Gërvalla: Reciprociteti me Serbinë në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka thënë se vendimi i Qeverisë për reciprocitet me Serbinë është në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar nga të dyja palët në Bruksel dhe tensioni i shkaktuar duhet të shihet si veprim i njëanshëm i Serbisë.
Gërvalla këto komente i bëri në takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Anze Logar, në vazhdën e takimeve në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
Duke qenë se Sllovenia mbanë kryesimin e radhës së Presidencës së Këshillit të BE-së, ministrja Gërvalla ka kërkuar përkrahjen e Sllovenisë për të shtyrë përpara agjendën evropiane të Kosovës.
“Së bashku diskutuan për raportet dypalëshe, me fokus bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, dhe folën për mundësinë e thellimit të mëtutjeshëm të raporteve mes dy vendeve.
Po ashtu në takim u diskutua për vendosjen e reciprocitetit të targave me Serbinë”, thuhet në njoftim.
Gërvalla sqaroi homologun e saj se vendimi i Qeverisë së Kosovës është në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar nga të dyja palët në Bruksel, dhe tensioni i shkaktuar duhet të shihet si veprim i njëanshëm i Serbisë.
Nga ana e tij, kryediplomati slloven theksoi qëndrimin mbështetës të Sllovenisë karshi integrimit evropian të Kosovës.
Ndryshe, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova kishte paralajmëruar e vendosjen e masës së reciprocitetit për targat.
Kjo ishte bërë e ditur nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili kishte thënë se marrëveshja për targat skadon më 15 shtator dhe se Kosova nuk do ta respektojë atë njëanshëm.
Pas pesë ditëve të skadimit të marrëveshjes, të hënën më 20 shtator – forca të mëdha policore u vendosën në pikën kufitare Jarinjë -Bërnjak për të zbatuar reciprocitetin. Dhe sipas kësaj veturat me targa të Serbisë do të mund të qarkullojnë në Kosovë vetëm nëse i heqin ato dhe pajisen me targa të përkohshme të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.
E gjithë kjo krijoi pakënaqësi të serbëve, të cilët protestuan gjatë gjithë ditës së hënë duke kundërshtuar këtë vendim.
Rruga Press