Bota

Zelensky: ShBA-ja po përqendrohet te Lindja e Mesme, ndërsa nuk po ushtron presion të mjaftueshëm ndaj Rusisë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj Shteteve të Bashkuara, duke i kritikuar për vonesat në furnizimin me raketa kundërajrore dhe për mungesën e presionit ndaj Rusisë në negociatat për përfundimin e luftës.

Në një intervistë për BBC-në, të zhvilluar në zyrën e tij në qendër të Kievit, Zelensky tha se vonesat në dërgimin e raketave interceptuese për sistemet amerikane Patriot po kushtojnë jetë njerëzish. Ai gjithashtu kritikoi vëmendjen që Uashingtoni po i kushton Lindjes së Mesme, duke thënë se kjo po ndikon në mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

Kreu i shtetit ukrainas komentoi edhe marrëdhënien mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe kreut të Kremlinit, Vladimir Putin. Ai e cilësoi si të çuditshëm faktin që Trump publikoi një fotografi duke përqafuar Putinin dhe duke e quajtur atë mikun e tij.

“Sigurisht që kjo varet nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, por… është e çuditshme”, u shpreh Zelensky në anglisht.

“Putin është agresor dhe vrasës. Ai nuk mund të jetë mik. Thjesht nuk mund të jetë”, tha presidenti ukrainas, duke e krahasuar një miqësi të tillë me pretendimin se dikush mund të ishte mik me Adolf Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Që prej përplasjes së tij me Trump në Zyrën Ovale, në vitin 2025, Zelensky ka treguar kujdes në deklaratat publike për marrëdhëniet me administratën amerikane.

Ndërkohë, përpjekjet për të arritur një marrëveshje paqeje mes Moskës dhe Kievit vijojnë përmes negociatave të ndërmjetësuara nga dy të dërguarit e Trump. Megjithatë, sipas Zelenskyt, bisedimet nuk kanë sjellë rezultatet e pritshme dhe në disa raste qëndrimet amerikane janë dukur më pranë kërkesave të Moskës sesa atyre të Kievit.

Raundi i fundit i negociatave, i zhvilluar në Abu Dhabi në fillim të këtij muaji, nuk prodhoi ndonjë përparim të dukshëm.

“Sa më shumë që dimë, aq më shumë probleme kemi”, u shpreh Zelensky, duke shtuar se një tjetër raund bisedimesh pritet të zhvillohet në dhjetor.

Presidenti ukrainas tha se nuk është ende e qartë nëse përfaqësuesit evropianë do të marrin pjesë në tryezën e negociatave, pavarësisht njoftimeve të mëparshme nga të dërguarit amerikanë. Sipas tij, Kremlini duket se po kundërshton përfshirjen e tyre.

Trump, nga ana e tij, deklaroi të enjten se gjatë takimit me Putinin në Kinë, javën e kaluar, i kishte kërkuar presidentit rus të ndalte agresionin ushtarak në territoret evropiane. Ai tha gjithashtu se një marrëveshje paqeje me Ukrainën mbetet një mundësi e konsiderueshme.

Lexo më shumë  Komisioni Evropian propozon sanksione ndaj një banke dhe tre kompanive nga Serbia

Megjithatë, deklaratat publike të Moskës tregojnë se Rusia nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj në negociata.

“Nuk mund të jesh neutral mes agresorit dhe viktimës”

Zelensky u bëri thirrje aleatëve ndërkombëtarë që të ushtrojnë më shumë presion ndaj Rusisë, në mënyrë që negociatat të prodhojnë rezultate konkrete.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet të përdorin ndikimin dhe fuqinë e tyre për të detyruar Moskën të bëjë lëshime.

“Kur përpiqesh të jesh shumë neutral me agresorin, kjo do të thotë se mbështet viktimën, por në të njëjtën kohë mbështet edhe agresorin. Kjo nuk është e drejtë”, deklaroi presidenti ukrainas.

Uashingtoni, nga ana tjetër, e ka paraqitur qëndrimin e tij si neutral, duke argumentuar se synon të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje që mund të pranohet dhe të qëndrojë mes dy palëve.

Mungesa e raketave Patriot dhe vëmendja e ShBA-së ndaj Lindjes së Mesme

Një nga shqetësimet kryesore të Kievit mbetet mbrojtja ajrore, ndërsa sulmet ruse me raketa dhe dronë janë shtuar dhe janë bërë më vdekjeprurëse.

