Opinion/Aktualitet

I dëshpëruari Edi Rama në kërkim të studentëve, por gjen patronazhistët e tij

Nga Osman Stafa

Edi Rama ka 14 vite në pushtet. Katër mandate qeverisëse. Dhe studentët që sot protestojnë kundër tij janë pikërisht rinia që është rritur gjatë qeverisjes së tij.

Janë fëmijët që u rritën duke dëgjuar prindërit e tyre të ankoheshin se nuk mbyllnin dot muajin, se pagat nuk u mjaftonin për të paguar kreditë, faturat dhe për të siguruar një jetë dinjitoze për familjet e tyre.

Janë të rinjtë që kanë parë sesi gjyshërit e tyre, pas një jete të tërë pune, marrin pensione që mezi u mjaftojnë për ushqimet dhe ilaçet.

Kanë parë sesi prindërit dhe familjarët e tyre përballen me një sistem shëndetësor ku shëndetësia falas, aq shumë e propaganduar nga Edi Rama, nuk përputhet me realitetin e pacientëve që detyrohen të blejnë ilaçe, të paguajnë ekzaminime apo të presin me muaj për trajtime.

Kanë parë sesi ministra, zëvendëskryeministra, deputetë dhe zyrtarë të lartë të qeverisjes së tij janë përballur me hetime dhe akuza për korrupsion, ndërkohë që Kryeministri ka refuzuar të marrë përgjegjësi politike për rastet që kanë përfshirë njerëzit më të afërt të pushtetit të tij.

Lexo më shumë  Leku, një medalje që shkëlqen në tregun valutor, ndërsa prodhimi vendas paguan faturën

Kanë parë sesi familjarët, miqtë dhe të afërmit e tyre largohen drejt Gjermanisë, Italisë apo vendeve të tjera europiane, sepse nuk arrijnë të ndërtojnë në Shqipëri jetën që dëshirojnë.

Kanë parë shumë. Kanë dëgjuar shumë. Dhe, mbi të gjitha, kanë jetuar për vite me pasojat e një qeverisjeje që sot u kërkon të besojnë se problemet e tyre mund të zgjidhen përmes një dialogu me Kryeministrin.

Por Edi Rama e ka pasur kohën për të dialoguar, për të dëgjuar dhe për të vepruar. Ka pasur 14 vite për t’u krijuar këtyre të rinjve një perspektivë në vendin e tyre, që të mos e shohin emigrimin si të vetmen mundësi për një jetë më të mirë.

Ndaj studentët që protestojnë nuk kërkojnë një takim me Edi Ramën. Ata po kundërshtojnë pikërisht qeverisjen e tij dhe mënyrën sesi është drejtuar vendi gjatë viteve në të cilat janë rritur.

Lexo më shumë  Leku, një medalje që shkëlqen në tregun valutor, ndërsa prodhimi vendas paguan faturën

Dhe Kryeministri duhet ta kuptojë se nuk mund t’i përgjigjet revoltës së tyre duke mbledhur disa studentë në një sallë, për t’u treguar shqiptarëve se ka ende të rinj që bien dakord me të. Një student nuk do të shkonte në takimin e Ramës, një patronazhist po.

Sepse kjo është një gjeneratë që nuk e njeh Edi Ramën si premtim për të ardhmen, por si Kryeministrin që ka qeverisur gjatë gjithë fëmijërisë dhe rinisë së saj.

Ndaj, Rama nuk mund t’i bindë këta studentë thjesht me premtime të reja, kur ata po kërkojnë llogari për premtimet e vjetra.

Këtë herë jo.

Studentët ia kanë prerë Edi Ramës biletën. Dhe ajo nuk është biletë për një tjetër takim, por kërkesë për largimin e tij nga pushteti.

Rruga Press

YouTube player