Bota

Senatorja Shaheen: Rusia përmes Serbisë e sheh Ballkanin si “front të dytë të mundshëm”

Senatorja amerikane Jeanne Shaheen, anëtare e rangut më të lartë të pakicës në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, ka nisur të mërkurën vizitën e saj në Ballkanin Perëndimor, me ndalesën e parë në Bosnje e Hercegovinë.

Shaheen po udhëheq një delegacion të Kongresit amerikan, pjesë e të cilit është edhe senatori demokrat Dick Durbin. Delegacioni, sipas Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit, do të qëndrojë në rajon nga 6 deri më 13 tetor, duke vizituar Bosnje e Hercegovinën, Shqipërinë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Kosovën.

Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur data e saktë se kur delegacioni amerikan do të qëndrojë në Kosovë.

Gjatë vizitës, Shaheen pritet të zhvillojë takime me zyrtarë qeveritarë, pjesëtarë të personelit diplomatik amerikan, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të rinj, me fokus te siguria rajonale, institucionet demokratike, mundësitë ekonomike dhe marrëdhëniet e vendeve të rajonit me Shtetet e Bashkuara.

Kjo vizitë shënon edhe një nga angazhimet e fundit të Shaheenit në kuadër të delegacioneve të Kongresit amerikan në cilësinë e anëtares së rangut më të lartë të pakicës në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit.

Sarajeva e nderon Shaheenin

Në Bosnje e Hercegovinë, Shaheen është nderuar me titullin “Qytetare Nderi e Sarajevës” për vitin 2025.

Mirënjohja iu dha për mbështetjen shumëvjeçare ndaj Bosnje e Hercegovinës dhe për angazhimin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Sarajevës dhe Shteteve të Bashkuara.

Autoritetet e Sarajevës kanë vlerësuar veçanërisht angazhimin e Shaheenit për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës, si dhe mbështetjen e saj për orientimin euroatlantik të vendit.

Lexo më shumë  BE-ja kërkon distancim nga Moska, Vuçiqi i premton Putinit më shumë bashkëpunim

Shaheen e pranoi çmimin gjatë një ceremonie të zhvilluar në komunën e Sarajevës, nga kryetari Samir Avdiq.

Senatorja amerikane e ka vizituar disa herë Bosnje e Hercegovinën dhe në vazhdimësi ka shprehur shqetësim për zhvillimet politike dhe të sigurisë në këtë vend.

Shaheen: Rusia e sheh Ballkanin si “front të dytë të mundshëm”

Një nga temat kryesore të agjendës së Shaheenit në rajon pritet të jetë ndikimi rus dhe rreziku i destabilizimit të Ballkanit Perëndimor.

Shaheen ka paralajmëruar më herët se Rusia ka interes për destabilizimin e rajonit, duke e konsideruar atë si një hapësirë ku Moska mund të hapë, sipas saj, një “front të dytë të mundshëm”.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo ka theksuar nevojën që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të ruajnë një prani të fuqishme në rajon.

Në këtë kontekst, ajo ka përmendur edhe lidhjet ndërmjet Serbisë, serbëve në Republikën Sërpska dhe Rusisë, duke i lidhur ato me shqetësimet amerikane për stabilitetin e Ballkanit.

“Rusia e sheh këtë si një front të dytë të mundshëm dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ruajtur stabilitetin në rajon”, kishte deklaruar Shaheen.

Ajo ka theksuar gjithashtu rëndësinë e gatishmërisë së forcave amerikane dhe ndërkombëtare në rajon.

“Duhet të sigurohemi që rusët ta dinë se këto forca janë në gjendje të lartë gatishmërie dhe po e përcjellin atë që po ndodh”, kishte thënë ajo, duke iu referuar pranisë së NATO-s në Kosovë dhe misionit të EUFOR-it në Bosnje e Hercegovinë.

Lexo më shumë  Lituani – Deri në 100 ushtarë në kufi, rriten masat e sigurisë pranë Kaliningradit

Shaheen është bashkëkryesuese e Grupit të Senatit për Mbikëqyrjen e NATO-s dhe ka qenë një zë i angazhuar në çështjet e sigurisë së krahut juglindor të aleancës.

Shqetësimi për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën

Në deklarimet e saj të mëparshme, Shaheen ka paralajmëruar për rreziqet që mund të vijnë nga ndërlidhja e zhvillimeve në Kosovë, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.

Ajo ka shprehur veçanërisht shqetësim për veprimet separatiste të ish-presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, duke vlerësuar se ato mund të rrezikonin Marrëveshjen e Dejtonit dhe stabilitetin rajonal.

Në shkurt, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih, Shaheen kishte diskutuar këto çështje me anëtarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq, dhe ish-përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt.

Ajo ka argumentuar se SHBA-ja duhet të jetë e përgatitur për t’iu përgjigjur edhe luftës hibride ruse në rajon.

“Kjo nuk është vetëm në interes të Amerikës, por edhe në interes të aleatëve tanë evropianë”, kishte deklaruar Shaheen.

Vizita e saj në Ballkan vjen në një periudhë kur siguria rajonale, ndikimi rus dhe raportet ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe Republikës Sërpska mbeten ndër çështjet që po ndiqen nga afër në Uashington dhe në kryeqytetet evropiane./The GeoPost

Rruga Press

YouTube player