Alarmet ajrore janë kthyer në pjesë të përditshmërisë së ukrainasve, ndërsa Rusia po godet infrastrukturën energjetike, termocentralet dhe urat. Në të njëjtën kohë, dronët rusë me motorë reaktivë po përdoren gjithnjë e më shpesh kundër Kievit dhe qyteteve të tjera.

Zelensky deklaroi se ushtria ukrainase arrin të shkatërrojë rreth 70% të dronëve më të shpejtë rusë, një tregues që, sipas tij, po përmirësohet. Megjithatë, ai pranoi se vendi përballet me një mungesë shumë të madhe të raketave interceptuese për të ndalur raketat balistike.

Presidenti ukrainas kritikoi veçanërisht vonesat në furnizimin me raketa për sistemet Patriot.

“Është për të ardhur keq që ata janë përqendruar te Lindja e Mesme dhe po i ndihmojnë më shumë ata. Është për të ardhur keq. Kemi pyetje të mëdha për këtë”, tha ai.

“Mungesa e këtyre raketave do të thotë humbje jetësh njerëzish”, shtoi Zelensky.

Ai foli gjithashtu për kufizimet e sistemit amerikan të komunikimit satelitor Starlink dhe versionit të tij ushtarak Starshield në zonat e pushtuara të Ukrainës.

Njësitë ukrainase që përdorin dronë interceptues kanë raportuar probleme në operacionet e tyre, pasi pajisjet nuk arrijnë më të kapin dronët rusë të tipit Shahed. Si pasojë, këta të fundit mund të depërtojnë më thellë në territorin ukrainas.

Lexo më shumë  Britania po përgatit veteranët usharakë për luftë

I pyetur se kush ishte përgjegjës për këtë situatë, Zelensky tha se nuk kishte një përgjigje të qartë.

“Teknikisht, SpaceX. Politikisht, nuk e di, vërtet nuk e di. Është si një lojë ping-pongu. Ne pyesim njërën palë dhe ajo na thotë se përgjegjësia i takon palës tjetër”, u shpreh ai.

Ukraina përgatitet për një dimër të vështirë

Gjatë intervistës, Zelensky foli edhe për intensifikimin e sulmeve ukrainase ndaj objektivave ruse në javët e fundit. Goditjet kanë përfshirë rafineri nafte dhe anije që transportojnë armë apo karburant.

Ai mbrojti gjithashtu sulmin ndaj anijes luftarake ruse Merkury, e cila ishte ankoruar në Libinë lindore dhe u fundos gjatë kësaj jave.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, kishte paralajmëruar se sulmi rrezikonte përhapjen e konfliktit në Mesdhe, duke e cilësuar një zhvillim të tillë të papranueshëm.

Zelensky e konsideroi anijen një objektiv të ligjshëm, duke deklaruar se operacionet e tilla, ndonëse shumë të rrezikshme, nuk kryhen pa koordinim me partnerët e Ukrainës. Ai nuk dha detaje të mëtejshme për këtë koordinim.

Ndërkohë, Ukraina po përgatitet për një tjetër dimër të vështirë, ndërsa sulmet ruse po godasin edhe infrastrukturën që furnizon qytetet me energji dhe mundëson transportin.

Në Kiev, sulmet e fundit kanë shënjestruar urat mbi lumin Dnieper, në atë që duket si një përpjekje për të izoluar dy pjesët e kryeqytetit nga njëra-tjetra.

Ndërprerjet e energjisë elektrike dhe goditjet ndaj rrjeteve të logjistikës kanë rritur ndjeshëm kostot për bizneset. Disa banorë kanë zgjedhur të largohen nga qyteti gjatë dimrit, ndërsa një pjesë e bizneseve kanë mbyllur aktivitetin. Ndërprerjet e energjisë kanë lënë gjithashtu pjesë të mëdha të kryeqytetit në errësirë.

I pyetur për mundësinë që sulmet ruse t’i detyrojnë ukrainasit të braktisin kryeqytetin, Zelensky u shpreh se ky është pikërisht synimi i Moskës.

“Rusia dëshiron që ne të largohemi, sigurisht. Njerëzit mund të largohen, por ne do të përpiqemi ta mbrojmë kryeqytetin tonë me çdo mënyrë. Ne kemi nevojë për kryeqytetin tonë. Pa kryeqytet, nuk ke vend”, përfundoi presidenti ukrainas.

Rruga Press

YouTube player