KryesoreLajme

Tomorri: Progres-raporti për Shqipërinë tregon përgjegjësitë e qeverisë për pengesat në integrimin drejt BE-së

Gazetari Klodian Tomorri, kritikoi rezultatet e reformës në drejtësi, duke theksuar se sekuestrimet e bujshme të pasurive nuk kanë vlerë nëse ato nuk përfundojnë në konfiskim dhe nuk kthehen në interes të publikut. Tomorri komentoi gjithashtu deklaratat e Edi Ramës në dokumentarin e Channel 5 dhe gjetjet e progres-raportit të Bashkimit Europian për Shqipërinë.

Duke iu referuar intervistës së Edi Ramës për gazetarin amerikan në dokumentarin e Channel 5, Tomorri u ndal te momenti kur gazetari e pyet kryeministrin nëse ndihet përgjegjës për faktin që ministra dhe zyrtarë të emëruar prej tij janë dënuar për korrupsion.

Sipas Tomorrit, Edi Rama iu përgjigj me pyetjen: ‘Kush është dënuar për korrupsion?’, duke vënë në dukje se, në një kuptim formal, Shqipëria nuk ka zyrtarë të lartë të dënuar me vendim të formës së prerë për korrupsion.

Megjithatë, gazetari theksoi se shqetësimi kryesor nuk lidhet vetëm me numrin e arrestimeve apo me dënimet, por me mungesën e rezultateve konkrete në sekuestrimin dhe rikthimin e pasurive të përfituara nga korrupsioni.

Tomorri u ndal te rastet kur SPAK-u dhe Gjykata e Posaçme bëjnë publike sekuestrime pasurish me vlera të konsiderueshme, si dhjetëra miliona euro, vila dhe apartamente, por që më pas lirohen nga gjykatat.

Sipas tij, goditja më efektive ndaj krimit dhe korrupsionit është ndërhyrja te financat dhe pasuritë e përfituara në mënyrë të paligjshme. Në të kundërt, arrestimet dhe aksionet e bujshme rrezikojnë të mbeten vetëm në nivelin e retorikës, nëse paratë e abuzuara nuk kthehen te publiku.

‘Shiko, përpara raportit, besoj se shumica e shqiptarëve e kanë parë dokumentarin e famshëm të Channel 5 dhe intervistën që kryeministri dha për gazetarin amerikan. Ka një episod shumë interesant në atë intervistë, ku gazetari e pyet zotin Rama: ‘A nuk ndiheni ju përgjegjës që të gjithë këta ministra dhe zyrtarë të emëruar nga ju janë dënuar për korrupsion?’

Dhe kryeministri, si mjeshtër i lojës së fjalëve që është, i kthehet: ‘Kush është dënuar për korrupsion?’

Dhe, në fakt, në këtë rast zoti Rama kishte të drejtë. Sepse sot Shqipëria nuk ka asnjë zyrtar të lartë të dënuar për korrupsion. Nuk ka me vendim të formës së prerë. Jo, jo, madje as në gjykatat e shkallës së parë nuk duhet të ketë.

Kemi çështje që vazhdojnë prej vitesh nëpër gjykata. Pra, flas për çështjet e SPAK-ut dhe të Gjykatës së Posaçme, të cilat vazhdojnë prej 7-8 vitesh dhe ende nuk kemi rezultate konkrete në drejtim të dënimeve.

Kjo është njëra anë e çështjes, sepse, në fund të fundit, nuk është se publiku fiton ndonjë gjë të madhe vetëm nga fakti që njerëzit përfundojnë në burg apo dënohen.

Çështja qëndron te ajo që ngre progres-raporti. Pra, te lajmet e bujshme që bëhen kur SPAK-u ose gjykata autorizojnë sekuestrime dhe dalin shifrat: 50 milionë euro, 70 milionë euro, 6 vila, 8 apartamente të sekuestruara.

Çfarë ndodh më pas? Ndodh që rrugës kokoshi katandiset në thelë.

