Opinion/Aktualitet

Analizë sasiore e tregtisë së mallrave në vendet e Ballkanit Perëndimor nën vizionin e “Open Ballkans”

Nga Enton Duro

Klodian Muço

Qasja ndaj një Tregu të Përbashkët Rajonal në Ballkanin Perëndimor

Lëvizja e lirë e tregtisë ende nuk ka humbur interpretimin e saj të fortë teorik klasik, por format e qasjes dhe implementimi i saj mbetet ende sfidë për çdo vend.

Në parim, hapja tregtare dhe integrimi ekonomik duke përcaktuar “rregulla të njëjta loje”, gjeneron mundësi për rritjen e eksporteve, rritjen e mundësive për thithjen e investimeve të huaja direkte, rritjen e punësimit si dhe rritjen e mirëqënies së qytetarëve. Nga ana tjetër, agresiviteti i konkurueshmërisë tregtare të padrejtë, politikat e njëanshme tregtare që mund të ndiqen nga politikat publike kombëtare si dhe interesat gjeopolitike mund të sjellin përfitime të njëanshme dhe deformime të ekuilibrave tregtarë dhe ekonomikë duke stepur vendet në zhvillim për t’u qasur drejt tregjeve të hapura.

Ёshtë fakt gjerësisht i pranuar që ciklet e produktit të vendeve në zhvillim kundrejt vendeve të zhvilluara kanë divergjencë të kuptueshme dhe hendeku kohor i këtij cikli krijon vështirësi, dhe ndoshta, pamundësi, për të arritur në maturimin e produktit për vendet në zhvillim. Nuk janë të panjohura rastet kur vendet në zhvillim, nën promovimin e tregtisë së lirë, kanë krijuar rrethe vicioze duke qenë eksportues të lëndëve të para të papërpunuara dhe importues të produkteve fundore pa arritur mundësinë e zhvillimit të kapaciteteve prodhuese nëpërmjet investimeve në industri e teknologji.

E konkretizuar me vendet e Ballkanit Perëndimor (BP) dhe aspiratat e tyre për të qenë pjesë e tregjeve të BE-së marrëveshja e CEFTA e implementuar prej vitit 2007, ndër të tjera, ka si qëllim fazën e parapërgatitjes së vendeve të BP në gjetjen dhe arritjen e avantazheve krahasuese dhe konkuruese, dhe në maturitetin e produkteve që vendet e BP mund të realizojnë për t’u integruar denjësisht në tregjet e BE. Kjo nuk ka qenë e vetmja nismë e BE-së drejt ekonomive të BP.

Në Samitin e Berlinit (2014) u propozua integrimi rajonal (Regonal Economic Area). Edhe kjo nismë mbajti të njëjtin qëllim, parapërgatitjen e vendeve të BP për t’u integruar në BE. Në vijim, në Samitin e Triestes (2017), vendet e BP nënshkruan marrëveshjen për t’i dhënë jetë këtij tregu duke nisur nga 1 janari 2018. Sipas raportit të CEFTA (2021)[1], Tregu i Përbashkët Rajonal mund të sjellë rritje të PBB rajonale me 2.5% Ky treg do të kishte një periudhe tranzitore për implementimin e planit deri në 2020. Por ende pa marrë jetë tregu i përbashkët i BP, në vitin 2019, projekti i integrimit të vendeve në fjalë evoloi në Mini-shengenin Ballkanik dhe përfundoi tek projekti “Open Balkans” ku Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja-Herzegovina hezitojnë të bënen pjesë e kësaj nisme.

Çfarë thonë të dhënat mbi tregtinë e mallrave në Ballkanin Perëndimor

Vështirësia në realizimin e studimit ishte koherenca e të dhënave sasiore dhe mungesa e të dhënave për Kosovën në databazat e konsultuara për efekt të studimit. Dy bazat e të dhënave të konsultuara për këtë studim, “The Atlas of Economic Complexity” dhe “Trademap”, të cilat ofrojnë mundësitë për analizë krahasuese midis vendeve të BP, nuk ofrojnë të dhëna për tregtinë e jashtme për Kosovën dhe të dhënat e ofruara nga to kanë divergjenca në vlera absolute. Gjithashtu, informacioni i ofruar nga agjensitë e statistikave zyrtare kombëtare në vendet e BP nuk konvergojnë përsa i përket tregtisë së jashtme. Kjo problematikë bëhet më e kuptueshme kur shohim vendimin e CEFTA[2] për ofrimin e të dhënave sekretariatit të CEFTA, e cila ka hyrë në fuqi në 1 Shtator 2021. Për këtë arsye, fatkeqësisht, nuk mund të gjenden të dhëna krahasuese në mënyrë të drejtëpërdrejtë për Kosovën në këtë studim dhe pse përpjekjet për të integruar të dhëna alternative nuk kanë munguar.

