ArgumentKryesore

Uniforma nuk ka fytyrë. Babai ka

Shkruan Arlinda Çausholli

Uniforma nuk ka fytyrë. Babai ka. 💔👮‍♂️

Më rrëfyen një histori të vërtetë këto ditë protestash në Tiranë, nga ato që të nguliten në mendje dhe të japin një dritë shprese.

Një efektiv policie ka dhënë dorëheqjen.

Gjithçka nisi dy ditë më parë. Teksa bëhej gati për të dalë në shërbim, bashkëshortja e ndali në prag të derës. E pa në sy dhe i tha “Mos i gjuaj fëmijët në shesh… se Zoti na sheh dhe na dënon.”

U kthye në shtëpi pas shumë orësh përballjeje në bulevard, i heshtur, me peshën e rëndë të asaj që kishte përjetuar. Tha vetëm dy fjalë: “Nuk gjuajta.”

Ky polic është baba i tre fëmijëve, dy prej të cilëve janë adoleshentë. Ditën tjetër, dy djemtë iu afruan dhe i dhanë goditjen më të fortë që mund të marrë një prind: “Baba, edhe ne do të dalim në protestë sot. Do të vishemi me të zeza, do të vëmë kapuçë mbi kokë… dhe do të na gjuajnë, njësoj siç u gjuajnë shokëve të tjerë. Në mes të asaj rrëmuje, ti nuk ke për të na njohur.”

Në atë moment, bota e tij u përmbys, tha gruaja e vet në rrëfim. I zënë ngushtë, i hidhëruar nga e vërteta e fëmijëve të tij, i zemëruar dhe me sytë që i digjnin, hoqi kapelën e policisë. E la mbi tavolinë dhe firmosi dorëheqjen.

Përtej gazit lotsjellës, urdhrave dhe tensionit në rrugë, po ndodh një thyerje e madhe shpirtërore, te ne prindërit që dëshmojmë këto ditë të vështira për demokracinë, dhe bashkë me të, shqetësimin piskamë të fëmijëve tanë për ngjarjet dhe nëpërkëmbjen e dinjitetit të çdo qytetari, me hir dhe pahir. Rinia është zemra e zemrës sonë. Shpirti i shqiptarisë. Fryma e ditëve tona të ardhshme. Mos t’ia helmojmë gjakun. Ka njerëz të mirë dhe të përgjegjshëm, besoj, edhe matanë barrikadave.

Lexo më shumë  Pedagogët dalin sot në protestë, marshim solidariteti me studentët në orën 10:00, kundër dhunës policore ndaj të rinjve

Ky ish efektiv policie zgjodhi të jetë njeri përpara se të jetë numër. Nuk besoj të jetë i vetmi.

Uniforma nuk ka fytyrë, babai ka.

Rruga Press

YouTube player