Bota

Nis falimentimi i Alta Banka në Serbi, dyshime për përvetësimin e 383 milionë eurove

Gjykata e Beogradit ka vendosur nisjen e procedurave të falimentimit për Alta Banka, një nga bankat më të mëdha në Serbi, pas përkeqësimit të ndjeshëm të gjendjes financiare dhe arrestimit të tre drejtuesve e punonjësve të saj, të dyshuar për përvetësimin e rreth 383 milionë eurove.

Agjencia Serbe e Sigurimit të Depozitave njoftoi më 3 nëntor se është caktuar administratore e falimentimit, ndërsa banka shtetërore Banka Poštanska Štedionica do të jetë përgjegjëse për kthimin e depozitave të siguruara të klientëve.

Vendimi vjen pasi Banka Kombëtare e Serbisë (NBS) i hoqi licencën e ushtrimit të aktivitetit Alta Banka më 31 tetor, për shkak të përkeqësimit të konsiderueshëm të pozicionit të saj financiar.

Më 2 nëntor, Prokuroria për Krimin e Organizuar arrestoi tre zyrtarë të bankës, mes tyre një drejtues ekzekutiv, përgjegjësin e Departamentit të Thesarit dhe Menaxhimit të Parasë, si dhe një punonjës të operacioneve të thesarit.

Ata dyshohen për përvetësimin e rreth 45 miliardë dinarëve serbë, ekuivalente me 383 milionë euro, nga kasaforta e bankës.

Lexo më shumë  Analiza e BBC: Fitorja e demokratëve në ShBA, nënkupton ndryshim të politikave ndaj Moskës

Agjencia e Sigurimit të Depozitave njoftoi se deri më 6 nëntor do të publikojë datën e fillimit të pagesave për depozituesit. Klientët do të kenë një afat prej tre vjetësh për të kërkuar kthimin e fondeve të siguruara.

Skema e sigurimit mbulon depozitat e individëve, sipërmarrësve dhe bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme, deri në 50 mijë euro për depozitues, pavarësisht monedhës apo llojit të llogarisë bankare.

Sipas Agjencisë, Fondi i Sigurimit të Depozitave ka mjete të mjaftueshme për të përballuar të gjitha detyrimet ndaj depozituesve të siguruar të Alta Banka.

Banka e nëntë më e madhe në Serbi

Alta Banka renditej e nënta për nga madhësia e aktiveve mes 19 bankave që operonin në Serbi. Në fund të korrikut 2026, aktivet e saj arritën në 215 miliardë dinarë, me një pjesë tregu prej rreth 3%, sipas të dhënave të Bankës Qendrore.

Banka kishte 19 degë në Serbi dhe mbi 500 punonjës në fund të vitit 2025.

Alta Banka është në pronësi të plotë të Alta Group, grup financiar që zotërohet 100% nga biznesmeni serb Davor Macura, i cili është gjithashtu kryetar i Bordit të Drejtorëve të bankës.

Lexo më shumë  Demokratët fitojnë Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve, humbje e madhe për Trumpin

Institucioni e ka origjinën nga ish-Banka Jugosllave për Bashkëpunim Ekonomik Ndërkombëtar (Jubmes). Në vitin 2019, shteti serb shiti pjesëmarrjen e tij prej 28.51% në Jubmes te Alta Pay Group, sot Alta Group. Në vitin 2020, banka ndryshoi emrin në Alta Banka dhe më vonë kaloi tërësisht në pronësi të grupit.

Sipas pasqyrave financiare, në vitin 2025 Alta Banka realizoi të ardhura prej 6.3 miliardë dinarësh dhe fitim neto prej 1.4 miliardë dinarësh, nga përkatësisht 5 miliardë dinarë të ardhura dhe 1.6 miliardë dinarë fitim neto në vitin 2024.

Pra, ndërsa të ardhurat u rritën me 26%, fitimi neto ra me 12.5%, përpara përkeqësimit të gjendjes financiare që çoi në heqjen e licencës dhe nisjen e procedurave të falimentimit.

Rruga Press

YouTube player