Vulin dyshohet se provoi të arratisej në Moskë, avioni detyrohet të kthehet në Beograd
Një avion i kompanisë Air Serbia, i nisur të martën në mbrëmje nga Beogradi drejt Moskës, është detyruar të kthehet në aeroportin “Nikola Tesla”, në rrethana që ende nuk janë sqaruar zyrtarisht.
Mediat serbe dhe rajonale raportojnë se në mesin e pasagjerëve të dyshuar në bord ishin ish-drejtori i BIA-s, Aleksandar Vulin, drejtori i Srbijagas-it, Dušan Bajatović, dhe politikani Nenad Popoviq.
Ngjarja ka nxitur spekulime në Serbi se Vulin mund të ketë tentuar të largohet nga vendi për t’iu shmangur një hetimi të mundshëm penal. Megjithatë, deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar se ai ishte në avion apo se kthimi i fluturimit kishte lidhje me ndonjë hetim.
Sipas televizionit N1, i cili citon portalin Nova.rs, avioni i tipit Airbus A320, me numër fluturimi JU134, ishte nisur nga Beogradi në orën 18:25, me destinacion Moskën. Gjatë fluturimit, ai ndryshoi drejtimin dhe u kthye në aeroportin e Beogradit, ku aterroi pak para orës 22:00.
Raportohet se urdhri për kthimin e avionit ishte dhënë nga drejtori i sigurisë korporative të aeroportit, për arsye që lidhen me sigurinë. Megjithatë, ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Opozitari paralajmëroi udhëtimin disa orë para nisjes
Një nga rrethanat që e ka bërë më të bujshme ngjarjen është se kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, Srđan Milivojević, kishte paralajmëruar disa orë para nisjes së avionit për një udhëtim të mundshëm të dy politikanëve serbë drejt Moskës.
“Dhe kush po arratiset sonte drejt Moskës, me fluturimin e orës 18:30?”, kishte shkruar ai në rrjetin social X.
Më herët, në një deklaratë për median serbe Nash Portal, Milivojeviq kishte pretenduar se dy politikanë po udhëtonin drejt kryeqytetit rus, duke theksuar se njëri kishte blerë biletë vajtje-ardhje, ndërsa tjetri vetëm vajtje.
Sipas tij, personi që kishte blerë biletë vetëm vajtje ishte një ish-ministër, i njohur për qëndrimet kundër integrimit evropian, ndaj të cilit kishte nisur një hetim.
“Sepse ka filluar një hetim kundër atij njeriu që po arratiset”, kishte deklaruar Milivojević.
Ndërkohë, mediat malazeze, përkatësisht portali ETV, i kanë identifikuar dy politikanët si Aleksandar Vulin dhe Nenad Popović, duke raportuar se ata kishin rezervuar bileta për fluturimin e mbrëmjes drejt Moskës.
Dyshime për keqpërdorime financiare dhe përfshirjen e Vulinit
Në një zhvillim tjetër, gazeta serbe Republika ka raportuar për dyshime mbi keqpërdorime financiare në vlerë prej rreth 60 milionë eurosh në një institucion të Vojvodinës, duke e lidhur këtë çështje edhe me emrin e Aleksandar Vulinit.
Megjithatë, pretendimet për përfshirjen e tij dhe statusi i hetimeve nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Vulin, i cili ka mbajtur më herët postet e ministrit të Mbrojtjes, ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), njihet për raportet e afërta politike me Moskën dhe qëndrimet e tij kundër Perëndimit.
Edhe Dušan Bajatović dhe Nenad Popoviq njihen për lidhjet e tyre të afërta me Rusinë.
Televizioni N1 ka bërë të ditur se ka kërkuar sqarime nga Air Serbia, aeroporti “Nikola Tesla” dhe Drejtoria e Aviacionit Civil, por deri në publikimin e raportimit nuk kishte marrë përgjigje. Po ashtu, televizioni kishte tentuar të kontaktonte Vulinin dhe Bajatovićin, por pa sukses.
Për momentin, mbetet e paqartë nëse kthimi i avionit lidhet me pasagjerët e përmendur apo me ndonjë çështje tjetër të sigurisë. Gjithashtu, nuk ka konfirmim zyrtar se Vulin ndodhej në bord apo se udhëtimi i tij drejt Moskës kishte për qëllim shmangien e një hetimi.
Rruga Press

