Horroret e dhunës policore nuk kanë të mbaruar!
Nga Av. Dorian Matlija
HORRORET E DHUNËS POLICORE NUK KANË TË MBARUAR!
Imagjino sikur të thyesh këmbën. Kush ka thyer ndonjëherë dorën apo këmbën, e di çfarë dhimbjeje e tmerrshme është. Në ato momente do vetëm të mos të të prekin, mos të të lëvizin, të të lënë të shtrihesh dhe të vijë mjeku.
Tani imagjino që, me këmbën e thyer, të të detyrojnë të ecësh. Ti me zor çalon sepse të dhemb në shpirt. Imagjino që, mes asaj dhimbjeje të padurueshme, t’u thuash policëve që të është thyer këmba! Pastaj imagjino që ata prapë të tërheqin zvarrë. Të godasin me shkopinj gome. Të fusin me dhunë në një furgon dhe të vazhdojnë të të rrahin. Të gjakosin fytyrën dhe tentojnë të të thyejnë edhe hundën dhe ti bërtet nga dhimbjet…
Dhe ata vazhdojnë të të rrahin!
Imagjino tani që je vetëm 20 vjeç dhe vuan edhe nga një sëmundje e rëndë nervore që ndikon te lëvizja, shikimi dhe funksione të tjera të trupit. Një sëmundje, simptomat e së cilës të rëndohen nga stresi dhe trauma. Imagjino t’ua thuash edhe këtë policëve. T’u tregosh që je i sëmurë, që ke thyer këmbën, që ke nevojë për mjek…
Dhe ata vazhdojnë në mënyrë shtazarake të të rrahin!
Tani imagjino që e gjithë kjo nuk bëhet as për të të arrestuar sepse ke shkelur ndonjë ligj. Nuk të çojnë fare në komisariat, nuk të bëjnë ndonjë procedurë në emër të ligjit. Thjesht të fusin në furgon, të rrahin si shtazë dhe pastaj të hedhin në rrugë, me këmbën e thyer, të gjakosur, pa ndihmë mjekësore.
I gjithë ky tmerr, që ju ftova në imagjinatë, i ka ndodhur vërtet djalit X., mbrëmjen e 24 tetorit, pranë stadiumit Dinamo në mes të Tiranës. Ai përfundoi në spital me shumë halle, iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, ka vënë vida në kockë, dhe ka dëmtime edhe në fytyrë.
Dhe nuk po flas në ajër sa për të shkruar vetëm një hartim. Kemi prova konkrete. Kemi pamje filmike të ndërhyrjes policore, të tërheqjes dhe goditjeve pa hesap gjatë futjes në furgon. Kemi prova filmike që dëgjohet se ua thotë policëve se kishte thyer këmbën. Kemi dokumentacion mjekësor. Kemi dëshmitarë që konfirmojnë se ai ua komunikoi policëve edhe sëmundjen e tij.
Kemi gjithashtu të dhëna konkrete për identifikimin e furgonit dhe të njësisë policore dhe madje ka dyshime serioze edhe për emra konkretë. Kemi elementë për veprimet e secilit dhe përgjegjësinë edhe të zinxhirit komandues. Nuk jemi duke ngritur akuzë për dhunë abstrakte.
Dhe ka shumë akuza, por ajo kryesorja është për TORTURË, e cila nuk është një figurë letrare në rastin konkret, por ka një bazë serioze juridike që kërkon hetim penal, pasi provohen goditje të përsëritura ndaj një personi të dëmtuar, nën kontrollin e policëve, ku ca e mbajnë e ca e rrahin, të cilët ishin njoftuar për gjendjen e tij. Kemi prova që dhuna kishte karakter ndëshkues, dhe jo qëllim të ligjshëm policor.
Dhe tani imagjino edhe diçka tjetër.
Qeveria nxjerr me urgjencë akt normative për dëmet ndaj pronës gjatë protestave. Por ku është e njëjta urgjencë për këta njerëzit që janë dëmtuar nga policia? Për këmbët e thyera, sytë e vrarë, fytyrat e gjakosura dhe traumat që mund t’i shoqërojnë gjithë jetën? Pse për xhamat e bizneseve ka akt normativ dhe për kockat dhe sytë e të rinjve nuk ka?
Pse të mos ketë masa të menjëhershme për kompensimin e viktimave të policisë, kur përgjegjësia provohet, dhe pastaj shteti, njëlloj siç do veprojë me bizneset, të kërkojë me padi regresi dëmin nga policët dhe drejtuesit përgjegjës?
Prona sigurisht që meriton mbrojtje. Por edhe jeta, shëndeti e dinjiteti i njeriut meritojnë të paktën po aq urgjencë.
Dhe një pyetje duhet t’u drejtohet në fytyrë Edi Ramës, Ervin Demos dhe Skënder Hitës: Çfarë urdhrash janë dhënë, kush i ka drejtuar këto forca dhe çfarë është bërë për të ndaluar kasaphanën që zgjati ditë me rradhë dhe e shikonit në kohë reale? A mos ndoshta nuk del akti normativ për dëmet e shkaktuara viktimave të policisë sepse policët i keni bekuar vetë për këto shkelje? Në një shtet normal, shkelësit e ligjit trajtohen njëlloj, qofshin në anën e protestuesve apo qofshin edhe në anën e ligjzbatuesve. Shkelja e ligjit është shkelje ligji. Pikë! Dhe krimi paguan, apo jo? Apo ndoshta ky krimi me uniformë policie nuk ka pse paguan sepse ishte shkelje nga kampi juaj dhe dëmi ishte nga kampi i qytetarëve të thjeshtë? Jepni prova për të kundërtën pra, bëjeni që nesër aktin normativ për dëmet te viktimat e policisë! Nëse jo, ikni prej atyre posteve, qoftë edhe sikur vetëm për këtë arsye.
Imagjino të jesh në vend të X. Ose të jetë fëmija yt. Vëllai yt. Imagjino të jetë në agoni dhe të kërkojë ndihmë, ndërsa uniformat që kanë detyrë ta mbrojnë vazhdojnë ta rrahin me mjetet e shtetit.
Ne e kemi bërë kallëzimin për torturën. Nuk do të mjaftohemi me ato pezullimet disiplinore apo me deklaratat hipokrite për keqardhje, që edhe këto u thanë me gjysëm zëri vetëm kur pushkët e shtetit i nxorën sytë të rinjve.
Horroret e dhunës policore nuk kanë të mbaruar. Dhe për më keq, na tunden edhe aktet normative tani, dhe ka edhe nga ata njerëz që na ftojnë të mendojmë se dhuna na u orkestrua nga jashtë. Po kjo tortura që lexuat më sipër, nga u orkestrua? Keni ndonjë fjalë për këtë, sidomos ju që gjithmonë mendoni se dhuna është e orkestruar? Se ku i dihet, mbase kjo që përshkruaj unë është…
Rruga Press