Duke ju referuar të dhënave nga “The Atlas of Economic Complexity” për vitin 2019 në shkëmbimet tregtare të mallrave ndërrajonale të BP vihet re pozicioni dominues i Serbisë, e cila ka realizuar rreth 60% të eksportit ndërrajonal të BP dhe 27% të importit ndërajonal të BP duke arritur në një balancë pozitive prej 1.75 Mld USD në tregtinë ndërrajonale të BP. Ndërkohë që Shqipëria realizon vetëm 6.1% të eksportit ndërrajonal dhe vetëm 5.3% të importit ndërrajonal të BP edhe pse ka një balancë pozitive me rreth 47 Mil. USD. Të dhënat për vendet e tjera gjenden në tabelën 1.

Përsa i përket Kosovës, partneri më i madh në BP për vitin 2019 është Shqipëria me rreth 44% të volumit tregtar me vendet e BP dhe gjithashtu Maqedonia e Veriut me rreth 43% të këtij volumi. Serbia rezulton me vetëm 5% të këtij treguesi dhe padyshim e influencuar nga nisma e reciprocitetit mbi vendosjen e taksë 100% për produktet Serbe dhe Bosnnje- Herzegovinës nga Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2019. Raporti i eksportit ndaj importit në tregtinë e jashtme të mallrave për Kosovën është rreth 11% duke treguar varësinë e vendit ndaj tregjeve ndërkombëtare për përmbushjen e nevojave të brendshme. Disa të dhëna janë paraqitur në tabelën 2.

[1] CEFTA (2021), Common Regional Market 2021-2024, Action Plan

[2]CEFTA (2021), “On the provision of data by the CEFTA Parties to the CEFTA Secretariat”  DECISION OF THE JOINT COMMITTEE OF THE CENTRAL EUROPEAN FREE TRADE AGREEMENT 2006 No. 2/2021

Volumi tregtar i mallrave për BP në përqindje të PBB[1] në vitin 2019 vlerësohet të jetë rreth 89%, ndërkohë ky tregues për Shqipërinë rezulton në rreth 56%, niveli më i ulët ndër vendet e BP. Volumi tregtar i Kosovës[2] gjithashtu rezulton në rreth 56%, ndërkohë që Maqedonia e Veriut mban nivelin më të lartë për këtë tregues me rreth 132%, e ndjekur nga Serbia me rreth 88%.

Këto vlera tregojnë diferencat e mëdha që kanë vendet e BP në lidhje me tregtinë e jashtme të mallrave. Për më tepër, duke ju referuar të njëjtës bazë të dhënash, diferenca shihen edhe në defiçitin tregtar të mallrave në % të PBB. P,sh., Mali i Zi vlerësohet ketë një defiçit tregtar në 45% të PBB, Shqipëria në rreth 19% të PBB, e ndjekur nga B&H me rreth 14% dhe Serbia me rreth 12% të PBB. Maqedonia e Veriut shfaqet si vendi me defiçitin tregtar më të ulët me 8% të PBB. Ndërsa defiçiti tregtar i mallrave për Kosovën, i vlerësuar me burime alternative, vlerësohet në rreth 45% të PBB.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Për vitin 2019 volumi tregtar i mallrave midis vendeve të BP është 10.3% e importit total dhe 14,6% e eksportit total të realizuar nga vendet e BP. Këto vlera janë shumë të ulëta nëse i krahasojmë me volumin tregtar me BE për të njëjtën periudhë. Të dhënat tregojnë se importi i BP nga tregu i BE është 68.8% e importit total të PB dhe eksporti i BP drejt BE është 70.1% e eksportit total të BP.

