KryesoreLajme

SPAK godet pasuritë e kartelit “Çopja-Çela”, sekuestron një kompani dhe 25 automjete

SPAK ka sekuestruar pasuri me vlerë totale 77 milionë lekë, të lidhura me hetimet për aktivitetin kriminal të kartelit të njohur si “Çopja-Çela”.

Me vendim të Gjykatës së Posaçme, është vendosur sekuestro preventive mbi një kompani tregtare, 25 automjete dhe një tokë në Tiranë, pasuri të regjistruara në emër të Ardian Çelës dhe Franc Çopjas.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme, sekuestrimi është kryer në kuadër të procedimit penal nr. 187 të vitit 2023, ku paralelisht me hetimin penal është zhvilluar edhe hetimi pasuror. Ky i fundit ka identifikuar pasuri që dyshohet se janë produkte të veprimtarisë kriminale, të regjistruara në emër të personave nën hetim dhe familjarëve të tyre.

Me vendimin nr. 667, datë 14 tetor 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë caktoi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuritë me vlerë totale 77 milionë lekë.

Në emër të Franc Çopjas është sekuestruar një tokë arë me sipërfaqe 2 mijë metra katrorë, e ndodhur në zonën e Sharrës, në Tiranë, e regjistruar edhe në bashkëpronësi me një shtetase tjetër.

Lexo më shumë  “Situatë alarmante”/ Kongresmeni amerikan dënon dhunën e policisë ndaj protestuesve në Shqipëri

Ndërsa në emër të Ardian Çelës është sekuestruar 100% e kuotave të shoqërisë tregtare “Check Company” sh.p.k., me aktivitet në rrugën e Dibrës, në Tiranë. Në pronësi të kësaj kompanie janë gjithashtu 25 automjete, përkatësisht 24 automjete të markës Volkswagen, të modeleve Ioniq 5, ID.3 dhe ID.4, si dhe një automjet Toyota, modeli bZ3.

Hetimet ndaj grupit kriminal lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike, pastrimin e produkteve të veprës penale, krijimin e grupit të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale.

Sipas SPAK, organizata kriminale kishte shtrirje të gjerë ndërkombëtare dhe bashkëpunonte me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportin e sasive të mëdha të drogës drejt porteve evropiane. Fitimet nga aktiviteti kriminal dyshohet se investoheshin në prona dhe biznese, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me EUROPOL-in dhe autoritetet ligjzbatuese të Belgjikës, Francës, Holandës, Gjermanisë dhe Italisë. Një pjesë e rëndësishme e tij është mbështetur në analizimin e komunikimeve të enkriptuara në platformën SkyECC, përmes të cilave janë zbuluar dërgesa shumëtonëshe kokaine nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të Bashkimit Evropian, përfshirë Hamburgun dhe Antverpenin.

Lexo më shumë  Mes protestave në Tiranë, Parlamenti njofton se do të mblidhet të enjten

SPAK bën me dije se hetimet kanë dokumentuar rolet e personave të dyshuar në grupin kriminal, si dhe zinxhirin e transferimit të parave të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.

Hetimet përfshijnë disa shtetas të dyshuar për përfshirje në aktivitetin kriminal, konkretisht shtetasit: E.Ç, A.Ç, A.Ç (alias D.Ç), F.B (alias J.B), D.D, P.L (alias P.S.), F. G (alias F.Ç, alias F.H.Ç, S.P (alias V.P), G.Ç, R.M, M.K, M. M, E. Ç, R.Ç, K.Gj dhe D.P, ndaj të cilëve janë lëshuar masa sigurimi. 

YouTube player