KryesoreLajme

Kongresmenët amerikanë: Shqipëria tashmë është një autokraci elektorale

Kongresi amerikan tashmë e pranon se Shqipëria e Edi Ramës është një diktaturë elektorale.

Në një letër të ligjvënësve Joe Wilson dhe Keith Self për Departamentin e Shtetit, thuhet se Shqipëria është klasifikuar tashmë si një autokraci elektorale.

“Freedom House e vlerëson Shqipërinë si ‘Pjesërisht të Lirë’, me 69 pikë nga 100 në vitin 2026. Vëzhguesit i cilësuan zgjedhjet parlamentare të majit 2025 si ‘konkurruese dhe të zhvilluara në mënyrë profesionale’. Megjithatë, Shqipëria mori vetëm 39 pikë nga 100 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025 të Transparency International. Instituti V-Dem, në Raportin e Demokracisë 2026, tashmë e klasifikon Shqipërinë si një autokraci elektorale,” thuhet në letër.

“Institucionet shqiptare kundër korrupsionit nuk mund të kenë sukses kur udhëheqësit politikë mbrojnë zyrtarët që ato hetojnë. Për këtë arsye, ju bëjmë thirrje të përdorni kompetencat e Departamentit sipas nenit 7031(c) të ligjit vjetor për përvetësimet buxhetore të Departamentit të Shtetit, operacionet e jashtme dhe programet përkatëse. Konkretisht, kërkojmë që Departamenti të shpallë publikisht të papërshtatshëm për viza zyrtarët shqiptarë dhe, kur është e përshtatshme, familjarët e tyre të afërt, për të cilët disponon informacione të besueshme mbi përfshirjen në korrupsion të rëndësishëm,” thekson letra.

Lexo më shumë  Britania paralajmëron për Rusinë: NATO-ja duhet të jetë e përgatitur për skenarët më të këqij

Kujtojmë se vetëm pak javë më parë, kongresmeni Wilson deklaroi se krimi ndikon tek zgjedhjet në Shqipëri.

“Unë kam qenë vëzhgues i zgjedhjeve të para të lira në Bullgari me Institutin Ndërkombëtar Republikan. Përsëri, ne mund të kemi një rol në monitorimin dhe promovimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për më tepër, është raportuar se korrupsioni, krimi i organizuar dhe integriteti zgjedhor në Shqipëri janë ndikuar nga qeveria e Edi Ramës, e cila në fakt ka nxitur krijimin e rrjeteve të trafikut të drogës,” tha Wilson.

Lexo më shumë  Nis punën grupi për stragjinë për apelin në Hagë, Konjufca: Mbështetje e plotë për krerët e UÇK-së

Shtetet e Bashkuara nuk e kanë uruar Edi Ramën për zgjedhjet e vitit të kaluar, të cilësuara gjerësisht si një farsë elektorale.

Rruga Press

YouTube player