OECD: Shqipëria e fundit në rajon për internetin. Paguajmë më shtrenjtë se fqinjët, por marrim shërbimin 3 herë më të ngadaltë
Ndërsa bota po nxiton drejt një epoke tërësisht të digjitalizuar, Shqipëria po mbetet pas, duke shënuar nivelet më të ulëta në rajon për sa i përket shpejtësisë së rrjetit broadband.
Një analizë e thelluar mbi tregun e telekomunikacionit në Ballkanin Perëndimor nxjerr në dritë një paradoks të madh ekonomik për konsumatorët shqiptarë: vendi ynë nuk ka internetin më të shtrenjtë në rajon në shifra absolute, por ka raportin më të keq midis çmimit që paguhet dhe cilësisë që merret (Value for Money).
Të dhënat e kryqëzuara nga raporti i OECD, platforma kërkimore globale Cable.co.uk dhe publikimi i përbashkët i StatLink, dëshmojnë se qytetarët dhe bizneset shqiptare po penalizohen nga një infrastrukturë e prapambetur, ndonëse faturat mujore që paguajnë janë të ngjashme ose më të larta se ato të fqinjëve tanë.

Sipas këtyre raporteve, Shqipëria regjistron një shpejtësi mesatare prej vetëm 27.6 Mbit/s për periudhën 2023-2024, duke u gozhduar në fund të tabelës së Ballkanit Perëndimor.
Skandali i shpejtësisë: Maqedonia e Veriut 3 herë më shpejt për të njëjtin çmim
Krahasimi i faturave mujore me shpejtësinë reale të rrjetit broadband tregon një hendek të frikshëm dhe një pozicion kritik të Shqipërisë (ALB) përballë vendeve fqinje:
• Shqipëria: Shënon shpejtësinë më të ulët në rajon me vetëm 27.6 Mbit/s, ndërsa paketa mesatare mujore luhatet midis 28 deri në 33 dollarë.
• Maqedonia e Veriut (MKD): Udhëheq rajonin me një shpejtësi mbresëlënëse prej 88.5 Mbit/s, duke kaluar edhe mesataren e vendeve fqinje të BE-së. Me një tarifë pothuajse identike (rreth 29 dollarë në muaj), ajo u ofron qytetarëve të saj një rrjet rreth tre herë më të shpejtë se ai në Shqipëri.
• Kosova (KOS) dhe Bosnje-Hercegovina (BIH): Kanë bërë hapa të rëndësishëm përpara, duke e lënë pas Shqipërinë.
• Serbia (SRB): Thyen çdo rekord konkurrueshmërie, duke ofruar shpejtësi të lartë prej rreth 73 Mbit/s me çmimet më të lira në rajon, që nisin nga 15 dollarë në muaj.
• Mesatarja Rajonale: Qëndron në 58.6 Mbit/s, pothuajse sa dyfishi i shpejtësisë që ofrohet aktualisht në tregun shqiptar.
Edhe pse Shqipëria ka shënuar një rritje modeste në krahasim me periudhën 2014-2016 (ku konvergjenca me BE-në u rrit nga 25% në 28%), ritmi i progresit mbetet tejet i ngadaltë për të kapur hapin e pjesës tjetër të Europës.
Kjo do të thotë se paratë e konsumatorëve shqiptarë “digjen” në një rrjet që nuk e përmbush potencialin e tij, duke dëmtuar eficiencën e investimit që bën çdo familje.
Pse po paguajmë shtrenjtë për një shërbim të dobët?
Raportet ndërkombëtare identifikojnë tre faktorë kryesorë strukturorë që rëndojnë mbi xhepat e shqiptarëve pa sjellë përmirësimin e duhur të cilësisë:
1. Mungesa e konkurrencës reale në linjat fikse: Tregu shqiptar është i fragmentuar në operatorë të vegjël lokalë dhe i dominuar në nivel kombëtar nga pak kompani të mëdha.
Kjo gjendje oligopoli mban çmimet e paketave artificialisht të larta pa pasur nevojë që kompanitë të konkurrojnë fort me njëra-tjetrën përmes rritjes së shpejtësisë.

2. Kostoja e transitit ndërkombëtar të të dhënave: Për shkak se Shqipërisë dhe rajonit u mungojnë serverët e mëdhenj lokalë (Edge Nodes), operatorët shqiptarë detyrohen ta blejnë trafikun e internetit nga nyjet e huaja europiane me kosto të larta. Kjo “faturë e fshehur” transferohet drejtpërdrejt te klienti fundor.
3. Amortizimi i investimeve rurale mbi qytetet: Shtrirja e kabujve në zonat e thella rurale ka kosto të larta për kompanitë. Për të mbuluar këto shpenzime, operatorët mbajnë çmime të kripura standarde kudo, duke kufizuar sasinë e megabajteve (bandën) që u dedikojnë abonentëve në rang kombëtar.
Në kushtet kur ekonomia moderne bazohet te shërbimet “cloud”, inteligjenca artificiale dhe analizimi i të dhënave në kohë reale, interneti i ngadaltë po kthehet në një pengesë serioze për konkurrueshmërinë e Shqipërisë.
Ky ngadalësim penalizon drejtpërdrejt bizneset vendase, duke kufizuar aftësinë e tyre për të adoptuar mjetet më të fundit teknologjike.
Rruga Press

