KryesoreLajme

Kurti: Kemi mbështetur punësimin e mbi 12 mijë grave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se qeveria ka mbështetur drejtpërdrejt punësimin e mbi 12 mijë grave, ndërsa ka theksuar se fuqizimi i grave është investim në zhvillimin ekonomik, social dhe demokratik të vendit.

Kurti këto deklarata i bëri në konferencën ndërkombëtare “Partneritet për ndryshim: gratë që transformojnë sistemet – avancimi i parimeve të Prishtinës 2026–2035”, ku foli për barazinë gjinore dhe politikat e qeverisë në këtë fushë.

Ai ka kërkuar që kontributi i grave të shndërrohet në më shumë mundësi për pjesëmarrje dhe vendimmarrje.

“Sot përgjegjësia jonë është që kontributi i tyre të shndërrohet gjithnjë e më shumë në mundësi pjesëmarrjeje dhe vendimmarrjeje. Barazia në të drejta dhe mundësi do të thotë që të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe ligji të zbatohen në çdo gjykatë. Në çdo komunë, në çdo vend pune, çdo stacion policie, dhe në çdo institucion. Do të thotë që dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk tolerohet dhe nuk durohet. Nuk justifikohet dhe nuk fshihet. Por parandalohet dhe ndëshkohet”, tha ai.

Lexo më shumë  Kurti i kërkon von der Leyen që Kosovës t’i jepet statusi “kandidat” për anëtarësim në BE

Kurti ka theksuar se barazia nënkupton edhe qasje të barabartë në arsim e punësim, si dhe përfshirje të grave në vendimmarrje dhe udhëheqje.

“Do të thotë që çdo vajzë dhe grua të ketë qasje të barabartë në arsim, punësim dhe mundësi për të ndërtuar të ardhmen e saj. Barazia në të drejta dhe mundësi. Do të thotë gjithashtu që gratë të mos jenë vetëm votuese që përfshihen, por qytetare që marrin pjesë, që bëhen vendimmarrëse dhe udhëheqëse. Sepse një demokraci nuk mund të jetë e plotë kur gjysma e shoqërisë ngelet e nënpërfaqësuar. Fuqizimi i grave për ne nuk është vetëm çështje e barazisë gjinore, është edhe investim në zhvillimin ekonomik, social dhe demokratik të vendit. Dhe këtë e kemi shoqëruar si ekzekutiv me politika publike buxhet adekuat dhe rezultate konkrete”, tha ai.

Duke folur për rezultatet e programeve qeveritare, Kurti ka përmendur përqindjen e grave dhe vajzave që kanë përfituar nga skemat e punësimit dhe bursat për fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.

Lexo më shumë  Putini lavdëron Serbinë për refuzimin e sanksioneve ndaj Rusisë: Shpresoj që Vuçiqi të bëhet kryeministër

“Kemi mbështetur drejtpërdrejt punësimin e mbi 12.000 grave. Përmes superpunës nga afro 23.000 të rinjtë të punësuar, 51% janë gra e vajza. Përmes programit “Qeveria për familjet” nga mbi 4.000 persona të punësuar nga familje ku më parë nuk punonte askush, 55% janë gra. Përmes “Kosovo Generation Unlimited” nga mbi 3.000 të rinj që kanë përfituar punë praktike, rreth 60% janë gra dhe vajza. Kemi investuar edhe në arsim dhe në profesionet e së ardhmes, janë ndarë 7.277 bursa apo përafërsisht i bie 40% të bursave në tërësi, për shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, apo STEM, prej të cilave 97% janë për vajza. Pra, Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron që nuk ka asgjë mashkullore në matematikë, inxhinieri, shkenca natyrore. Vajzat ia dalin shpesh edhe më mirë sesa djemtë”, tha ai.

YouTube player