Pse ka pllakosur zia sot në çdo fytyrë socialisti përpara Ramës: Frikë apo prekja e fundit?
Në sallën ku po mblidhet Asambleja e Partisë Socialiste, kontrasti vizual nuk është thjesht çështje estetike, por një fenomen psikologjik dhe politik që flet më shumë se çdo fjalim.
Atje ku dikur kërkohej energji dhe ritëm, tani skena dominohet nga një fjalim i zvarritur, pa ritëm, i shoqëruar nga një fytyrë e rrudhur dhe pa asnjë grimë motivimi nga Edi Rama.
Nga ana tjetër, salla përgjigjet me një mur fytyrash të vërejtura, të ngrysura, me sytë mbërthyer poshtë, pa asnjë shkëndijë gjallërie.

Duket sikur dikush u ka fikur papritur llampat të dyja palëve, duke lënë pas një ambient të mbushur me hije heshtjeje, zbrazëti dhe tensioni.
Si ka arritur një forcë politike, që dikur mburrej me zhurmën dhe entuziazmin e saj, të shndërrohet në një simfoni zije kolektive pikërisht në tryezat e saj më të rëndësishme vendimmarrëse?

Prapa këtij peizazhi njerëzor fshihet fillimisht kulti i frikës pas 14 vjetësh pushtet. Në një strukturë pushteti të centralizuar absolutisht te një njeri i vetëm, hapësira për personalitet apo spontanitet tkurret deri në zhdukje.
Fytyrat e ngrira dhe sytë e ulur të socialistëve në këtë asamble nuk janë thjesht shenjë lodhjeje; ato janë maska e mbijetesës. Në këtë klimë, çdo shprehje e lirë mund të keqinterpretohet.

Një buzëqeshje në momentin e gabuar, një shkujdesje e vogël apo një mungesë përqendrimi mund të lexohen nga regjia ose nga vetë lideri si tradhti, pakujdesi ose distancim.
Për ta, më e sigurt është të jesh i padukshëm, të mos prodhosh asnjë lloj energjie që mund të të vërë në shënjestër. Është frika e gjallë, ajo që të shtyn të ulësh kokën dhe të presësh sa të mbarojë stuhia.

Fytyrat e zbrazura të socialistëve në këtë asamble nuk janë thjesht një detaj kalimtar televiziv. Ato janë pasqyra e një sistemi ku edhe vetë motori kryesor duket se ka humbur karburantin.

A është kjo frikë e pastër nga pasojat, apo paralajmërimi i heshtur i një epoke që po i afrohet fundit të saj? Përgjigjen nuk e japin më fjalimet pa ritëm nga podiumi, por sytë e ulur dhe të zbehtë poshtë tij. /vna.al/
Rruga Press

