Shormaz kërkon arrestimin dhe dorëzimin e Radoiçiqit në Kosovë: Nëse nuk është arratisur, duhet të kapet menjëherë
Ish-inspektori i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), Milan Zvezdanoviq, ka deklaruar se ka informacione jozyrtare se Milan Radoiçiq është larguar nga territori i Serbisë dhe ka shkuar në Rusi.
Pas këtyre deklarimeve ka reaguar edhe politikani serb Dragan Shormaz, i cili përmes një shkrimi në platformën X ka kërkuar arrestimin e menjëhershëm të Radoiçiqit dhe dorëzimin e tij te autoritetet në Prishtinë.
Ai ka rikujtuar se Radoiçiqit i ishte konfiskuar pasaporta dhe se, sipas tij, largimi i tij nga Serbia mund të ishte bërë vetëm përmes një fluturimi nga Beogradi, në mënyrë të paligjshme dhe me ndihmën e Rusisë.
“Nëse kjo është e vërtetë, atëherë do të duhet të filloni t’i dëgjoni edhe përvojat dhe paralajmërimet e studentëve! Këtij krimineli i është konfiskuar pasaporta dhe ai mund të arratisej vetëm me një fluturim nga Beogradi, në mënyrë të paligjshme dhe me ndihmën e Rusisë! Nëse nuk është arratisur, arrestojeni dhe dorëzojeni menjëherë Prishtinës! Ai do të tregojë gjithçka!”, ka shkruar Shormaz.
Ndërkaq, Zvezdanoviq, gjatë paraqitjes në televizionin N1, tha se informacionet e tij për largimin e Radoiçiqit vijnë nga burime jozyrtare brenda BIA-s.
Ish-inspektori ka deklaruar gjithashtu se largimi i tij nga Serbia ka shqetësuar edhe disa drejtues të BIA-s, të cilët, sipas tij, kishin skema biznesi dhe kriminale me Radoiçiqin.
Kujtojmë se gjykata ia kishte konfiskuar pasaportën Radoiçiqit dhe i kishte ndaluar largimin nga Serbia, duke e detyruar të paraqitej në stacionin policor kompetent më datat 1 dhe 15 të çdo muaji./The GeoPost
Rruga Press

