Ukraina sulmon urën e Krimesë për herë të tretë brenda javës
Ukraina ka sulmuar për herë të tretë brenda një jave urën që lidh Rusinë me Krimenë, duke detyruar pezullimin e qarkullimit të trenave në të, kanë bërë të ditur autoritetet ruse, vetëm disa orë para takimit të presidentit Vladimir Putin me liderët e Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.
Koha dhe ndikimi i sulmeve ukrainase ndaj kësaj ure, më e gjata në Evropë dhe një simbol i Rusisë së Putinit, e vendosin në një pozitë të vështirë kreun e Kremlinit, teksa merr pjesë në atë që Moska e ka cilësuar si një samit historik trepalësh me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe liderin kinez, Xi Jinping.
Moska shpreson se takimi do t’u dërgojë një mesazh aleatëve dhe kundërshtarëve se Rusia, dhe jo Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, është pjesë e një rendi të ri botëror shumëpalësh që po merr formë.
Ukraina apo presidenti i saj, Volodymyr Zelensky, nuk kanë reaguar ende ndaj sulmit të fundit. Zelensky pritet të zhvillojë bisedime në Berlin më vonë gjatë së enjtes me të dërguarit amerikanë për negociatat e paqes.
Guvernatori i Krimesë i emëruar nga Rusia, Sergei Aksyonov, ka publikuar një mesazh sfidues me video, në të cilin ka thënë se qarkullimi hekurudhor nëpër urë do të rifillojë më vonë gjatë së enjtes.
“Ne kemi forcën, vendosmërinë dhe e dimë se si ta zgjidhim këtë situatë. Do t’i kapërcejmë të gjitha vështirësitë. Krimea është me Rusinë përgjithmonë!”, ka thënë Aksyonov.
Ura 19 kilometra e gjatë është një projekt madhor, të cilin Putini e ka përuruar në vitin 2018 dhe që simbolizon lidhjen e Rusisë me gadishullin, ku ndodhet gjithashtu Flota e saj e Detit të Zi, anijet e së cilës Ukraina i ka shënjestruar vazhdimisht.
Të martën, dronët dhe raketat ukrainase shkatërruan pjesën qendrore të segmentit rrugor të Urës së Krimesë, duke bërë që harku kryesor i saj të shembej në det dhe të krijohej një boshllëk i madh.
Ky sulm pritet ta vështirësojë furnizimin e gadishullit, ku jetojnë afro 2.5 milionë banorë, si dhe të ushtrojë presion mbi logjistikën ushtarake ruse në pjesë të jugut të Ukrainës që kontrollohen nga forcat e Moskës.
Sulmi i parë i kësaj jave, i kryer të hënën, shkaktoi dëme më të vogla në urë.
ktoi dëme më të vogla në urë.
Rruga Press

