Konfindustria: Paketa Fiskale 2027 rrezikon t’u kushtojë qytetarëve dhe bizneseve në Shqipëri 200 mln euro
Konfindustria ka paraqitur në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese në Kuvend një sërë propozimesh për përmirësimin e projekt-Paketës Fiskale 2027, duke kërkuar që qeveria të marrë masa konkrete për të garantuar interesin publik. Sipas administratorit të përgjithshëm të Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, ndryshimet e parashikuara për karburantet dhe automjetet rrezikojnë të rrisin kostot e transportit për qytetarët dhe bizneset me të paktën 200 milionë euro.
Në propozimet e paraqitura, Konfindustria kërkon që heqja e Taksës së Qarkullimit prej 27 lekësh për litër, plus TVSH, të reflektohet plotësisht në çmimin përfundimtar të karburanteve për konsumatorët. Sipas saj, duhet të garantohet që kjo ulje të mos përfundojë në fitime shtesë për tregtarët apo në të ardhura të tjera për buxhetin e shtetit.
Një tjetër kërkesë lidhet me çmimet e karburanteve, të cilat, sipas Konfindustrisë, nuk duhet të jenë më të larta se mesatarja e vendeve fqinje, si Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi. Po ashtu, organizata propozon që taksa vjetore për automjetet të mos jetë më e lartë se mesatarja e këtyre vendeve.
Konfindustria ngre shqetësimin se mungesa e konkurrencës në tregun e karburanteve, të cilin e cilëson si kartel dhe oligopol, mund të bëjë që heqja e taksës prej 27 lekësh për litër të mos reflektohet në çmimin që paguajnë konsumatorët. Në këtë rast, sipas saj, përfitimi do të shkonte te tregtarët dhe buxheti i shtetit, ndërsa qytetarët nuk do të përfitonin nga ulja e taksës.
Sipas Konfindustrisë, Taksa e Qarkullimit siguron aktualisht rreth 230-240 milionë euro në vit për buxhetin e shtetit. Ajo parashikon se kjo taksë do të zëvendësohet plotësisht përmes rritjes së taksave vjetore të automjeteve, duke bërë që barra fiskale të rëndojë sërish mbi qytetarët dhe bizneset, në kushtet kur nuk ka garanci ligjore për uljen e çmimit të karburanteve.
Në reagimin e saj, Konfindustria paralajmëron se mosmarrja parasysh e këtyre propozimeve mund të sjellë pasoja për konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, industrinë, prodhimin vendas dhe tërheqjen e investimeve. Sipas saj, rritja e mëtejshme e kostove të transportit mund të nxisë falimentime dhe të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve.
Konfindustria vlerëson gjithashtu se pasojat e këtyre ndryshimeve mund të shtrihen përtej treguesve ekonomikë, duke rrezikuar, sipas saj, edhe qëndrueshmërinë shoqërore dhe rendin kushtetues në vitin 2027 dhe në vijim.
Rruga Press

