Lajme

Ajeti: Aquarium Berlin përfshin Kosovën si shtet të pavarur në platformën e saj, pas reagimit të qytetarëve dhe ndërhyrjes diplomatike

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka njoftuar se Aquarium Berlin ka vendosur Republikën e Kosovës në platformën e saj si shtet të pavarur, pas reagimit të qytetarëve dhe angazhimit të vazhdueshëm diplomatik.

Përmes një postimi në Facebook, Ajeti ka bërë të ditur këtë zhvillim, duke theksuar rëndësinë e reagimit qytetar dhe diplomacisë aktive në adresimin e pasaktësive që lidhen me paraqitjen e Kosovës në institucionet dhe platformat gjermane.

“Ky është një shembull tjetër i qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive japin rezultate konkrete”, ka shkruar ambasadori Ajeti.

Lexo më shumë  ​Haxhiu viziton familjen e Arlinda Zekajt, kërkon bashkëpunim me Komisionin Hetimor Parlamentar

Në të njëjtin postim, ai u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të raportojnë në Ambasadën e Kosovës në Gjermani çdo rast kur hasin institucione apo kompani gjermane ku Republika e Kosovës ose qytetet e saj nuk paraqiten në mënyrë korrekte.

Ajeti ka kërkuar që raportimet të shoqërohen me dëshmi përkatëse, në mënyrë që institucionet diplomatike të kenë mundësi të adresojnë dhe kërkojnë korrigjimin e këtyre pasaktësive.

Për këtë qëllim, Ambasada e Kosovës në Gjermani ka vënë në dispozicion adresën zyrtare të postës elektronike: embassy.germany@rks-gov.net.

Lexo më shumë  Nga Netanyahu te Vuçiqi dhe dosja Agasi: Kush është Srulik Einhorn, izraeliti i kërkuar nga drejtësia që shfaqet në hetimet e SPAK

Ky zhvillim vjen në një kohë kur përfaqësimi i saktë i Republikës së Kosovës në institucionet dhe platformat ndërkombëtare mbetet një çështje me rëndësi për diplomacinë kosovare dhe mërgatën shqiptare.

Angazhimi i qytetarëve në evidentimin e rasteve të tilla dhe bashkëpunimi me përfaqësitë diplomatike konsiderohen pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për të siguruar paraqitjen e drejtë të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Rruga Press

YouTube player