Si nisi konflikti Poloni-BE, a rrezikohet një ‘Polexit’
Tensionet midis Polonisë dhe BE-së tashmë janë intesifikuar pasi me gjithë përpjekjet e bëra nga palët duket se nuk është arritur në një kompromis.
Marrëdhëniet janë ashpërsuar në një pikë sa që po flitet për një ‘Polexit’, çka sipas analistëve dhe politikanëve do të ishte një dështim për të dyja palët.
Gjithçka ka nisur pasi Gjykata e lartë e Polonisë ka hedhur poshtë parimin e përparësisë së ligjit të BE -së mbi legjislacionin kombëtar në çështje të caktuara gjyqësore, në një sfidë të madhe ndaj kuadrit ligjor të BE -së. Gjykata Kushtetuese tha se disa nene të traktatit të BE-së ishin të papajtueshme me kushtetutën e Polonisë.
Sipas këtij ligji, gjykatësit polakë, nuk duhet të përdorin ligjin e BE-së për të vënë në dyshim pavarësinë e tyre. Ky vendim solli menjëjerë reagimin e organit ekzekutiv të BE, I cili tha se vendimi ngriti “shqetësime serioze”. Në deklaratën e tij , Komisioni Evropian tha se drejta e BE -së ka përparësi mbi të drejtën kombëtare, përfshirë dispozitat kushtetuese.
Muajin e kaluar, Komisioni i kërkoi GJED -së të vendosë gjoba ditore ndaj Polonisë për dështimin e saj për të pezulluar aktivitetet e një dhome të re të Gjykatës Supreme që ka fuqinë të sanksionojë gjyqtarët për përmbajtjen e vendimeve të tyre.
Me gjithë përpjekjet gjermano-franceze për ndërmjetësim, grindja juridike me Poloninë mbeti e pazgjidhur edhe në samitin e BE në debatet e së enjtes. Kreu i qeverisë polake, Mateusz Morawiecki u mbrojt kundër “shantazhit”, sipas tij nga BE. Komisioni Europian nga ana tjetër ka vendosur të mbajë të bllokuara ndihmat miliarda dollarëshe të përcaktuara për Poloninë për rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë. Në samit vende si Belgjika, Holanda e Austria ushtruan presion ndaj qeverisë së Polonisë që të tërheqë reformat e kontestuara të drejtësisë.
Udhëheqësit evropianë u rreshtuan për të ndëshkuar Varshavën të enjten për sfidimin e themeleve ligjore të BE-së, por kryeministri i Polonisë tha se nuk do t’i përulej “shantazheve” ndërsa iu bashkua samitit të 27 vendeve të bllokut.
Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli ishte i ashpër në qëndrimin e tij të mërkurën ku tha se pavarësisht ngurimit fillestar nga Komisioni për të bllokuar fondet ndaj Polonisë kisjte ardhur koha që të merreshin masa për shkeljet.
“Bashkimi Evropian është një komunitet i ndërtuar mbi parimet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Nëse këto janë nën kërcënim në një shtet anëtar, BE-ja duhet të veprojë për t’i mbrojtur ata. Prandaj i kam kërkuar shërbimeve tona ligjore që të përgatisin një padi kundër Komisionit për të siguruar që rregullat e BE-së të zbatohen siç duhet”.-tha ai.
Pas vendimit të BE-së, kryeministri i Polonisë ka akuzuar BE-në se i ka bërë kërkesa Varshavës me “armën në kokë”, duke i kërkuar Brukselit të tërheqë pas kërcënimet për sanksione ligjore dhe financiare nëse dëshiron të zgjidhë krizën e shtetit të së drejtës në vend. Në një lëvizje për të lehtësuar tensionet në mosmarrëveshjen, e cila ka ngritur frikën për një dalje të Polonisë nga BE-ja, Mateusz Morawiecki paralajmëroi se nëse Komisioni Evropian “fillon luftën e tretë botërore” duke i mbajtur paratë e premtuara Varshavës, ai do të “mbronte të drejtat e polakëve me çdo kusht“.
Ndërkohë që ky vendim ka hasur dhe në kundështime brenda Polonisë. Ditë më parë mijëra polakë kanë marrë pjesë në protestat pas këtij vendimi, duke u druajtur se vendimi i gjykatës, do ta detyrojë vendin të largohet nga Bashkimi Evropian. Në një sondazh të kryer javën e kaluar, 88.9% e polakëve nuk donin të largoheshin nga BE-ja.
Rruga Press