Për vtin 2019, në krahasim me vitin 2011, importi i PB nga vendet e BE është rritur me 29% ndërsa eksporti është rritur me 65.8% duke sjell reduktim me 18% të defiçitit tregtar të mallrave me vendet e BE. Partnerët kryesorë në BE mbeten Gjermania me Italia me respektivisht 22.1% dhe 14.4% të volumit tregtar të mallrave të BP me BE për vitin 2019. Dy vendet që kryesojnë rritjen e eksporteve drejt BE janë Maqedonia e Veriut me 96% dhe Serbia me 85%, ndërsa Shqipëria rezulton me një rritje prej 50%. Të dhëna më të detajuara gjenden në tabelën 3.

[1] Eksport plus Import për të gjitha vendet e PB në % të PBB se PB e përftuar nga të dhënat e Bankës Botërore për PBB me cmime korente në USD.

[2] Për Kosovën janë përdorur burime alternative të dhënash për arritur në vlerësime sasiore. Duhet theksuar se dy bazat kryesore të tëdhënave të përdorura në këtë punim, “Atlas of economic complexity” dhe “Trademap”, nuk ofrojnë informacion për Kosovën. Gjithashtu, edhe në të dhënat e Bankës Botërore për % e volumit tregëtar në raport me PBB nuk ekzisojnë të dhëna për Kosovën. Në gjykimin tonë subjektiv, Agjencia e Statistikave të Kosovës ofron bazë të dhënash më cilësore se disa vende te tjera të BP.

Tabela 3 Rritja e tregtisë së mallrave të BP me vendet e BE, krahasim 2019 vs. 2011

Burimi: https://atlas.cid.harvard.edu/ dhe punim i autorëve

Gjithsesi, ky përmirësim i situatës së tregtisë me BE, nuk është reflektuar në tregtinë midis vendeve të BP. Në krahasim statik midis vitit 2011 dhe 2019, PBB nominale e BP është rritur me 9.6% ndërsa volumi tregtar i mallrave për PB është rritur me 39.1% dhe tregtia midis vendeve të BP është rritur me vetëm 11.1%. Kjo tregon se tregtia midis vendeve të BP, është ende e kufizuar edhe pse CEFTA ka arritur rezultate konkrete në reduktimin e tarifave tregtare për vendet e BP. Mesa duket në mungesë të CEFTA vendet e BP do të ishin në nivele edhe më të ulta të tregtisë ndërrajonale.

Arsyet pse niveli i shkëmbimeve ndërmjet vendeve të BP është kaq i ulët mund të jenë të shumta, ndër to edhe struktura e prodhimit mund të jetë një arësye e fortë, por disa problematika të identifikuara tashmë po i rradhisim në vijim.

  • kostot e trasportit për njësi të eksportuar në këto vende variojnë nga 65 USD në 232 USD ndërkohë që vendet e tjera të Ballkanit lindor që janë tashmë pjesë e BE i kanë vetëm 34 USD[1].
  • Koha e konsumuar në eksport për vendet e Evropes Lindore, anëtare të BE është 5 orë, ndërkohë që në vendet e Ballkanit përëndimor mund të arrijë deri në disa fish më shumë se kaq (Eurostat, 2017).
  • Në një analizë mbi BP për periudhën 2007-2016, Komisioni Evropian (2018)[2] konkludon se problematikat kryesore të tregtisë ndërrajonale në BP mbeten pengesat jo-tarifore kryesisht në tre kategoritë kryesore: 1) pengesat teknike të tregtisë; 2) masat fitosanitare dhe sanitare; dhe 3) pengesat administrative të tregtisë.

Krahas problematikave të identifikuara më sipër, ka vende që kanë rritur përformancën e tyre midis grupit. p.sh., Shqipëria ka rritur nivelin e eksporteve me 121.6% kundrejt PB e ndjekur nga Serbia me 20.4% e cila ka rritur eksportet totale me 69.6%, ndërsa Maqedonia e Veriut ka reduktuar eksportet me 19.6% kundrejt vendeve të BP dhe pse rritja e eksporteve totale për këtë vend rezulton me 66.1%. Në tabelën 4 gjendet informacion më i detajuar për normat e ndryshimit të tregtisë midis vendeve të PB.

