se, po ta kishte hiqte qafe të parin).
Dënimin me vdekje në praktikat e saj, Kisha atë do ta «Papeshen Joanë», por edhe tregimet, Roidisi i shkroi në katharevusa, degë kjo e greqishtes së re që mbështetet në traditën e shkruar të gjuhës. Dega tjetër është demotikja, ose popullorja, e cila mbështetet në traditën e folur të greqishtes. Në kapërcyellin, siç na është bërë zakon të themi, të shekujve XIX – XX, nëpër qarqet intelektualë të Athinës, nëpër gazeta e revista letrare, tema kryesore ishte ajo e gjuhës. Përfundimisht, do të ngadhënjente e dyta, ithtarë të së cilës ishin poetët e prozatorët më të rëndësishëm grekë të asaj periudhe. Është e tepërt të themi se, edhe në këtë debat, Roidisi u përfshi mes diskutuesve më të flaktë, për të mbajtur, edhe ai, anën e demotikes, paçka se vetë shkruante në gjuhën tjetër, ngaqë, duke jetuar shumë vite jashtë Greqisë, nuk e dinte gjuhën e popullit.
* * *
Nga gjithë librat që kam lexuar deri tani, janë të paktë ata që më kanë mëdyshur si «Papesha Joanë» e Roidisit: nga njëra anë, më mrekullonte mjeshtëria e pashoqe e këtij zejtari dhe, nga ana tjetër, shqetësohesha sa herë që vija re se satira e tij nuk stepej as para gjërave më të shenjta. E lexova disa herë, derisa vendosa ta përktheja. Letërsia e vërtetë përbëhet edhe nga ata libra që bien ndesh me bindjet tona e, megjithatë, na diktohen. Tekefundit, ato që i japin «Papeshës Joanë» përmasat që ka – pra, përmasat e një kryevepre – nuk janë as kumtet e guximshëm dhe as fabula intriguese; këto do të ishin të pamjaftueshme. Emanuel Roidisi është një stilist i papërsëritshëm. Me këtë m’u diktua. Dhe mora guximin ta shtoj emrin tim në listën e gjatë të përkthyesve të tij, ku spikatin shkrimtarë si Alfred Jarry (frëngjisht, 1908) e Lawrence Durell (anglisht, 1954).
ROMEO ÇOLLAKU
Përktheu nga origjinali: Romeo Çollaku
Shtëpia botuese: Zenit Editions