Putini nuk heq dorë nga Beogradi edhe pa Vuçiçin! Lavrov kërkon garanci nga qeveria e re e Serbisë, premtimi i Vulinit
Rusia nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ndikimi i saj në Ballkan dhe veçanërisht nga Serbia, të cilën e konsideron një prej partnerëve më të rëndësishëm strategjikë në rajon. Në një kohë kur Beogradi vazhdon të deklarojë aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Moska kërkon garanci se ndryshimet politike në Serbi nuk do të cenojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ka kërkuar që qeveria e re serbe të ruajë partneritetin strategjik me Rusinë, duke e lidhur këtë kërkesë edhe me negociatat për furnizimin me gaz dhe nënshkrimin e një kontrate të re afatgjatë.
Mesazhi u përcoll gjatë takimit të zhvilluar më 11 nëntor në Moskë me Aleksandar Vulinin, një prej politikanëve më të afërt me Kremlinin dhe aktualisht kryetar i Bordit Mbikëqyrës të kompanisë shtetërore serbe të gazit, “Srbijagas”.
“Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj të gjitha marrëveshjeve tona, të kaluara dhe të tanishme. Shpresojmë që edhe qeveria e re të sigurojë vazhdimësinë e partneritetit strategjik të Serbisë me Federatën Ruse”, deklaroi Lavrov, sipas Ministrisë së Jashtme ruse.
Deklarata e kryediplomatit rus është një sinjal i qartë se Kremlini kërkon të ruajë ndikimin e tij në Beograd, pavarësisht zhvillimeve të brendshme politike. Për Moskën, Serbia mbetet një pikë e rëndësishme mbështetjeje në Ballkan, veçanërisht për shkak të refuzimit të saj për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.
Një instrument i rëndësishëm i këtij partneriteti është energjia. Lavrov konfirmoi se bisedimet për furnizimet e ardhshme me gaz rus janë në zhvillim dhe se palët po diskutojnë një marrëveshje të re afatgjatë. Ai përmendi edhe vizitën në Moskë të drejtorit të përgjithshëm të “Srbijagas”, Dushan Bajatoviq.
Marrëdhëniet energjetike kanë qenë prej vitesh një nga shtyllat kryesore të lidhjeve ruso-serbe. Varësia nga furnizimet me gaz i jep Moskës një ndikim të konsiderueshëm ekonomik, ndërsa Beogradi e ka përdorur bashkëpunimin me Rusinë si pjesë të politikës së tij të balancimit mes Lindjes dhe Perëndimit.
Në këtë kuadër, zgjedhja e Aleksandar Vulinit si bashkëbisedues nuk është rastësore. Ish-zëvendëskryeministri serb është një nga mbështetësit më të vendosur të marrëdhënieve me Kremlinin dhe ka kundërshtuar vazhdimisht përpjekjet për ta afruar politikën e jashtme serbe me qëndrimet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.
Lavrov e cilësoi Vulinin si një prej figurave kryesore politike të Serbisë, duke vlerësuar angazhimin e tij për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Besnikëria politike e Vulinit ndaj Moskës është shprehur hapur edhe në takimet e mëparshme me drejtuesit rusë.
Në shtator të vitit 2024, gjatë një takimi me presidentin Vladimir Putin në Vladivostok, Vulin deklaroi se Serbia, nën drejtimin e Aleksandar Vuçiqit, nuk do të anëtarësohej në NATO, nuk do të vendoste sanksione ndaj Rusisë dhe nuk do të lejonte që territori i saj të përdorej për veprimtari kundër Moskës.
Ai e cilësoi Rusinë aleate dhe partnere strategjike, duke falënderuar Kremlinin për mbështetjen ndaj qëndrimit serb për Kosovën dhe kundërshtimin e pavarësisë së saj.
Çështja e Kosovës mbetet një tjetër element thelbësor i marrëdhënieve mes dy vendeve. Rusia vazhdon të mbështesë pozicionin e Beogradit në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Serbia e përdor këtë mbështetje si një argument për ruajtjen e lidhjeve të ngushta politike me Moskën.
Edhe në gusht të vitit 2024, gjatë një vizite tjetër në kryeqytetin rus, Vulin deklaroi se ishte krenar që Serbia nuk ishte përfshirë në atë që ai e quajti “histeri anti-ruse” dhe kishte refuzuar vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës.
Në atë takim me Lavrovin u diskutuan gjithashtu mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe politik, përfshirë afrimin me BRICS, grupimin ndërkombëtar ku Rusia është një prej anëtarëve kryesorë.
Në prill të vitit 2025, gjatë një forumi ekonomik në Moskë, Vulin shkoi edhe më tej, duke pretenduar se protestat dhe trazirat politike në Serbi nuk do të kishin ndodhur nëse Beogradi do t’i kishte vendosur sanksione Rusisë. Ai i cilësoi zhvillimet e brendshme si një përpjekje për një “revolucion me ngjyra”, duke pretenduar se Serbia dhe Rusia historikisht kanë qëndruar në të njëjtën anë.
Këto qëndrime kanë shkaktuar vazhdimisht përplasje me Bashkimin Evropian. Në shtator të vitit 2024, Brukseli reagoi ndaj takimit të Vulinit me Putinin, duke theksuar se forcimi i marrëdhënieve me Moskën, në kohën kur Rusia vazhdonte agresionin ushtarak kundër Ukrainës, ishte në kundërshtim me orientimin evropian të Serbisë.
Megjithëse Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE, ajo nuk është rreshtuar me politikën evropiane të sanksioneve ndaj Rusisë, duke ruajtur një pozicion që shpesh është kritikuar nga institucionet evropiane.
Rruga Press

