KryesoreLajme

Projektbuxheti i Kosovës për vitin 2027, 4.27 miliardë euro

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2027, që do të jetë 4.27 miliardë euro. Siç bëhet e ditur, buxheti i paraparë i vitit të ardhshëm është 300 milionë euro më shumë se buxheti bazë i këtij viti. Projektbuxheti është proceduar në Kuvend.

Kurti në fjalimin e tij në mbledhje ka thënë se rritja ekonomike në tremujorin e parë dhe tremujorin e dytë të vitit ka qenë 5.4 për qind përkatësisht 4.1 për qind. Ai ka thënë se kjo e vendos Kosovën në vendet me rritjen më të shpejt ekonomike në rajon e më gjerë. 

“Për vitin 2027 buxheti i projektuar është 4.27 miliardë euro. Është për 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe për 300 milionë euro më i lartë sesa buxheti bazë i vitit 2026”, tha Kurti. “Nga ky buxhet 908 milionë euro do të shkojnë për komunat. Është buxhet rekord për komunat”. 

Kurti ka thënë se me këtë buxhet parashihet paga e 13 edhe në vitin 2027 e nga 1 korriku ka thënë se do të rritet koeficienti i pagës në 120 euro. Koeficienti aktual është 110 euro. 

“Pra, pjesa e parë e vitit do të jetë me pagë të 13-të e pjesën e dytë të vitit do të ketë rritje pagës për të gjithë nëpunësit që marrin paga nga buxheti. Kjo e çon buxhetin e pagave në 1 miliard e 85 milionë euro”, tha Kurti. 

Ai ka thënë se kur pjesëtohet kjo me 85 mijë punonjës, atëherë paga vjetore bruto rezulton mbi 12 mijë euro apo mbi 1000 euro bruto në muaj. 

Lexo më shumë  Kompanisë iu hoq licenca pas dhunës së qytetarit në Zvërnec/ “Myrto Security”, shpërblehet nga qeveria me tenderin 2 mln euro të OSSH (Dokumenti)

Kurti ka thënë se me këtë buxhet është paraparë edhe rritja e buxhetit për ekipet mbrojtëse ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Ndërkohë Kurti ka thënë se në buxhetin e ri parashihet edhe rritja e shtesave me nga 25 për qind çdo vit, mbi vitin bazë – që është ky vit. Ka thënë se nga janari i vitit 2027 do të rriten shtesat për fëmijë për 25 për qind, e çdo vit të mandatit do të vazhdohet në atë mënyrë.

“Në linjë me premtimin tonë për dyfishim të shtesave për fëmijët përgjatë mandatit, kemi paraparë dhe buxhetuar rritjen graduale të shtesave në 4 faza, me nga 25% çdo vit mbi shumën aktuale. Pra, nga 1 janari 2027, shtesat për fëmijë rriten 25%, pastaj edhe në janar të vitit 2028 përsëri 25%, në janar 2029 përsëri 25%, dhe në janar 2030 kompletohet rritja graduale duke rezultuar në dyfishimin e shtesave për fëmijë brenda mandatit. Me fjalë tjera, një familje që ka dy fëmijë dhe tash i merr 60 euro, nga janari do t’i marrë 75 euro, kurse një familje që ka 4 fëmijë dhe tash merr 180 euro, nga janari do t’i marrë 225 euro. Dhe kjo rritje do të vazhdojë secilin vit, deri në dyfishimin e shtesave për fëmijë brenda këtij mandati, ashtu sikurse që jemi zotuar para jush”, tha Kurti. 

Kurti ka thënë se janë përgjysmuar shpenzimet për udhëtime jashtë vendit, ndërsa paratë e kursyera janë ndarë si buxhet për barna esenciale në SHSKUK. Ndërsa ka thënë se me buxhet parashihet edhe investime në QMF e në aparatura të teknologjive më moderne. 

Kurti ka thënë se për herë të parë buxheti parasheh mbi 1 miliard euro në kategorinë e investimeve kapitale. Ka thënë se në këtë përfshihet ndërtimi i Unazës së Jashtme të Prishtinës, segmenti Duhël-Banullë, autoudha e Dukagjinit e shumë rrugë tjera. 

Po ashtu tha se është përfshirë edhe linja për kompletimin e infrastrukturës sportive për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, si dhe është paraparë themelimi i një aviokompanie kombëtare. 

Po ashtu tha se në buxhet është përfshirë ndërtimi i digave e po ashtu edhe për investime në turizëm. 

Në mbledhjen e Qeverisë u miratua edhe propozim-vendimi për ndarjen e 300 mijë eurove për organizimin e pjesëmarrjes së Kosovës në Forumin Ekonomik Botëror – Davos, me “Kosova House”. 

Po ashtu u miratua edhe propozim-vendimi për ndarjen e 24 mijë eurove për Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, për organizimin e Forumit të tretë gjermano-kosovar, që është mbajtur nga 28 deri më 30 tetor. 

U shqyrtua edhe drafti i raportit nëntëmujor financiar të buxhetit të Kosovës për vitin 2026. Si dhe u shqyrtua koncept-dokumenti për gjuhën e shenjave. 

Po ashtu u miratua ndarja prej 200 mijë euro të kërkuara nga Ministria e Drejtësisë për bashkëpunimin me trupat e Kombeve të Bashkuara, ku përfshihet hartimi e bashkëpunimi në të gjitha përgatitjet e procedurat, përfshirë hartimi i akteve nënligjore për themelimin e Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. 

Mjetet do të merren nga shpenzimet e subvencionet, ka njoftuar ministri i Financave, Hekuran Murati. 

YouTube player