Territorialja, goditje për qytetarët!/ Xhaferri: Shkrirja e bashkive largon rininë nga vendi, thellon shpopullimin
Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka folur për pasojat e reformës territoriale, duke paralajmëruar se shkrirja e 15 bashkive rrezikon të thellojë shpopullimin dhe të dobësojë përfaqësimin e qytetarëve.
Duke iu referuar shembullit të Rubikut, Xhaferri u shpreh se nga rreth 5 mijë banorë që kishte në vitin 2014, sot kjo zonë ka vetëm 2 mijë banorë.
Deputeti demokrat paralajmëroi se shuarja e njësive vendore do të largojë edhe më shumë qytetarët nga vendimmarrja, duke zbehur shpresat e të rinjve për të qëndruar apo për t’u rikthyer në vendlindje.
Xhaferri theksoi se reforma territoriale e vitit 2014 nuk e ka ndalur braktisjen e zonave të vogla dhe se pasojat mund të bëhen edhe më të rënda me shkrirjen e 15 bashkive.
.
Pjesë nga intervista:
Besoj që nuk është më gjëegjëzë, sepse e shikojmë në mënyrë empirike dhe statistikore se çfarë do të thotë të kesh komuna, bashki, njësi vendore, të cilat u zhdukën me reformën e vitit 2014.
Unë dje mora si shembull Rubikun, një njësi vendore që ekzistonte para vitit 2014, që zgjidhte kryetarin e saj, një vend që më në fund i kishin ardhur gjithë të mirat, i kishte ardhur autostrada, ishte 60 km larg Tiranës, maksimumi 40–50 minuta, 30 km larg Shëngjinit, bregdetit, me dalje për në Kosovë, vend strategjik.
Në vitin 2014 kishe 5.000 banorë, sot ka vetëm 2.000 banorë. Kemi një rënie me shumë se gjysmën e banorëve dhe është kthyer në një azil pleqsh me klasa kolektive, që është për të ardhur keq.
Asnjë nga këto 15 bashki që u bënë “delete” dje, që u zhdukën, nuk i kanë avantazhet që ka Rubiku. Mendoj që do të jetë më keq. Shpopullimi që do të vijë do të jetë katastrofal. Do të shuhen shumë shpresa te të rinjtë që shpresojnë për të jetuar aty apo për t’u rikthyer në vendin e tyre, sepse në gjithë vendet e zhvilluara ekziston një rregull: njerëzit shkojnë afër shërbimeve, shumë pak njerëz largohen nga shërbimet.
Logjika është: sa më e madhe një bashki, aq më shumë mundësi ka pushteti apo partia e favorizuar nga mjetet elektorale të paligjshme. Sa më e vogël një njësi, aq më e vështirë është për një bashki, sepse aty, në njësi të vogla, mbizotëron reputacioni i kandidatit, lidhjet farefisnore të një kandidati, jeta e tij në atë terren.
Pra, duke u ulur peshën njësive të vogla në vendime dhe në votë, edhe i demotivon ata për të shkuar dhe votuar, sepse gjithmonë vendet më të vogla dyshojnë se mund të japin diferencën në rezultatin final të një vendi të madh.
Mund të marrim dy lloje ekstremitetesh, sikur Shqipëria të ishte vetëm një bashki: partia që fitoi me një votë plus qeveriste gjithë Shqipërinë si bashki.
Apo Shqipëria të ishte me 378 njësi vendore para vitit 2014 dhe aty të kishte një miks forcash politike që fitonin në të katër cepat e Shqipërisë, madje edhe kandidatët.
Ndërkohë, pas vitit 2014, është gati e pamundur për kandidatë të pavarur të fitojnë, është e pamundur për parti të vogla të fitojnë dhe, patjetër, e kanë bërë shumë të vështirë për parti të mëdha, si Partia Demokratike, që të garojnë në bashki më të mëdha.
Megjithatë, praktikisht, unë jam me besimin e plotë që këta 225 mijë banorë të japin revanshin politik kurdo që të vijnë zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, si vendore, ashtu edhe qendrore.
Rruga Press