[1] https://ec.europa.eu/commission/commissioners/2014-2019/hahn/announcements/speech-johan nes-hahn-western-balkans-six-leaders-summit_en

[2] European Commission (2018), Untapped Potential: Intra – Regional Trade in the Western Balkans, Discussion paper, ISSN 2443-8022 online

Nëse volumi tregtar i mallrave është rritur me 39.1%, mbetet më i vogël se rritja e volumit tregtar të shërbimeve kryesore (Shërbime financiare; Teknologjia e Informacionit dhe komunikimit; Transporti; Udhëtim dhe Turizëm), i cili rezulton të jetë rritur me 48.2% në vitin 2019 krahasur me vitin 2011. Reduktimi i eksportit dhe importit në sh`rbimet e “teknologjinë e informacionit dhe komunikimit” (i cili ka nevojë për një kërkim të mëtejshëm) dhe gjithashtu rritja e konsiderueshme e sh`rbimit “udhëtim dhe turizëm”, vihet re si një karakteristikë e përbashkët për të gjitha vendet e BP. Të dhëna më të detajuara gjenden në tabelën 5.

Një analizë e nevojshme për t’u mbajtur në konsideratë

Tregtia ndërrajonale e mallrave në BP është përqëndruar në mallra me vlerë të shtuar të ulët dhe shporta e mallrave të tregtuara është e reduktuar dhe e pandryshueme në kohë. Kosova dhe Mali i Zi janë vendet më pak të zhvilluara në shportën e eksporteve. Eksportet e Shqipërisë dominohen nga metalet bazë, mineralet dhe produktet bujqësore. Mali i Zi, Bosnje- Herzegovina eksportojnë kryesisht metale, minerale dhe lëndë drusore e produkte ushqimore, ndërsa Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë më të diversifikura në eksportin ndërrajonal edhe pjesa më e madhe e eksportit përfaqësohet nga të njëjtat produkte si dhe vendet e tjera, metale, minerale dhe produkte ushqimore (Komisioni Evropian 2018).

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Rritja e dimensioneve të tregut (kalimi në një treg ndërrajonal pa pengesa tarifore dhe jo-tarifore) me një popullsi prej 17.5 Mil. banorë rezidentë mund të sjell mundësi për zhvillimin e industrive të reja, të cilat nuk konsiderohen fitimprurëse për momentin si rezultat i segmentimit të tregut ndërrajonal. BP është pozicionuar dukshëm në ofrimin e shërbimeve turistike dhe kërkesa konsumatore brenda kufijve territorialë të BP duhet të jetë më e madhe sesa 17.5 Mil. konsumatorë që duhet marrë në konsideratë nga analizat e mëtejshme.

Shporta e produkteve, të cilat nuk janë importuar me origjinë nga vendet e BP, përfaqëson rreth 89% të vlerës importit për BP ose rreth 46 Mld USD në terma vjetorë për vitin 2019. Ky ushtrim sigurisht që kërkon analizë më të thelluar për të kuptuar se cilat janë ato produkte ku kalimi nga tregje kombëtare në tregje ndërrajonale sjell përfitime dhe rentabilitet[1] pa pretenduar zëvendësimin e plotë dhe të pamundur të importit. Përfitimet endogjene do të ishin jo vetëm në tregun e brendshëm ndërrajonal, por edhe në tregje të tjera me zgjerimin e mundshëm të eksporteve.

Vizioni i mundshëm i një “Evrope të Re” dhe nisma e “Open Ballkans”

Marrëveshja e CEFTA ku të gjitha vendet e BP bëjne pjesë, është një ushtrim i mirë parantarësimi në BE. Marrëveshjet e CEFTA në respektim të “Acquis communataire” japin efekte pozitive në standartizimin e produkteve dhe bizneseve të përfshira në tregti, por kjo nuk do të thotë që BP nuk mund dhe nuk duhet të kërkojë hapësirë të tjera në rritjen e kapaciteteve të tyre dhe zhvillimin e mëtejshëm tregtar dhe ekonomik. Kjo ide nuk shkon kundër vizionit të integrimit të BP drejt BE, por e përforcon më shumë atë. BE është shprehur vazhdimisht që përpjekjet e vendeve të BP për të rritur kapacitetet dhe ndërveprimin midis tyre nuk janë të mjaftueshme.