Sepse pasuritë lirohen nga gjykatat, duke filluar nga shkalla e parë, në Apel e kështu me radhë.

Pra, ky është një shqetësim, sepse ekziston një postulat: goditja më efektive ndaj krimit dhe korrupsionit është kur ti i merr financat, kur e godet te financat.

Nëse ne do të vazhdojmë me këtë histori, ku arrestohen njerëz, zhvillohen aksione dhe, në fund, publiku nuk merr asgjë nga paratë e vjedhura mbrapsht, atëherë mund të bëjmë retorikë me reformën në drejtësi, SPAK-u mund të shesë ndërkombëtarisht rezultatet e tij dhe reforma në drejtësi mund të shitet ndërkombëtarisht…

Sigurisht, sigurisht, sepse ka diçka tjetër: sa vite kanë kaluar nga reforma në drejtësi? U bënë 10 vjet, nëse nuk gaboj. Sa kohë ka që funksionon SPAK-u? Janë 8 vjet.

Nëse në një vend normal një qeveri, pas 8 vitesh, nuk u jep rezultate qytetarëve të saj, shkon në shtëpi, apo jo?

E njëjta gjë vlen edhe këtu. Pra, ka ardhur koha që reforma në drejtësi të japë me të vërtetë rezultate në këtë drejtim, sepse mund të ketë urdhër-arreste, mund të ketë çfarë të duash, por këto janë aksione që nuk e ndryshojnë…

Po, pra, shiko, ka edhe diçka tjetër. Ndoshta kjo historia që godasim, që arrestojmë, mund të shitet në publik. Sepse vetë publikut i pëlqejnë arrestimet. Por, në fund të fundit, më e rëndësishmja është kjo: ti të marrësh mbrapsht paratë e vjedhura, paratë e abuzuara, dhe t’i tregosh korrupsionit se, shiko, ti mund të bësh korrupsion sot, por ato para nuk do t’i gëzosh nesër, sepse drejtësia do të vijë mbi ty.

Pra, kjo nuk ka ndodhur.

Tani, për t’u kthyer pak te raporti, Bledi tha diçka që tashmë është një histori e njohur: progres-raportet kanë disa fjalë të mira për opozitën, disa fjalë të mira për qeverinë, pra ruajnë një lloj balance.

Në fakt, shiko, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Ka pasur një periudhë, jo shumë vite më parë, kur lavdërohej vetëm qeveria dhe goditej edhe opozita, nëse do të shprehemi kështu, në raportet e zyrtarëve të Bashkimit Europian.

Nuk thuhej asgjë e këtij lloji: që kemi një mazhorancë që pengon heqjen e imunitetit për zyrtarët e korruptuar; që kemi një mazhorancë e cila ka miratuar ligje, qoftë për zonat e mbrojtura, qoftë për investimet strategjike, të cilat kanë përkeqësuar ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Kemi një Kuvend i cili është totalisht joefektiv dhe nuk ushtron asnjë kontroll…

Pra, janë fjalë që kanë peshë. Unë nuk pres një raport që të jetë zi nga fillimi deri në fund për qeverinë, sepse, nëse do të ndodhte kjo, atëherë ata normalisht do të duhej të thoshin…

Që nga fillimi deri në fund, pra, Bashkimi Europian të thoshte se kjo është një qeveri e korruptuar. Sepse, po ta thoshin këtë, do të nënkuptonte ndërprerjen e procesit të integrimit, të procesit të anëtarësimit. Do të thoshin: ne nuk ju pranojmë, ju vazhdoni punën, sepse nuk kemi ku t’ju fusim.

Ndërkohë që ekziston një vendim politik dhe një atmosferë pozitive gjeopolitike në favor të zgjerimit të Bashkimit Europian.’, u shpreh gazetari Klodian Tomorri.

Lexo më shumë  ​Haxhiu viziton familjen e Arlinda Zekajt, kërkon bashkëpunim me Komisionin Hetimor Parlamentar

Rruga Press

YouTube player