Rama si “polic morali” në Regjimin e Ajatollahëve
Në rolin e një “polici morali”, tipike për regjimin e Iranit, kryeministri shqiptar Edi Rama publikoi paraditen e së Premtes një listë me persona, të arrestuar nga Policia gjatë revoltës qytetare, duke aluduar se ata “nuk janë student” dhe “janë paguar nga duar të huaja”, përfshirë Republikën Islamike të Ajatollahëve, për të përmbysur pushtetin e tij.
Në narrativën e tij për të ndarë “studentët protestues” me “protestues të tjerë të paguar”, Rama publikoi një listë prej më shumë se 20 personash, duke cituar precedentët e tyre penalë.
Shfaqja e kreut të qeverisë ishte sa qesharake, aq edhe për t’u mëshiruar për nivelin e degratimit ku ka arritur kryeministri në mandatin e tij të katërt qeverisës.
Ai citoi precedentët penalë të këtyre individëve, të cilët varionin nga “shkelje të qarkullimit rrugor”, tek “dhuna në familje”, “shitja e narkotikëve”, e deri tek “pjesëmarrja në tubime të paligjshme”.
Atë që synoi të tregonte Rama ishte fakti që “protesta nuk është e studentëve”. Narrative dhe leksiku i tij ishte për të ardhur keq. Dhe arsyet janë të shumta.
Së pari, në ditët e revoltës qytetare e studentore, efektivët e Policisë së Shtetit kanë arrestuar, ndaluar ose shoqëruar mbi 400 persona. Shumica absolute e tyre janë të rinj, student, të cilët më pas u liruan nga gjykatat për shkak të arrestimeve të paligjshme ose për mungesë të provave që mund t’i mbanin ata në qeli. Ndaj, një grup prej 20 personash, të pretenduar nga Edi Rama si individë me precedent penalë, nuk mund të tjetërsojnë aspak “protestën studentore”.
Së dyti, në narrativën e tij të lodhur, kryeministri Edi Rama synoi të pilotonte idenë se “protesta thellësisht studentore” është ndotur nga persona të tjerë. Por, natyrisht, ai nuk dha asnjë argument se, për cilat arsye, qytetarë jo-studentë nuk mund t’i bashkohen revoltës së rinisë. Studentët kërkojnë largimin e Edi Ramës, si njeriun përgjegjës për hunbjen e shpresë së të ardhmes së tyre, nëpërmjet korrupsionit dhe shkatërrimit të demokracisë. Këto kërkesa dhe problema nuk janë vetëm të studentëve, por edhe të shumë qytetarëve të tjerë.
Së treti, fakti që një apo disa individë mund të kenë precedent penalë të ndryshëm, siç pretendoi kryeministri Edi Rama, nuk i përjashton ata nga e drejta për të kërkuar një jetë më të mirë sociale, ekonomike dhe politike.
Së katërti, veprat penale minore, të cilat u atribuoi kryeministri Edi Rama grupit prej rreth 20 personash, të cituar në konferencën e tij mediatike, nuk i shndërron ata në “kriminelë” dhe, aq më tepër në “persona të financiuar nga duar të huaja”.
Së pesti, kryeministri Rama, për turpin e tij, identifikoi si “persona që dyshohet se financohen nga Irani” disa qytetarë, të cilët në fotot e publikuara prej tij, kishin mjekër, si element dallues të besimtarëve fetarë. Rama nuk citoi asnjë vendim gjyqësor për këta individë, por u mjaftua me shprehjen “janë në verifikim nga Policia për përfshirje në fonde të huaja islamike”.
Së gjashti, përfshirja në një hetim penal për “tubim të paligjshëm” apo “bllokim qarkullimi” në kuadër të protestave qytetare, jo domosdoshmërisht të shndërron në “kriminel” apo “i financuar nga duar të huaja”.
Nën këtë logjikë të kryeministrit, duhet pranuar se edhe njerëz shumë pranë tij, si Taulant Balla, Tom Doshi, Besnik Baraj, etj, të proceduar për “tubim të paligjshëm” në protestat e 21 janarit 2011, të ishin financuar “nga duar të huaja”, të cilat “nuk duan të ardhmen e Shqipërisë”. /boldnews.al/
Rruga Press