Nga ana tjetër kriza e Covid-19 ka tërhequr vëmendjen e BE për të alokuar më afër kufijve të saj kompani që shërbejnë në proceset e prodhimit zinxhir. Është gjithashtu evident konflikti social që ka gjeneruar në vite emigrimi drejt vendeve të BE. E gjendur përballë krizave të brendshme politike që po pengojnë pa arsye konkrete avancimin e BP drejt BE (siç është dhe rasti i fundit i Bullgarisë) besojmë që BE e ka të qartë se rasti mund të përsëritet rishtazi. Gjithashtu Brukseli e ka kuptuar se vonesat në integrimin e BP janë kosto pasi po investohet vazhdimisht me fonde për rritjen e kapaciteteve që duhen justifikuar me një përfitim ekonomik.

Në këtë kuptim BE nuk do të refuzonte zhvillimin e një hapësire fuksionale ekonomike ku mund të ankorojë kompani për nevoja të zinxhirit të prodhimit. Jo vetëm kaq, por dhe forcimi dhe konsolidimi i partnerit tregtar si BP sjell përfitime edhe për BE pavarësisht origjinës së kompanive. Duke u kthyer tek BP me një popullsi rezidente me rreth 17,5 milionë banorë, ndërtmi i një “Evropë e Re” nuk duket e pamundur, të paktën teorikisht. BP mund të përthithë kapacitete prodhuese nga vendet e BE nëpërmjet Investimeve të Huaja Direkte (apo dhe ti krijojë vetë ato) dhe të angazhojë forcat e saj të punës, të cilat reflektojnë nivel të lartë papunësie, duke u kthyer në këtë hapësirë të nevojshme për BE, duke qëndruar jashtë kufijve të saj territorialë, por me kontroll të fortë pasi niveli i lartë i volumit tregtar dhe aspiratat e BP për t’u bashkuar në BE ende janë të larta. Në pamundësi të forcave të punës garantuese për zgjerimin dhe zhvillimin e kapaciteteve prodhuese, BP mund të sigurojë forca pune nga vendet me nivel të lartë emigracioni, që kërkojnë një jetë më të mirë duke ulur njëkohësisht edhe presionet migratore drejt BE. Nën këtë supozim, nisma “Open Ballkans” mund të jetë një paratestim për këtë skenar të mundshëm pasi liria e lëvizjes është parakusht për intergrimin e tregjeve.

Nuk është kaq e thjeshtë të mendosh këtë skenar pasi neoklasicismi ekonomik ka dështuar atje ku gjeoplitika ka arritur objektivat e saj. BP ka qenë vazhdimisht nën presionet gjeopolitike midis Lindjes dhe Perëndimit. Nga ana tjetër Serbia dhe Maqedonia e Veriut duket qartazi që kanë avantazh në terma të tregtisë së mallrave dhe në mungesë të qartësisë institucionale mund të rrisin përfitimet e njëanshme në tregti me vendet e BP. Për më tepër, mosnjohja e Kosovës si një shtet i pavaruar me të drejta të plota nga Serbia e bën të pakuptimtë mënyrën sesi marrëveshjet e tregtisë së lirë midis tyre mund të marrin efekt juridik. Cili do të jetë entiteti “mbipalë” që do të mund të zgjidhë paqartësitë?! Nisma “Open Balkans” nuk mund të paralelizohet me CEFTA pasi në këtë të fundit Komisioni Europian është mbikqyrësi i marrëveshjeve që vendosin strandarte dhe direktiva për vendet e BP.

Në përfundim, vlen të kujtojmë që projekti i Evropës së Bashkuar nisi kur dy forcat opozitare në Luftën e Dytë Botërore vendosën të shohin të ardhmen për të mirën e tyre të përbashkët, por me të drejta të plota si kombe të pavarura dhe me vullnet të plotë, që e ardhmja t’i përkiste rritjes së mirëqënies dhe jo konflikteve.

[1] Grupe pune me inxhinier teknik të fushës, ekonomistë dhe ndoshta juristë të mund të kryejnë këtë ushtrim për të kuptuar se cilat janë kostot e industrisë, specifikat teknike të saj dhe mundësia e zëvendësmit të importit pasi integrimi në një treg të përbashkët për BP shoqërohet me ridimensionim të avantazheve konkuruese./MONITOR/

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *