“PROPAGANDISTËT, PROTAGONISTËT DHE REVOLUCIONARËT”
Nga Sebastjan Zonja
Ka një lajm që po qarkullon sikur e ka fajin Karl Marksi për krimet që kreu sistemi i shkuar diktatorial. Lajmi qarkullon çdo vit. Marksi çdo vit del përpara akuzës dhe dënohet me burgim të përjetshëm ose pushkatim. Të vetmit që nuk dalin përpara akuzës janë politikanët shqiptarë, edhe pse bëmë Reformën në Drejtësi, që të japin llogari për grabitjet e tyre.
Marksi jep llogari edhe sot, kaq shekuj pasi ka vdekur. Këta nuk japin, edhe pse gjallë.
Faktikisht, me thënë të drejtën, edhe për sistemin e shkuar dikatorial, kriminelët, persekutorët dhe grabitësit kanë emra të përveçëm. Ata nuk kanë dalë përpara organit të akuzës, por Marksi del çdo vit.
Dikur, “inteligjentët” e kohës, gjetën te librat e Marksit “luftën e klasave” dhe vranë çdo kundërshtar politik. Janë po të njëjtët që sot gjetën te Adam Smithi kapitalizmin dhe “tregun e lirë” e privatizuan në mënyrë korruptive çdo aset kombëtar. Duhet t’i themi emrat e tyre, sepse nuk e ka fajin sistemi. Faji nuk është jetim. Viktimat kanë emra, fajtorët kanë emra. Mendësia që na la trashëgim dikatura se faji është sistemik duhet të marrë fund, sepse duhet ndëshkuar krimi një herë, pastaj flasim për rendin politik.
Pra, sot nga komunistët del në bankën e të akuzuarve Adam Smithi, Rikardo dhe Fridmani e akuzohen për kolonizimet e perëndimorëve nëpër botë, korporatat … dhe dënohen me vdekje.
Kapitalistët nxjerrin në bankën e të akuzuarve Marksin, Engelsin dhe Prudonin, i akuzojnë për miliona viktima nëpër botë, dhe i dënojnë me vdekje.
Çfarë po bëjmë – po djegim libra, po vrasim ide siç bëri Hitleri dhe Stalini, apo jo?
Po ndërtojmë polici mendimi.
Sa i përket vendit tonë, që kaloi një ndër periudhat më të errëta nën komunizëm, çuditem se si mund të jemi kaq budiste si shoqëri kur kufoma është ende mbi dhé, por debatet janë nëse ishte universi që e shtyu thikën drejt viktimës, apo vetëdija kriminale e vrasësit!!!
Katër autorë modernë, J. Rancière, A. Badiou, S. Žižek dhe Ch. Mouffe, të cilësuar të së majtës radikale, kanë sjellë me studimet e tyre tezën se pas rënies së Murit të Berlinit bota kaloi në një shkretëtirë ideologjike, dhe, si pasojë, politika klasike u largua nga ontika njerëzore për të shkuar te menaxherializmi dhe teknokracia.
Në krahun tjetër, janë shumëautorë të tjerë konservatorë që besojnë se ky është një cikël që do të kalojë, ashtu siç kanë kaluar cikle të ndryshme teksa riformatohen rendet gjeopolitike dhe ekonomike.
Sot dëgjojmë shpesh shprehjet se duhet një menaxher i mirë në krye të shtetit. Trishtueshëm e kemi reduktuar shtetformimin në logjikën e një kompanie. Kjo nuk ka ndodhur në Perëndim, në vende të rëndësishme si Gjermania, Franca, Anglia apo Amerika, por ndodh masivisht në vende që kaluan komunizmin dhe përqafuan modelin më vulgar të “shtetit të vogël”, sepse për elitat politike ishte mënyra më e thjeshtë për të grabitur dhe për të bërë të ashtuquajturin demokratizim dhe liberalizim.
Siç e thamë edhe më sipër, përdorën luftën e klasave si instrument për të vrarë çdo kundërshtar në të shkuarën, instrumenti i ri është “shteti i vogël” për të grabitur pronën publike.
Ky nuk është problem i ndonjë teoricieni, por problematikë e vendeve që nuk kanë sistem të fortë drejtësie.
Autorët e sipërpërmendur, të cilësuar shpeshherë edhe si Kalorësit e Apokalipsit, kanë dekonstruktuar sistemin që jetojmë sot në nivel politik dhe ekonomik. Kritika e tyre është e vlefshme dhe sigurisht që duhet lexuar me vëmendje maksimale. Janë cilësuar marksistë, komunistë, nazistë, fashistë, islamistë, sorosianë e të tjerë. Ndërkohë, puna e tyre akademike thjesht u ka hapur shumë probleme propagandistëve të neoliberizmit.
Ashtu si komunistët kishin propagandistët e vetë, edhe neoliberistët kanë propagandistët e vetë. Kur mbetesh pre i propagandës, të thjeshtohet mendimi deri në atë pikë sa flet me sloganet e sofizmat e tyre, bën sikur filozofia jote shpjegon gjithë botën dhe gjen edhe një armik për vdekje që s’të lë ta ndërtosh parajsën mbi tokë:
– S’ja kemi mbërritur ende socializmit. Sot mund ta lexojmë: S’ja kemi mbërritur ende kapitalizmit.
– Komunizmi është i mirë në teori, por s’e zbatuan mirë në praktikë. Sot mund ta lexojmë: Kapitalizmi është i mirë në teori, por këta që kemi mbi krye janë hajdutë.
Mund të vazhdojmë pafund për të parë se si mekanizmat e propagandës janë njësoj në çdo sistem. Gjejmë një slogan, fusim dy koncepte që kundërvihen ose jo, LIRI dhe BARAZI, dhe ndërtojmë sofizma.
Në të gjitha sistemet njësia matëse nuk është filozofi apo teoricieni i sistemit, por dinjiteti i qytetarëve. E thënë ndryshe: me sloganin enverist se “bar do të hamë e parimet s’i shkelim”, mund të shuanim krejt popullin shqiptar vetëm e vetëm pse Enveri besonte se po përsoste marksizmin. E gjithë inteligjenca e kohës nuk ishte vënë në punë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët, por për të lexuar Marksin dhe Engelsin. Trishtim më të madh nuk ka.
Sot mund ta lexojmë kështu “bar do hamë e parimet s’i shkelim” – mund t’ja japim të gjithë bregdetin kryeministrit sepse neoliberistët besojnë se po përsosim kapitalizmin. E gjithë inteligjenca e kësaj kohe vihet në funksion të faktit për të argumentuar se Marksi e kishte gabim dhe jemi në rrugën drejt kapitalizmit të tregut.
Këta janë propagandistët. Mos u besoni këtyre. Lexoni vetë!
Ka një lloj rehatie për të gjetur nga një epitet për secilin kur nuk biem dakord – për shembull, kur dikush s’të pëlqen se lexon Evolan apo Petersonin, menjëherë, për ta neutralizuar, do t’i themi fashist. Në krahun tjetër, kur dikush tjetër s’të pëlqen se lexon Marksin apo Leninin, për ta neutralizuar, do ta quajmë komunist.
Në të dyja rastet thjesht po përplasen dy përfytyrime politike dhe mekanizmat e propagandave respektive, por asesi argumentet.
Lexo vetë! Lexo shumë! Lexo me ritëm! Lexo autorë të mirë! Sot është më e lehtë se kurrë që të dëgjosh në YouTube autorët dhe bisedat më të bukura. Në të shkuarën nuk ishte kjo mundësi. Ata që revolucionarizuan botën për të na sjellë mrekullitë kompjuterike nuk merreshin me propagandistët, por punonin përditë për të sjellë këtë Botë të Re.
Unë për vete nuk preferoj ndonjë autor mbi ndonjë tjetër, por di të them se i lexoj të gjithë. Është ende herët për të mbajtur qëndrime të prera. Kur të shkoj 98 vjeç them se do kem qartësuar ndonjë gjë. Sot besoj se ka një Zot dhe se Kanti është filozof më i mirë se Marksi. Të ardhmes nuk i dihet – Le vie del Signore sonno infinite (come nella politica). /faktor.al/