Mungesë transparence dhe tejkalim kostosh, FMN “fshikulloi” qeverinë për PPP-të
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar lëshoi kritika ndaj qeverisë shqiptare për mënyrën se si po përdor fondet buxhetore për të financuar koncesionet me Partneritet Publik -Privat.
Në deklaratën për mediat Fondi theksoi se, rritja e shpejtë e stokut të Partneriteteve Publike Private (PPP) —që pritet të arrijë në 50 për qind të PBB-së në 2021, nga 33 për qind në vitin 2018—kërkon dyfishimin e përpjekjeve për të forcuar menaxhimin e investimeve publike (MIP).
Investimet publike të financuara me burime të brendshme (që nuk lidhen me tërmetin) janë rritur me shpejtësi që nga viti 2020.
Fondi theksoi se sfidat kryesore përfshijnë mungesën e transparencës mbi tejkalimin e kostove dhe afateve fillestare dhe mosrespektimin e proceseve të miratuara të përzgjedhjes dhe miratimit të projekteve, përfshirë këtu kur PPP-të përdoren për të anashkaluar tavanet buxhetore afatmesme. Është e rëndësishme të forcohet kapaciteti e MFE-së për të vepruar në mënyrë pro-aktive si një barrierë në përzgjedhjen e projekteve dhe të angazhohet në mënyrë aktive në proceset e vlerësimit dhe monitorimit.
FMN rekomandoi bashkërendim të proceseve për projektet e financuara nga buxheti dhe PPP-të. “Shqipëria do të përfitojë shumë nga përpjekjet e bashkërenduara për të monitoruar dhe menaxhuar më mirë risqet fiskale në rritje. Mungesa e të dhënave të sakta mbi ekspozimin e vërtetë të qeverisë ndaj PPP-ve është një sfidë kryesore” u tha në deklaratë.
Skemat e garancive për sektorin privat aktualisht në diskutim, mbështetja e ndërmarrjeve shtetërore, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe ujit, me garanci sovrane (që po rriten) si dhe mbështetja e herëpashershme buxhetore gjithashtu i shtojnë risqet fiskale.
Në këtë kontekst, Fondi vlerësoi se, është e rëndësishme të rijetësohen reformat në sektorët e energjisë elektrike dhe të ujit, që janë vonuar në vitet e fundit. Angazhimi i vazhdueshëm ndaj transparencës dhe llogaridhënies, mbështetur në sisteme të forta të Menaxhimit të Financave Publike (MFP), mbetet prioritet.
Për vitin 2020 në Republikën e Shqipërisë rezultojnë 226 kontrata koncesioni/PPP të nënshkruara sipas Regjistrit Elektronik tё publikuar nё faqen zyrtare tё ATRAKO.
Nga viti 2013, numri i projekteve të kërkuara nga sektorit privat në ofrimin e shërbimeve/punëve publike është rritur. Numri total i kontratave koncesionare/PPP të miratuara për periudhën 2004-2013 shënon vlerën 176 në total, ndërsa gjatë periudhës 2014-2020 janë miratuar 50 kontrata koncesionare/PPP , një pjesë e të cilave financohen me fonde buxhetore, kostot e të cilave janë më të lartë se praktikat e investimeve publike.