Banka Botërore pezullon ndihmën pas puçit në Sudan
Banka Botërore pezulloi ndihmën e saj për Sudanin, pasi ushtria atje organizoi grushtshtet kundër Qeverisë civile.
Grushtshteti i së hënës u pasua me protesta mbarëkombëtare dhe u dënua fuqishëm nga komuniteti ndërkombëtar.
Agjencitë e lajmeve raportojnë për disa protestues të vrarë dhe të arrestuar, por konfirmime zyrtare të shifrave nuk ka.
Bashkimi Afrikan po ashtu e pezulloi Sudanin nga blloku, për shkak të, siç tha, “kapjes jokushtetuese” të pushtetit.
SHBA-ja tashmë ka ngrirë 700 milionë dollarë ndihma për këtë vend.
Ndërprerja e papritur e ndihmës ka të ngjarë të ketë pasoja të rënda mbi ekonominë e tij.
“Jam shumë i shqetësuar nga ngjarjet e fundit në Sudan dhe kam frikë nga ndikimi dramatik i tyre në rimëkëmbjen dhe zhvillimin social dhe ekonomik të vendit”, tha presidenti i Bankës Botërore, David Malpass.
Në mars, Sudani ka fituar qasjen në miliarda dollarë grante nga Banka Botërore – për herë të parë në gati 30 vjet – pasi ka shlyer detyrimet e prapambetura.
Udhëheqësi i grushtshtetit në Sudan, gjenerali Abdel Fattah Burhan, tha se veprimi ushtarak ka qenë i nevojshëm “për të shmangur luftën civile”.
Sipas tij, Sudani do të vazhdojë të lëvizë drejt demokracisë dhe zgjedhjet do të mbahen në vitin 2023.
Rruga Press