Kurti prezanton arritjet në mirëqenie sociale: 400 mijë fëmijë përfitojnë shtesa, pensioni bazik u rrit në 150 euro
Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar një sërë masash dhe arritjesh të Qeverisë në fushën e mirëqenies dhe mbështetjes sociale gjatë periudhës 2021-2026, duke veçuar shtesat për fëmijë, rritjen e pensioneve, mbështetjen për lehonat, familjet në nevojë dhe kategoritë e luftës.
“Ndonëse rrugëtimi ynë u vështirësua nga bllokimi paszgjedhor në Kuvend, edhe si qeveri në detyrë ne nuk devijuam asnjëherë nga misioni. Besojmë fuqishëm se rritja ekonomike nuk është thjesht një statistikë në letër. Ajo ka vlerë vetëm kur ndjehet në jetën tuaj: te paga që rritet, te shtesat për çdo fëmijë, te punësimi pa ndërmjetës dhe te sovraniteti në çdo cep të territorit tonë” ka deklaruar Kurti.
Sipas raportit të prezantuar nga kryeministri, rreth 400 mijë fëmijë deri në moshën 16-vjeçare përfitojnë shtesa mujore nga shteti. Familjet me deri në dy fëmijë marrin nga 30 euro në muaj për secilin fëmijë, ndërsa familjet me tre ose më shumë fëmijë përfitojnë nga 45 euro në muaj për secilin
Në kuadër të mbështetjes sociale, Qeveria ka rritur në vitin 2025 shumën e asistencës sociale për 20 për qind. Sipas raportit, shuma e ndihmës nis nga 84 euro për familjet njëanëtarëshe dhe arrin deri në 350 euro për familjet me më shumë anëtarë.
Kurti ka bërë të ditur se 444 përfitues të asistencës sociale janë ndërmjetësuar në tregun e punës dhe në trajnime, ndërsa për 19 kuzhina popullore janë ndarë dy milionë euro mbështetje. Gjithashtu, janë shpërndarë afër 37 mijë pako ushqimore për familjet në nevojë.
Në fushën e inspektimit të punës, sipas raportit, janë rekrutuar 36 inspektorë të rinj, duke e rritur numrin e inspektorëve të punës në 90. Po ashtu, ka filluar zbatimi i inspektimit elektronik, me synimin për të rritur cilësinë, transparencën dhe efikasitetin e inspektimeve.
Një ndër pikat e raportit është edhe rritja e pensionit bazik, i cili gjatë mandatit është rritur tri herë, nga 90 në 150 euro. Kurti ka deklaruar gjithashtu se janë ndarë shtatë herë shtesa të njëhershme prej 100 eurosh për pensionistët.
Në kuadër të masave për përballimin e kostos së jetesës, Qeveria ka ndarë pagesa të njëhershme prej 100 eurosh për studentët, fëmijët dhe punonjësit e sektorit privat, përmes pakove mbështetëse.
Raporti përfshin edhe iniciativat për marrëveshje ndërkombëtare në fushën e sigurimeve sociale. Sipas Kurtit, janë iniciuar marrëveshjet me Austrinë dhe Turqinë, me qëllim të njohjes së periudhave të sigurimit dhe lehtësimit të realizimit të të drejtave pensionale për qytetarët që kanë punuar në këto shtete.
Në mars të vitit 2026, sipas raportit të kryeministrit, për herë të parë është shpërndarë paga e 13-të për rreth 85 mijë punonjës të sektorit publik, si masë që synon mbështetjen e mirëqenies së familjeve dhe rritjen e fuqisë blerëse.
Në raport janë përfshirë edhe rritjet e pensioneve për kategoritë e luftës, përfshirë familjet e dëshmorëve dhe të zhdukurve të UÇK-së, invalidët e luftës dhe familjet e tyre pas vdekjes së invalidit, si dhe familjet e viktimave civile.
Pensioni i veteranëve të UÇK-së, sipas të dhënave të prezantuara, është rritur nga 170 në 204 euro në muaj, ndërsa pensioni për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës është rritur nga 230 në 276 euro.
Kurti ka theksuar gjithashtu se është hequr trajtimi diskriminues për familjet që kanë dy ose më shumë dëshmorë apo të zhdukur të UÇK-së, duke bërë që pensionet të rriten në varësi të numrit të dëshmorëve dhe të zhdukurve. Sipas raportit, pensioni për familjet me më shumë se katër dëshmorë ose të zhdukur mund të arrijë deri në 1 mijë e 613 euro e 27 centë në muaj.
Mbështetje e veçantë është raportuar edhe për lehonat. Sipas Kurtit, gati 80 mijë nëna lehona janë mbështetur përmes shtesave mujore, të cilat nga 170 euro në fillim të skemës janë rritur në 325 euro dhe më pas në 500 euro në muaj.
Në kuadër të programit “Qeveria për familjet”, Kurti deklaron se janë punësuar mbi 4 mijë persona nga familje ku asnjë anëtar nuk kishte qenë i punësuar, prej të cilëve 55 për qind janë gra.
Sa i përket mbështetjes ushqimore, vetëm gjatë vitit 2026 janë lidhur marrëveshje me 27 organizata për shpërndarjen e deri në 10 mijë pakove ushqimore për familjet në nevojë, me kusht që të paktën 70 për qind e produkteve të jenë vendore.
Në raport janë përmendur edhe subvencionimet e faturave të energjisë elektrike për konsumatorët e cenueshëm. Sipas të dhënave të prezantuara, mbi 90 mijë familje janë kualifikuar për subvencionimin e faturave për gjashtë muaj rresht, ndërsa gjatë periudhës 2023-2026, skema ka përfshirë nga 70 deri në 100 mijë familje në vit, për periudha gjashtëmujore.
Për personat me aftësi të kufizuara, Kurti ka deklaruar se janë ofruar trajnime dhe mundësi punësimi për 239 persona, prej tyre 120 gra dhe vajza, ndërsa janë licencuar gjashtë ndërmarrjet e para sociale që synojnë punësimin e kategorive të cenueshme.
Në fund, si pjesë e reformës së asistencës sociale, është veçuar edhe heqja e kriterit përjashtues që largonte familjet në nevojë nga skema sociale në rast të punësimit të një anëtari të familjes.
Raporti i prezantuar nga Kurti përfshin këto masa si pjesë të politikave të Qeverisë për mbështetjen sociale, përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe fuqizimin ekonomik të familjeve gjatë viteve 2021-2026.
Rruga Press

