Takimi me anëtarët e PD, Berisha: Basha nuk është lider, sot betohet në Kuvend vasali i Vuçiç
Ish-Kryeministri Sali Berisha nga hotel Rogner, ku ka nisur turin e takimeve me disa qindra anëtarë të PD, në kuadrin e asaj që e konsideron si komunikimi me bazën e partisë, akuzoi Kryeministrin Edi Rama se me korrupsionin qeveritar ka bërë që Shqipëria sot të renditet si vendi i dytë më i korruptuar në Europë.
“Sot është një ditë shumë e vështirë për shqiptarët pasi në Kuvend betohet njeriu që për shkak të papërgjegjshëmrisë së Edi Ramës shqiptarët kanë sot 250 % më shumë viktima nga Covid-19 se mesatarja e BE-së”, tha Berisha.
Ai vuri theksin në mbrojtjen e interesit kombëtar, duke shtuar se “sot betohet në Kuvend një njeri që shndërroi Tiranën në një vasal të Beogradit, në një epiqendër të luftës së ftohtë të Kosovës. Edi Rama është argat i Vuçiç”.
Berisha referuar “Open Balkan”, tha se ajo që do të ndodhë do të jetë kjo “sot 80 % e mallrave vijnë me kontenierë nga Kina, por bazuar në këto rregullat e Ramës me Vuçiç, dhe për shkak të raporteve të Serbisë me Kinën, fillimisht tani këto kontenierë do të shkojnë në Beograd dhe pastaj do të vijnë pa asnjë taksë këtu”.
Berisha tha se PD është pikën më të keqe të ekzistencës së saj.
“Ka 8 vjet që ka humbur çdo aksion, çdo nismë, përveç atij të dekriminalizimit. Ka 8 vjet që kalon nga disfata elektorale në disfatë elektorale. ka humbur 4 procese zgjedhore, dy parlamentare dhe dy lokale. Zgjedhjet e fundit Edi rama bleu e grabiti 2 herë më shumë vota se ato të 2017-ës, por ne duhet t´i themi të vërtetat në sy. Ditën e zgjedhjeve në darkë, poll-et e publikuara treguan se 1/5 e zgjedhësve që votuan PD kishin votuar për Lulzim Bashën. Unë s´mund të them që kemi fituar zgjedhjet, pasi kjo s´mund të realizohet pa lider”, tha Berisha.
Rruga Press